DIKUR…
Dje nuk ishte si sot
Dikur gërvishja murana shpresash
Sot rrëmih kujtimet e rrënjosura imazhit tënd
Dje e buzëqeshur sodisja sytë e së kaluarës së fildishtë
Sot zymtësi në qiellin gri
Dje shihja … ah sa shumë kthjelltësi
Sot ëndrrën e
varrosa
Në kështjella pritjesh
Dje ishte ballsamosje shpresash
Sot jo…sot nuk je aty
E djeshmja të pluhurosi në harresë
Orfe i gjymëtuar
Unë Euridikë në shpresat e mia
Gjurmoj kopshtin e së nesërmes…
Dje, sot unë,ti
Ti,unë kujtimesh çrrënjosura
Faqe e grisur në ditarin tim
“”””””””””””””””
TI JE VETË VARGU
Vargëzohem mes vargjesh ta dëgjoj zërin e zemrës
Ndalet kur dua ta dëgjoj, ndal furinë e saj
Uturimën e shpirtit ma ndalon, ka dhembje për mua
Më mëshiron
Vargëzohem në mendjen time ajo përgjegje
më jep
Mos gërvish zemrën e shpirtin
Plagëve të vjetra mos u jep freski
Ti vetë je vargu
Je bota, e kaluara nuk është në ty
Iku me kohën
“””””””””””””””””””
SFIDË NË HESHTJE
Ma vodhën ëndrrën
shpresën ma vranë
heshta…
jetën ma errësuan
nuk u gjunjëzova
premtuan
gënjyen
tradhtuan
me buzëqeshje i shpërbleva
dhe…
sërish më vranë
përse?!
çfarë bëra?
në heshtje sfidova
pa shamatë,
pa zhurmë,
pa rënkime
edhe pse shpirti qau
sfida sfidoi sfidën.