Rrëfimi i komunistes së orëve të fundit.
7 JANAR 2016
Vendosa të shkruaj këtë rrëfim për të treguar edhe një herë që nuk ndryshojnë shumë historitë tona të popullit të thjeshtë në përpjekje të gjetjes dhe përcaktimit të vetes në ndërgjegjsimin dhe formimin politik. Marrë shkas nga pseudopolitikanët tanë dhe elita e rreme e vendit të cilët në këtë çerek shekulli kanë bërë të mundur të bëjnë karrierë me përrallën e ish pseudokomunistit të flaktë që u shndërrua në demokratin disident, ish i burgosuri kriminel u shndërrua brenda natës në shpëtimtarin pa kauzë e ide.
Ky realitet i përçau njerëzit si kurrë më parë dhe diku në këtë rrëmujë ndodhesha unë duke u munduar të bëjmë asgjë në asgjënë politike të deformuar. Të gjitha figurat politike të elitës së rreme çuditërisht kaluan nga komunist në partitë e tjera për një kockë e një post, kështu diku vërdallë mundohesha dhe unë të formoja identitetin tim politik.
Do mundohem shumë shkurt të bëj një rrëfim të vetes sime duke filluar nga viti 2006 -2007 në zgjedhjet e studentëve të zhvilluara në universitetin privat që ndiqja në Athinë dola e dyta në varësi të votave dhe u vendosa me votë të kryesisë së zgjedhur nënkryetare e studentave.
1. Kontakti me PD dega Athinë.
– Ky rezultat solli një jetë më aktive si në jetën studentore dhe atë jashtë universitare. Kështu që nëpërmjet një mikut tim gazetar me inicialet K.V. u shtua interesimi prej palës tjetër për t’u angazhuar me degën e PDsë në Athinë me kryetar të atëhershëm zotin me inicialet L.M.
Nga takimi u la që të jem thjesht një mike, simpatizante e ideve demokratike sesa të anëtarësohesha në atë parti për të cilën unë personalisht nuk ndjeja përfaqësim politik. Në bisedën e zhvilluar ndër të tjerash më kujtohet, m’u kërkua të jepja një foto e të plotësoja një kërkesë për t’u anëtarësuar e kështu mund të bëhesha kollaj përfaqësuese e Gruas dhe e Rinisë emigrante. Përgjigja ime në atë kohë ishte me humor e batuta ndër të tjerash si;
– ‘kur ky (salushi- iu drejtova me sy portretit të varur në mur) që keni me duar të fëlliqura në portretin e murit të zyrës të heqi dorashkat e korrupsionit dhe t’a hiqni nga kryetar, atëher do anëtarësohem në partinë tuaj’.
Kjo përgjigje bazuar në fushatën e tij gjoja antikorrupsion me duar të pastra, sigurisht që salushi s’i bën vetë pislliqet ka të tjerë që i fëlliqin duart për të. Doktori fundja s’i ndyn kurrë duart pasi mban dorashka si detyrim profesional si e ashtuquajtura krimi i kollareve të bardha.
Me njerëzit e anëtarët e degës Athinë mbajmë akoma e kësaj dite relata të mira. Sa herë që kërkohej ndonjë ndihmë konkrete të problematikave të ndryshme dhe në nivel konsultimi nuk kursehesha, sepse ndihma është njerëzore nuk është me parime e ngjyra politike, sigurisht brenda mundësive dhe hapësirave, sidomos kur je emigrant dhe shikon tërësinë e shqiptarizmit dhe jo vetjaken partiakopolitike.
2. Kontakt me LSI dega Athinë.
– Pas kësaj eksperience pas disa muajsh im atë Petriti (Petro) më kërkoi të uleshim të bisedonim për një çështje. Im atë si bashkëfshatar i shumë anëtarëveve të kryesisë së partisë LSI u angazhua me krijimin e degës së Lsi-së në Athinë me disa shokë e miq të tij emigrant skrapallinj. U ulëm si atë e bijë dhe më kërkoi të shkonim te zyra e degës së Lsi, e cila ndodhej në një ndërtesë në qendër të Athinës për pozicionin e kryetares së forumit të rinisë së Lsi në Greqi. Marrëdhënia që kisha me tim atë ishte e veçantë, unë personalisht i kisha thënë mendimin tim për këtë parti fraksion të së majtës dhe idenë, bindjen time për fraksionistët politikë. Megjithatë nuk doja t’a mërzisja, mundohej kaq shumë për mua dhe të më përmirësonte, shtonte mundësitë e suksesit edhe në fushën e politikës. Vendosëm të takoheshim e të bisedonim në mënyrë që t’ua jepja vetë përgjigjen, por im atë nuk e fshehte dëshirën se mbase ndërroja mëndje deri në momentin e fundit. Hipëm shkallët e pallatit dhe u gjendëm te zyra e degës së LSI, aty pasi u mblodhëm të gjithë diku 5-6 veta u ulëm dhe hapëm bisedën. Unë pasi dëgjova qëndrimin e tyre, kërkesat dhe mundësitë që ofronin, mora fjalën duke u drejtuar nga im atë i ulur në të djathtën time. Pasi e falenderova që ishim së bashku deri në atë moment dhe mundësinë që më dha drejtohem nga kryetari emrin e të cilit nuk më kujtohet duke i thënë:
– Në radhë të parë më lejoni t’ju pyes nëse keni të ngritur ndonjë strukturë, a keni të rinj që interesohen që besojnë në partinë tuaj.
– Kryetari më tregoi një listë me emra, numra telefonash dhe adresa elektronike dhe mu drejtua me fjalët, – shtojmë ata të rinj që keni ju në universitet dhe njohjet tuaja do ishte një fillim i mbarë të ngrihej dega e rinisë, si thua, Genta?
– Unë ju falenderoj për besimin, vlerësimin tuaj për të ngritur e organizuar një strukturë të re pjesë të partisë suaj. Personalisht nuk mundem t’a pranoj këtë sfidë do ishte e papërgjegjshme nga ana ime ndërkoh që unë po mundohem e kam në plan të iki në Angli.
– Por, deri atëherë mund të merresh nëse dëshiron.
– Në këtë periudhë kam përparësi të tjera, dhe s’do ishte diçka serioze nga ana ime të marr diçka përsipër e t’a lë në mes, nuk më karakterizon diçka e tillë.
Pasi e mbyllëm bisedën në mënyrë të civilizuar, mund të them se u përmbajta për shkak të tim ati. Mendimi im dhe përgjigja ime ishte tjetër, por lidhja me tim atë më shtyu të mos u them se:
– “unë nuk mund të jem me një parti e cila s’ka asgjë ndryshe për ti dhënë elektoratit, por përkundrazi fakti se likja është nga skrapari nuk mjafton të bëhem pjesë me të vetmin argument krahinor e aspak përparimtar e parimor. Kjo parti mua s’më përfaqëson dot, por bëhet për interesa të pastra vetjake, krahinore dhe s’ka asgjë ndryshe nga partia demokratike. Parimi i tyre është përça e sundo, e unë s’dua të jem pjesë e kësaj loje.”
– Një incident gazmor dhe paksa i sikletshëm ishte kur për festat e 28/29 Nëntorit në hotel Titania u bë një aktivitet i organizuar nga ambasada jonë në Athinë për ardhjen e presidentit të atëhershëm z. Topi. Në atë fazën e takimeve dhe prezantimeve të të ftuarve ishte edhe një fazë ku anëtari i kryesisë së lsi-së krekoset te kryetari i degës së pd në Athinë për kryetaren e gruas dhe rinisë së tyre, ashtu si edhe ky i fundit i thotë se kanë një përzgjedhje mjaft të mirë duke pasur mua në mendje. Momenti kur gjendemi të tre përballë njëri tjetrit dhe ata mundohen të më prezantojnë secili si përfaqësuesen e tyre përpara tim eti ishte një moment argëtues. Çast më gazmor nuk kisha kaluar në jetë, ndërkoh që u shkëputa me lezet duke u thënë,
– mos u zini kot, se unë s’ju kam premtuar asgjë. Mbrëmja vazhdoi e këndshme me gjithë festimet e saj nën himnin kombëtar.
3. Numëruese e koalicionit të djathtë (PD +partit e vogla, qershor 2009)
Pas ikjes sime në Angli kontaktet me njerëzit në atdhe dhe në Athinë ishin të përditshme.
– Në zgjedhjet e 2009ës dhe me kërkesën e një të njohurës sime Manjolës dhe kryetarit të PDK-së degës Durrës M.A. për të numëruar dhe mbrojtur votën pasi kandidoi për deputete me pdk e dyta në Durrës. Telefonata e tyre më zuri rrugës duke shkuar për në qendrën tregtare të Portsmuthit. Ishte një surprizë që nuk e mohoj dhe ndoqën edhe disa telefonata për të më bindur në pjesmarrjen time si numëruese në pallatin e sportit.
– Ardhja ime në 2009ën ishte kontakti im i parë me zgjedhjet si numëruese e koalicionit të djathtë, por që akoma edhe sot e kësaj dite nuk u pagova për shërbimin e kryer që detyrohet me ligj. Pjesëmarrja si numëruese bëri që mos të votoja dot atë vit pasi duhej brenda ditës të shkoja në Berat e të kthehesha në një kohë që nuk e dija se në cilën kzaz votoja pasi kisha 17 vjet larg vendit dhe larg përgjegjësive, detyrimeve të mia si qytetare.
– Në zgjedhjet lokale të 2011ës u njoha me PKSH-në dhe Hysni Milloshin që kandidoi i vetëm, sepse socialistët e moderuar me në krye antikomunistin, piktorin, basketbollistin, politikanin e dështuar edin, refuzuan të pranojnë në koalicion një idealist duke e ofenduar, injoruar e krekosur si arritjen e tyre madhështore. Nuk mjaftonte kjo, por morrën pjesë dhe në përbaltjen e emrit të tij si bashkpunues i pd kundra ps.
Ky ishte kulmi i skenareve që përhapën në media së bashku me aleatët e tjerë pd, lsi, duke e akuzuar haptas dhe fshehtas për marrje ryshfeti për pjesmarrjen në zgjedhje. Një poshtërsi e ndyrë nga ana e liderëve të skenës politike në mënyrë që t’a zhduknin nga arena politike.
4. Pjesmarrja në Akademinë Politike nr. 2.
– Në fillim të 2012ës krejt rastësisht lexova një lajmërim në facebook për aplikimin në Akademinë Politike 2 që organizohej nga Fondacioni Gjerman në bashkëpunim me Partinë Socialiste. Aplikova dhe kalova intervistën duke u përfshirë në 30 personat e përzgjedhur për të ndjekur akademinë në Durrës përgjatë fundjavave nën mbikqyrjen e deputetit të PS me inicialet S.T. dhe stafit të përzgjedhur prej tij.
Eksperienca ishte e vyeshme pasi nga aty dolën disa nga idetë për ndryshimin e programit të PS për t’u bërë sa më efikas, real dhe i prekshëm për qytetarët. Gjithashtu u shtuan njohuritë më konkrete në çështje të fushave të ndryshme si problemet juridike, financiare, të politikës së brendshme dhe ato të jashtme.
Një kurs politik shumë efikas dhe i dobishëm duke m’u realizuar dëshira ime dhe për ‘studime politike’.
– Çfarë nuk shkoi mirë në këtë akademi ishte sjellja arrogante, e papërgjegjshme e personave kryesor.
Në një kërkesë për mbledhje u mblodhëm në zyrën e mbledhjeve te Selia e PS duke na lënë në pritje prej 3orësh. Kjo sjellje nuk mund të anashkalohej kaq thjesht dhe në momentin që u shfaq deputeti S.T. u ulëm ballë për ballë të tavolinës oval dhe pasi filluan lëpirjet, falenderimet e stilit albanistanez të njerëzve pa shtyllë kurrizore nuk m’u durua dhe kërkova fjalën, duke thënë si më poshtë:
– ‘Në radhë të parë nuk mund të na silleni sikur jemi njerëz të kategorisë së tretë, kur lihet takim në orën 17:00 nuk mund të vini në orën 19:30 sikur asgjë s’ka ndodhur. Ne jemi këtu se besojmë në diçka dhe nuk mund të na shkelni në këtë mënyrë se edhe ne kemi jetët e programet tona. Meqënëse asnjë nuk flet për problematikat që jemi mbledhur sot, unë personalisht jam më e priviligjuar nga ju simpatizantët e ps dhe të pd të cilët më ‘futën’ në punë. Mund të isha atje sot, por preferova të jem besnike vetes dhe parimeve të mia dhe prandaj gjendem këtu. Nëse do donim të kishim mini salusha e mini xhozefina do ishim te pd, por erdhëm këtu se besojmë në diçka ndryshe. Më pas u futa në çështjet/problemet për të cilat ishim mbledhur.’
Ajo që dua të theksoj është se si këtu edhe në Athinë njerëzit kanë frikë të flasin të shprehin diçka para kryetarëve. Servilizmi dhe gjunjëzimi deri në këtë pikë bën që të kenë një jetë kaq mizore sepse e meritojnë atë që u ka bërë klasa politike prej çerek shekulli.
Nga ai moment isha në shënjestër të deputetit me iniciale S.T., por unë vazhdoja si koordinatore dhe çdo detyrë që merrja përsipër mundohesha t’a realizoja.
5. Kandidimi me PKSH-në koalicion me PS-në, 2013!
– Pas kësaj erdhi oferta nga Zhdanovi S. (përgjegjës për propagandën e PKSH), bukpjekësi te kompleksi ku banoj, i cili pas vëzhgimeve të tija u bind dhe më bëri një ofertë për të kandiduar me PKSH në zgjedhjet e 2013ës. Nuk i premtova, por ramë dakort të mendohesha e të bisedonim sërish. Në takimin e radhës në pamundësinë time t’i refuzoja haptas një njeriu të thjeshtë, idealist, i përzemërt (duke e bërë pak më të vështirë nga ana e tij për të më pranuar duke vënë kushtet e mia, 1) të jem e para në Qarkun e Tiranës, 2) koalicioni me ps do jetë taktikë për t’u futur në zgjedhje, por dhe në favor të asaj që doja të arrija largimin e sali berishës nga pushteti. Vura në dijeni deputetin S.T. i cili në tel mu kthye me një arrogancë dhe ton ofendues:
– çfarë pret, të të jap leje?
– Unë leje nga ty s’dua, thjesht të njoftoj mos t’a marrësh vesh në mënyrë tjetër.
Ai u përgjigj : secili bën çfarë është më e mirë për veten.
Sigurisht, por ne duhet të punojmë sesi ti japim vlerë çdo vote kundra saliut, megithatë faleminderit për bisedën.
– Nga ky moment që PKSH dhe kryetari i saj Q.C. pranuan në mënyrë vetëmohuese unike për realitetin vendas, kërkesat e mia, i’u futëm një lufte të padrejtë në arenën politike. Nuk kishim iluzione, por prisnim të konfirmonim gjithë anëtarësinë, simpatizantët tanë në votime. Ajo që ndodhi ishte si gjithçka që ndodh në vend.
– I.M. kërkoi një takim ndërmjetësues me djemtë e H.M ish kryetarit të PKSH-së pasi ishin në dijeni për pjesmarrjen aktive të tyre dhe e panë si rrezik të mundshëm për votat. Djali i H.M me inicialet R.M. përveç mbështetjes dhe përkrahjes pa kushte gjithashtu më informonin për çdo gjë dhe ne këshilloheshim bashkë dhe më pyeti, nëse kërkojnë diçka nga Lsi çfarë përgjigje t’u jap?
Përgjigja ime ishte:
‘bashkpunimi i vetëm është: secili të tregoj fuqitë e veta reale në zgjedhje. Secili nga ne do votat dhe përkrahjen e elektoratit të vetë’.
Fushata u bë në mënyrën më të bukur, përkrahje e jashtëzakonshme nga njerëzit e thjeshtë kur lëviznim nëpër rrethe, lagje e rrugica.
– Zgjedhjet u zhvilluan, mbanim kontakt me kryetaren e fresh E.S. dhe R.M. nëpërmjet sms-ve përgjatë numërimit të votave te njësia 5. Çuditërisht sms ishin shumë inkurajuese vetëm te 5 kishim një numër të madh votash kalonin mijëra vota, por në kërkesën këmbëngulëse për kopjen e proçesverbalit akoma dhe sot e kësaj dite nuk n’a u dha.
– Një tjetër lajm inkurajues ishte gazetari i Topchanel i cili në qendrën numëruese në Shkodër përmendi fjalët: “fenomeni i një vajze të panjohur nga Partia Komuniste e cila ka në çdo kuti të paktën 1votë’. Ky gazetar u zhduk dhe as u bë më fjalë për votën e PKSH-së, por çuditërisht në skemën kombëtare KQZ e tregon PKSH me disa qindra vota. Kjo është vjedhja ndaj qytetarit të thjeshtë, të pakorruptuar ai që s’do të jetë pjesë e pislliqeve të pseudoelitës sonë.
6. Shënjestrimi, luftë personale në listë të zezë nga S. T!
– Pas kësaj eksperience u vura në shënjestër nga S.T. i cili akoma dhe me ndërhyrjet e deputetit P. M. për të më punësuar duke u bazuar në cv-në time jo shumë të varfër bllokonte çdo hapësirë dhe më kishte në listë të zezë. Ky deputet i ps i vetmi që ruaj respekt për vlerat njerëzore që përcjell, të vlefshme për politikën shqiptare dhe shembull sesi duhet të jenë politikanët e ardhshëm në vend. Shumë e vështirë të rrish i paprekur nga jashtqitja, maskarallëku, krimi, korrupsioni e ky individ për mua mbetet njeriu stoik i pandryshueshëm, i qëndrueshëm mbase i parezultat për burgosjen e salushit, por s’mund të jemi perfekt.
Nëpërmjet këtyre rreshtave doja të lehtësoja dhe të rrëfeja te ju eksperiencën time të kalimit sa andej këndej në realitetin albanistanez.
Gjithsesi po ja jap vetes këtë mundësi rrëfimi të së vërtetës sesi në kalimin e kohës kalova nëpërmjet partive, eksperiencave të ndryshme deri sa gjeta veten. Shumica e njerëzve në ditët e sotme konvertohen në demokrat, lsi-sta, socialista, neofashista shumë më lehtë për një rrogë e pak pushtet, ndërsa unë nga ana tjetër konstatova se ato parime që i kam për veten dhe shoqërinë që dua të jetoj përputhen e gjenden në filozofinë dhe ideologjinë komuniste. Nuk e di nëse i mbush kriteret për të qënë komuniste, por di që kam bërë shumë armiq, kundërshtarë të përbetuar, por më mirë të them mendimin e të vërtetën duke shtuar armiqtë, sesa servile e gjunjëzuar pa shtyllë kurrizore.
Nëse dikush dëshiron të jetoj sipas ligjeve, përgjegjsisë, ndershmërisë, meritave, përpjekjeve, sakrificave, atdhedashurisë, dinjitetit, eksperimentimeve dhe quhet komunist, atëherë po, jam komuniste dhe ju fashistat e rinj.
Genta Kaloçi Skënderi