3 B-të e politikës!
Shkurt 2011 (botuar në gazetën Tirana Observer 17mars 2011)
Deri tani kemi lexuar shkrime të ndryshme që na nxjerrin në pah pikat e përbashkëta midis Kryeministrit Sali Berishës dhe figurave autoritare, si të egjiptianit Ben Ali dhe Gadafit të Libisë.
Kryeministri ynë ka shumë arkiv në rrjedhën e ngjarjeve të vendit dhe nuk ka aspak për zili as figurave të mëdha politike të skenës botërore. Veprimtaria e tij ka qenë shumë aktive njëzet vitet e fundit, dhe do të ishte me vend te lexonim diçka që ti jepte kësaj figure përmasën e duhur në piedestalin e politikës vendase dhe asaj botërore (me atë ëndërr jeton, dhe ne atë makth përjetojmë).
Është e rëndësishme të themi se ky individ ka monopolizuar historinë shqiptare dhe është në garë jo vetëm me Skënderbeun dhe Ismail Qemalin, por dhe me vetë Shqipërinë, e cila ekziston sepse ekziston Ai! Një figurë kaq pompoze, dinamike, plot energji, (pozitive-negative s’ka rëndësi) meriton të trajtohet me respektin dhe madhështinë që i takon. Psikoza e tyre, komunikimi, gjuha e trupit, që shpesh herë është në kundërshtim me ato që duan të shprehin, reflektimi i tyre na sjellin në vëmendje dy figura të politikës botërore: Xhorxh Bush i 2-të dhe Silvio Berluskoni.
Në pamje të parë vëmë re një element që ëshë iniciali i përbashkët i mbiemrit të tyre, germa “B”: Bushi-Berluskoni-Berisha. Të tre e quajnë veten se janë politikanët më të popullarizuar në vendet e tyre.

Bushi i 2-të erdhi në pushtet vetëm se ishte djali i ish-presidentit Xhorxh Bush. Ai mendonte dhe besonte se zgjuarsia, dinakëria, inteligjenca, ishin të trashëguara në maksimum dhe s’kishte nevojë për të bërë dicka për rritjen dhe kultivimin e tyre. Gjatë periudhës së qeverisjes së tij mbahet si një nga politikanët që kanë bërë gafat më të shumta në historinë Amerikane dhe si inteligjenti më i dyshimtë për inteligjencën. Nga ana tjetër Berluskoni, një politikan-biznesmen i cili në politikë ka dal në pah më shumë për gafat se sa për reformat, ose përpjekjet në politikën e vendit. Gjithmonë hapte tema e çështje për të tërhequr vëmëndjen nga situatat kritike dhe politikat flagrante, duke i shpërqëndruar ato dhe duke i fokusuar në gafat personale. Në rastin e Berluskonit do të thoshim se kemi të bëjmë me atë që thotë populli, “i zgjuar budalla”. Në rastin e tretë kemi produktin vendas, të një imituesi amator që beson thellë në vetvete se është aktor Hollivudi, ndërkoh që s’është as bollivudi. Disa batuta, që kanë mbetur në spektrin e kohës, do na e bëjnë më të mundur ilustrimin e atyre që janë thënë më lartë. Do të vëmë re sa të ngjashëm janë këta tre personalitete dhe nëse është thjesht rastësi ky element. Bushi i 2-të, gjatë kohës së qeverisjes së tij, që ishin dy mandate katër vjecare, nuk i ka shpëtuar aspak kritikave dhe shënjestrave brenda Amerikës, por jo vetëm kaq. Disa nga gafat që kanë lënë përshtypje, pakënaqësi, por dhe se si mund të fitonte dy mandate radhë. Sa më shumë mundohesh ti sjellësh afër këta tre personazhe, aq më shumë ngjajnë me njëri-tjetrin. Të tre kanë zotëruar, dhe në rastin tonë monopoluar, politikën e vendeve të tyre.
Berisha ka hipotekuar deri tani dy mandate si kryeminister (2005-2009, 2009-deri tani) dhe një mandat (1992-1997) si President. Berluskoni, është betuar 3 herë si kryeministër, 1994-1995 ishte vetëm për 1vit .
I treti i “grupit” është Xhorxh Bushi i riu, i cili u betua dy mandate, (2001-2009), por duke marrë për bazë që këto mandate janë meritë e babait të tij (1998-1993), mund të themi se në total janë tre mandate. Deri këtu është pak a shumë e qartë tablloja e përbashkët jo vetëm te inicialet, politikën e djathtë që përfaqësojnë, predikojnë, mbështesin gjithashtu dhe qëllimin e tyre të përbashkët, për të mos lëshuar kollaj halinarët e historisë. Ëndrrat e tyre vazhdojnë dhe janë kthyer në makthin e njerëzve që udhëhiqen prej tyre.Është interesante akoma dhe një detaj tjetër: pjesmarrja e popullsisë së votuesve në vëndet përkatëse. Të gjithë dimë se në një vend demokratik udhëheq ai që ka mazhorancën. Pjesmarrja në USA gjatë votimeve parlamentare të vitit 2000, me fitues Xhorxh Bush e 2-të ishte 54.7%, dmth pak më shumë se gjysma e popullsisë. Në Shqipëri shifrat prekin vetëm 40% (duke marrë parasysh dhe emigracionin që e ben më pak të mundshme pjesmarrjen), na jep mundësinë të mendojmë se pakica zotëron mazhorancën (shumicën), e kundërta nga ajo që kemi mësuar për pluralizmin në thelb të saj.
Në rastin e Italisë, vetëm 59.1% e popullisë votuese morën pjesë në votimet e përgjithshme. Analiza e këtyre shifrave nuk është synimi i këtij shkrimi, thjesht përmendet për të bërë të qartë se jetojmë në një kohë që mospjesmarrja në votime, e dëshifruar në mënyra të ndryshme, është një sinjal alarmant për shoqërinë. Por, në rastin tonë e marrin si sukses maxhorancat që mund të quhen minoritet i shoqërisë sesa forca që ka dëshirën e popullit. Dhe sikur nuk mjaftojnë këto kemi edhe personalitet “B” që triumfojnë suksesin e tyre dhe vënë diktaturën e të paktëve. Kjo ndodh sepse shumica e vërtetë ndihet e lodhur nga humbjet e padrejta, nga vjedhja e votës dhe e besimit të elektoratit, është zhgënjyer, indinjuar, vazhdojnë ti tallin me vendimet e tyre shpesh herë qesharake të pallogjikshme të pabazuara në argumente.
Midis të tjerave kanë dhe dicka tjetër të përbashkët gafat që bëjnë me ose pavetëdije në skenën politike vendase dhe atë botërore. Në përpjekjen për të mbledhur materialin e duhur për këtë shkrim ajo që më ka krijuar një mosbesim ishin gafat e kryeministrit tonë. Mungesa ime në jetën dhe pjesmarrjen në vend për vite me radhë më jepte të drejtën e alibisë, si e pa informuar, por dhe në shumicën e rasteve e keqinformuar. Ndjesia e vështirësisë për tu besuar çdo frazë ose gafe që lexoja në biblotekën elektronike më zotëronin shpesh herë, sidomos kur shprehje dhe “margaritarë” të tillë ishin shqiptuar nga goja e përfaqësuesit të qeverisë dhe shtetit tonë. Për tu siguruar u mundova të kërkoja ne arshivin e shkrimeve dhe videove për të zhdukur dhe të vetmin dyshim.
Kategoritë në të cilat mund të grumbullohen gafat e të treve janë disa, si psh: gafe politike (vendase dhe atë botërore), gafë me fëmijet, gafë me gratë, gafë në takime me të huaj, gafë me opozitën, gafë fushatë elektorale, gafë në parlament, gafë në mbledhje qeveritare… Gafa, gafa….gafa!
1. « Maj 27, 2009, 7:11 »
– “I ftoj qytetarët shqiptarë të praktikojnë sa më shumë biçikletën duke i garantuar se është shpikja më e madhe që njeriu ka bërë.” Sali Berisha
– Kam ardh kėtu, me u perqafu me Shalën e Lirisë! Sali Berisha gjatë një vizite në fshatin Shalë.
-“Ju jeni dëshmitarë se sa vuajtën qytetarët e fshatrave të Kukësit.”-Sali Berisha
– Qytetarë të nderue të Beratit kur të vimë ne në pushtet do ta bojmë Beratin qytet bregdetar!! Sali Berisha gjatë një mitingu në Berat
– Jam i gzum që morr pjes në hidhnimin tuej. Sali Berisha ngushëllon familjen e një polici.
– Ju jeni e ardhmja e Shqipërise, në vizitën e shtëpisë së fëmijeve me të meta mendore në Elbasan.
– Gëzue Koknkollën, dallnyshen e parë të Kaptalizmit në Shqipnie. Përurimi i fabrikës së Coca-Cola.
– Ersekarë dhe Ersekare! : Sali Berisha (duhej të thotë “Kolonjarë!”)
– Azem pishtari, – Hajdari i demokracisë! (Turma, nja pesëdhjete veta: “Urraa”)
3. Gafat e Xhorxh Bush 2-të,
– ”Unë jam vendimarrësi, dhe Unë vendos çfarë është e mira. Dhe më e mira është për Don Rumsfeld të qëndroj në pozicionin e Sekretarit të Mbrojtjes.” Washington, D.C. April 18, 2006
– ”Unë di se çfarë besoj, unë do vazhdoj të artikuloj se çfarë besoj dhe çfarë unë besoj. Unë besoj çfarë unë besoj është e saktë (drejtë).” Romë, Italy, July 22, 2001
– ”Për çdo gjuajtje fatale ishin me vështirësi tre jo gjuajtje fatale. Dhe, kjo njerëz nuk është e pranueshme në Amerikë. Është e papranushme dhe ne do të bëjmë diçka për këtë. ”Philadelphia, Penn., May 14, 2001
– ”Familja është burimi i shpresës për popullin tonë. Aty ku krahët marrin ëndrra.” LaCrosse, Oct. 18, 2000
– ”Unë dua thjesht që të jeni në dijeni, se kur ne flasim për luftë, ne në të vërtetë flasim për paqen” -washington, D.C. June 18, 2002
– ”Unë do kem ikur deri sa disa njerëz vërtet inteligjent të kuptojnë çfarë ka ndodhur brënda në Zyrën Ovale” washington, D.C., May 12, 2008
– ”Unë besoj se Zoti flet nëpërmjet meje dhe nga brenda meje, pa atë nuk do mundesha të bëja dot punën time”. – në një takim me Amish (fetarë-besimtarë). Uashington- 2002
– ”Tani më e rëndësishme është të gjejmë Osama Bin Landen. Ky është prioriteti ynë dhe nuk do të reshtim së kërkuari për të. ” washington, D.C., Sept. 13, 2001
– ”Unë nuk di se ku është Bin Landen. Nuk kam asnjë ide dhe vërtet s’më intereson. Nuk është aq e rëndësishme. Nuk është prioriteti ynë.” Ëashington, D.C., March 13, 2002
– ”Unë jam në Komandë, – e sheh! Unë s’kam nevojë të shpjegohem. Unë s’kam nevojë të shpjegoj përse them disa gjëra. Kjo është më interesantja kur je President.”
Nuk po vazhdoj me “margaritarët” që kanë nxjerrë këta ”burra shteti” gjatë qeverisjes, por vëmë re shumë gjëra të përbashkëta. Fjalori i tyre i cunguar, i përkufizuar dhe i paqartë në disa raste dhe i çoroditur. Ajo që duhet të jemi të kujdeshëm të dallojmë individë që lozin rolin e shpëtimtarit të historisë dhe pseudomesiat që mund të kenë ndryshuar vetëm veshjen, por për fat të keq predikojnë dhe bëjnë politikën pa programe të përcaktuara, pa tabllo të qarta, thjesht fol keq ndaj kundershtarëve dhe kjo është e mjaftueshme. Politika botërore është në një krizë identiteti, nuk di askush cili është, çfarë është, çfarë bën, çfarë plani ka, ku po venë, si duan të arrijnë aty ku duhet të arrijnë. Cila është rruga e përshkruar, çfarë humbjesh ka pasur, e shumë pyetje si këto. Shoqëria është thjesht individi i shumëzuar, që do të thotë në të njëjtën kohë dhe problemet, ankthet, streset, planet, ëndrrat, prioritetet, programet janë të shumëzuara në shumëfish. Këta tre individë janë për fat të mirë , apo të keq, shembulli më i qartë i një shoqërie në një psikozë shumë të rëndë. Janë ata individë që do e bënin suksesshëm rolin e argëtuesve në ambjentin shoqëror, ku me gafa dhe shprehje të tilla edhe mund të qeshje pa merakun e vogël. Ajo që vihet re është një shoqëri që në vetvete ka rënë, nuk funksionon, nuk reziston, nuk jep rezultate.Politika e ndjekur nga të gjithë liderat është me nuanca vetëshkatërruese, duke na nxjerrë në pah një shoqëri që vuan. Çdo inivid duhet të bëjë përmbledhjen dhe raportin e së shkuarës dhe të analizoj mbi to, duke nxjerr në pah problematikat, pikat e dobëta, pikat e forta, të shohi ku duhen përmirësime dhe të ngrej strategjinë për të vazhduar, po ashtu dhe një shoqëri ka nevojë për një analizë dhe dializë të tillë. Kjo ndodh vetëm kur njerëzit reflektojnë në hapësirën e tyrë personale, kur fillojnë të besojnë dhe të kënë respekt sërish tek vetja, tek ato vlera të mohuara nga politikat e bëra deri më sot. Mos lejoni pseudomartirët t’ju heqin të drejtën e të mënduarit, të besuarit, së kërkuarit, mos bini në kurthin e besimit dhe mos krijoni idhuj të paqenë.