“. . . ME NDER, . . . NJË M..T DO TË BËNTE MIT’HATI YNË!”
Mbrëmë, po ndiqja një video që fliste për Ushtrinë tonë Popullore të periudhës së Socializmit, për fortifikimet dhe për Bazën Luftarake të Pashalimanit në Vlorë. Kjo më nxiti të kujtoj një episod që ma tregonte i ndjeri Hysni Milloshi, Kryetari i Partisë Komuniste të Shqipërisë.

. . .
“U ndodha në Vlorë, në ato ditë kur PKSH ishte nxjerrë jashtë ligjit nga “diktatori i demokracisë”, Sali Berisha, – e nisi tregimin Hysniu. – Pas një nate “inkonjito” tek bazat tona komuniste të qytetit, diku në një klub të thjeshtë, zura një tavolinë dhe porosita një pilaf, si me ngut, sepse do të nisesha me tren për Tiranë. Përballë, në një tavolinë katërkëndëshe u ulën pesë burra të moshave nga mesatarja e lart. Ata porositën kafe e pije dhe nisën muhabetin, me zë të lartë e të sigurtë, ashtu siç dinë të flasin vlonjatët. Sapo këmbyen ligjëratat e para, e mora vesh se ata ishin që të gjithë anëtarë të Partisë së Ballit Kombëtar, ose më e pakta simpatizantë të saj.
Pas nja dhjetë minutave, njërit nga më të moshuarit, i tërhoqi vëmendjen prania ime e vetme dhe pilafi gjysëm i mbaruar mbi tavolinë, çka binte në kontrast me kafet e pijet e tyre.

I moshuari, rrotulloi paksa karriken nga ana ime dhe m’u drejtua, si të ishte prokuror:
-Po ty, mor mik, nga të kemi?
-Andej nga veriu, – belbëzova unë me gjysëm zëri, i sigurtë se edhe po të gënjeja, do të më kuptonte në dialekt.
-Pa na thuaj, me cilën parti jeni ju nga veriu? – ngulmoi i moshuari, që nuk m’i ndante sytë për asnjë çast.
Pas një hezitimi, ia ktheva: – Ajo partia ime tashmë ka vdekur .
-Nashi, edhe të vdekur, na e thuaj si quhej, a i vrarë, – ngulmoi për të dytën herë bashkebiseduesi.
E pashë se ai nuk do të më shqitej pa ia treguar, ndaj, pasi kapërdiva dhe lugën e fundit të pilafit, i thashë. Partia ime ishte ajo e Punës . . .
Të pestë vlonjatët e tavolinës përballë kthyen kokën drejt meje, a thua zbuluan ndonjë kafshë prehistorike . . .
-Po, mirë, mor mik, po na thuaj nashi, ç’të mira kishte ajo parti? Pse ti ishe me të?!
Kërkesa e tij dhe shokëve që e shoqëronin, ishte si një urdhër i prerë, të cilit nuk mund t’i bishnoja. U mendova paksa, dhe pasi fshiva buzët me një letër-pecetë, fola:
-Unë isha me Partinë e Punës se në krye të saj ishte Enver Hoxha, i cili bëri një gjë që rrallë burra mund ta bëjnë.

-E çfarë bëri ai diktator, pa na thuaj . . ., – foli gati me kërcënim njeri prej tyre.
-Po, ja, i përzuri sovjetikët nga Baza e Pashalimanit, duke iu mbajtur edhe katër nëndetëse e disa anije luftarake . . . .
Tek tavolina e ballistëve ra heshtja. Unë përfitova dhe shtova në formë pyetje:
-Po ju pyes: po të ishte Mit’hat Frashëri juaj në krye të qeverisë, a do mund ta bënte atë që bëri Enver Hoxha në vitin 1960?!
Pyetja ime u ra si bombë. Për disa sekonda heshtën. Ai që kishte nisur i pari debatin me mua foli shkoqur:
-Ke të drejtë mik . . . Mit’hadi ynë, me nder do të bënte . . . një mut?!
. . .
Këtu u mbyll debati, por jo muhabeti. Ata ngulmuan dhe unë u tregova se kush isha. Nuk më lanë të largohesha, pa kthyer një gotë raki me ta. Pastaj njëri prej tyre më përcolli gjer tek stacioni i trenit.
———————————————-