9.2 C
Tiranë
E premte, 1 Maj 2026

FRUTET E HIDHURA TË PEMËVE TURKE TË SPONSORIZUARA NGA TIKA

 

Nikollë Loka

 

Pas grushtit  të dështuar të shtetit në Turqi, po vazhdon një luftë e ashpër për pushtet midis Erdoganit dhe rrjetit hije të Gulenit, ish-aleat i tij. Lufta brenda-islamike për pushtet po formëson të ardhmen e vendit. Për veshët perëndimorë, veçanërisht ata që janë mësuar me sulmet mediatike ndaj autoritarizmit të Erdoganit, komploti gulenist mund të tingëllojë si një trillim dhe komplot. Por, në Turqi, gati dy të tretat besojnë se Gulen ishte pas grushtit të shtetit, sipas sondazhit nga Andy-Ar.

Ndërsa ishin më aktive në Turqi, institucionet e lidhura me Gulen vazhdojnë të operojnë edhe sot në shumë vende, nga Afrika dhe Azinë Qendrore në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë – më së shumti përmes mijëra shkollave. Lëvizja Gulen është një rrjet i lirshëm i individëve dhe institucioneve që kërkojnë të kapin mundësitë për të promovuar idealet e tyre përmes arsimit dhe dialogut. Ata besojnë se “është e mirë për bashkëjetesën e kombeve, grupeve etnike dhe fetare,  të promovojnë kulturën e tyre te të tjerët”, pa marrë parasysh në cilat pjesë të botës jetojnë. Në këtë kuptim, Lëvizja Gulen paraqitet si një zë i moderimit dhe tolerancës islamike sufiste në një botë me ideologji konkurruese të islamit politik, që nga i ashtuquajturi “Shteti Islamik” deri te Al -Kaeda. Këto pretendime shkojnë kundër pikëpamjeve të shumë skeptikëve që shohin kontradikta të mëdha midis asaj që thonë liderët e kësaj Lëvizje dhe asaj që ata kanë bërë në të kaluarën. Rritja e saj nga një grup i vogël pasuesish në një lëvizje globale, me burime dhe fuqi të madhe ka ngjallur shqetësimin se ka ambicie shumë më të mëdha.

Në vitin 2012, me ushtrinë qemaliste të dobësuar rëndë, në skenën e luftës për pushtet u shfaq Lëvizja Guleniste, një luftë brenda-islamike midis ish aleatëve, Gulenit dhe Erdoganit. Në dhjetor të vitit 2013, Turqia u trondit nga një skandal korrupsioni, kur policia dhe prokurorët gulenistë arrestuan katër ministra të AKP dhe ai skandal kërcënoi ta rrëzonte Erdoganin nga pushteti.

Përpjekja e dështuar e grushtit të shtetit me 15 korrik erdhi pak përpara një takimi të Këshillit të Lartë Ushtarak, në të cilën Erdogan pritej të shkarkonte disa qindra oficerë të lartë, të dyshuar për lidhje me gulenistët. Vëzhguesit e Turqisë dyshojnë, nëse spastrimi i pritshëm i gulenistëve në ushtri shkaktoi një përpjekje të fundit nga oficerët për ta përmbysur Erdogan. Mbetet shumë e pasigurtë, nëse Gulen dha vetë urdhër për grusht shteti, apo nëse simpatizantë të tij brenda ushtrisë e organizuan vetë komplotin.

Pa dyshim, dështimi i përpjekjes së grushtit të shtetit ishte një fitore për demokracinë turke. Por mund të jetë një fitore si e Pirros, pasi përpjekja e grushtit të shtetit është trajtuar si gjueti shtrigash kundër kundërshtarëve të Erdoganit, pa ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë me grushtin e shtetit, gylenist apo jo. Kthimi i Erdoganit drejt autoritarizmit gjatë viteve të fundit nuk frymëzon shumë besim, se ai nuk do të përdorë përpjekjen e grushtit të shtetit për të konsoliduar kontrollin e mëtejshëm mbi shtetin dhe shoqërinë. Më e keqja është kur përplasjen e brendëshme midis gulenizmit dhe erdoganizmit, Turqia përpiqet t’i projektojë në vendet e tjera, përfshirë Shqipërinë. Kjo është një ndërhyrje flagrante në punët e brendëshme të Shqipërisë. Qytetarët shqiptarë janë jashtë çdo zhvillimi në Turqi, por ata edhe nëse shfaqin rezerva për politikën neo-otomaniste të Erdoganit, nuk kanë përse etiketohen si gulenistë dhe aq më pak, nuk duhet të kenë pasoja nga një qëndrim i tillë.

Në politikën e jashtme, për dy dekadat e fundit, Shqipëria dhe Kosova ndajnë një orientim të përbashkët pro-perëndimor, me një ambicie të fortë politike dhe mbështetjen e qytetarëve të tyre për anëtarësimin në Bashkimin Europian, si dhe forcimin e marrëdhënieve me SH.B.A. Në këtë periudhë, marrëdhëniet e Turqisë me Bashkimin Europian dhe SHBA-të janë përkeqësuar.

Zbatimi i konceptit të sipërmarrjes në sferën politike, e ka lejuar Erdoganin për të kaluar nga marrëdhëniet institucionale ndërshtetërore me udhëheqësit e Shqipërisë dhe të Kosovës, në marrëdhënie personale. Një ndryshim i tillë në rastin e Shqipërisë dhe Kosovës rrezikon të ketë një ndikim negativ në perspektivën e demokratizimit të të dy vendeve, duke minuar indirekt përpjekjet e tyre për reforma, duke nxitur praktika të përkohëshme në proceset e prokurimit publik, si dhe duke lehtësuar korrupsionin.

Fillimisht qevaria shqiptare shprehu hezitim në lidhje me çështjen Gulen. Shprehja e mirëkuptimit në lidhje me shqetësimin e Erdoganit ishte shoqëruar me deklaratat e ministrave të qeverisë shqiptare se “Shqipëria qëndron e përkushtuar për të respektuar traktatet ndërkombëtare mbi ekstradimin. (Ministria per Evropen dhe Punet e Jashtme 2018) Kohët e fundit, Rama ka argumentuar se “rrjeti Gylen është i rrezikshëm, pasi organizoi një përmbysje të dhunshme të një qeverie të zgjedhur në Turqi”. Autoritetet shqiptare po monitorojnë të gjithë ata persona që janë gjoja të lidhur me këtë rrjet” (Ora News 2018). Në verën e vitit 2019, disa ditë para udhëtimit të Ramës në Turqi, një memorial përkujtimor u vendos në ambientet e liqenit artificial të Tiranës në përkujtim të të rënëve, mbështetës të Erdoganit, gjatë grushtit të shtetit, i pari i këtij lloji në një vend të huaj. Memoriali ngriti reagime dhe shqetësime të forta në lidhje me llojin e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Turqisë dhe rreziqet e mundshme të ndërhyrjes e manipulimit nga Turqia. Autoritetet shtetërore shmangën marrjen e përgjegjësisë për veprën, duke u përpjekur ta minimizonin rëndësinë e saj. Zërat kritikë argumentuan se memoriali kujtoi konceptin e vasalitetit, pas 500 vitesh nën perandorinë Osmane (Panorama 2019). Ngritja e memorialit përbënte një favor institucional të ofruar nga qeveria e Ramës, për të kënaqur egon e Presidentit turk. Nga kjo perspektivë, kjo lloj marrëdhënie personale nuk kthehet gjithnjë në marrëdhënie institucionale. Ajo tregon kryesisht dimensioni kontraktual dhe lëvizjet e llogaritura të palëve, por dhe personalizimin e politikës së jashtme shqiptare dhe përdorimin e saj nga Rama për interesa personale.

Mbjellja e pemëve në kujtim të turqve të vrarë, në të ashtuquajturin grushti i shtetit gulenist, që u bë dje te Astiri tregon se Erdogan dhe erdoganizmi neo-otomanist që qëndron pas tij, është i vendosur që në mënyrë okulte dhe jashtëinstitucionale, të shfrytëzojë çdo hapësirë për ta kthyer mjedisin politik shqiptar në një shtojcë të politikës së brendëshme turke. Kjo ndërhyrje do t’i jepet mundësi Erdoganit të ndërhynte brutalisht ne punët e brendëshme të Shqipërisë dhe shqiptarëve. me këtë rast,  sikur mos t’u mjaftonin problemet e veta, shqipatrët do të trajtoheshin edhe si pro e kundër, në betejën për pushtet midis Gulenit dhe Erdoganit. Puna po shkon deri te gjuetia ndaj “gulenistëve shqiptarë”, sikur të ishin zyrtarët e vilajetit të Shkodrës, pa marr parasysh faktin se ata zyrtarë kujtojnë me të drejtë dhe duhet të këmbëngulin për ruajtjen e sovranitetit të shtetit të tyre.

 

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.