M’u kujtue ai vjet në Vjenë kur shkuem për pushime.
Mua m’u pat shkrep n’krye me i qeth flokët e kur ta thashë ti ja shkrepe nji të qeshunet me gajasje. Mandej të nesermen kur u ktheve prej punet më gjete tullë. Ti pashë sytë qi tu njomen nji çast prej se ti përherë i ke dasht flokët e mia të g’jata por mandej tue kenë se ke premtue se ke me m’i dasht tana marritë e mia, qeshe me të madhe, hoqe këmishen e djersitun dhe u fute në banjo. Mbas pak minutave dole tullë edhe ti e bame fotografi derisa u lodhme.
Njaty nga darka kur u shtrimë me fjetë, njashtu në terr veç nan driten e hanës, e theva heshtimin tue të pvet n’se ishe merzit me mue e ti mu gjegje me za të ambel si fllad paqeje, qi me dasht prej së vërteti dikand don me thanë me e dasht në tana stinët e shpirtit tij e në tana motet e mëndjes tij.
M’zuni gjumi tue ndie doren tande mashkullore qi m’ledhte kryetin tëm tullë. Në andërr pashë vedin tue vallzua në nji kopsht trandafilash e ti qi shkruejshe diçka për mua. Me siguri qi ti m’dojshe kaq shumë prej se dijsha me u çmënd e me ardh prapë në vedin si kurrkush tjetër. Se ti m’thojshe shpesh qi gratë normale nuk kanë asgja terhjekse, se ishin të merzitshme, se çmendunia eme ishte urtia e unjillit tand.
Të nesermen duelme shetitje te kopshti i trandafilave dhe sytë na shkuen tek dy emna, Patrick und Ruth. Nji kujtim i gdhëndun në kohë. Deshta edhe vetë me shkrue ëmnat tonë por mu drithnue trupi kur mendova se edhe na mujshim me kenë nji ditë veç nji kujtim e kshtu tu luta me ik prej aty …