Kushrinit tem Gjon Martin Prelës
Burrë i mençëm e daí,
Vjershator e lojnaxhi,
Pak i gjendej shoqi i tij
Si prrallaxhuer e bejtaxhi.
I vogël kjesh kur t’njofta ty,
Por ama jam kenë me fat,
Portretin tand e kam ndër sy,
E vjershat tueja i kujtoj sot.
Se shumë vite kanë kalue
Edhe pse gja t’shkrueme s’ke lanë,
Prapë na s’kena me t’harrue,
Se ishe Fishta i fshatit tonë.
Isha fmijë kur e kam njoftun, plak i meçëm, i urtë e prrallaxhuer.
Ndër t’parët që ka ditë shkrim e kndim. Kur ndokush donte t’shkruente apo t’lexonte ndonji letër, shkojshin ose thirrshin Gjonin.
Shquhej për vjershtor e bejtaxhi e krijimet e tij humoristike recitoheshin prej fshatarëve.
Gjoni i shkruente vjershat në copa letrash, i paloste e i lshonte rrugës, kalimtarët i gjenin i lexonin e i msonin përmendësh. Ata e dinin se kush ishte autori, sepse askush tjetër nuk dinte me shkrue aq bukur!
Edhe unë tuj ndigjue vjershat e Gjon Martinit fillova ta shpotis (imitoj) kushrinin tem.
Sigurimi i Shtetit filloi të dyshonte te Gjoni e nji ditë ata t’partisë e thrrasin në zyrë.
I deleguemi që kishte ardhë prej nalt e pyeti:
-Gjon, a po t’pëlqen komunizmi?
Gjoni iu përgjigj:
-Me m’pasë thanë del e merre te Harku i Berdicës, s’kisha dalë me e pritë, por tash që na e keni prue ju, i mirëboll asht!
Nji herë tjetër e thrrasin Gjonin n’nji familje me iu lexue nji letër që jua kishte çue djali prej ushtrijet. Fillon Gjoni me lexue letren: – Të dashtun prindtë e mi, ma parë se t’marr me ju shkrua ket letër, dëshiroj që letra jeme t’ju gjejnë shndosh e mirë. Edhe unë, djali juej Luca, jam mirë si me shndet ashtu edhe me shërbimin ushtarak..etj..et.
N’fund Gjoni shton:
-Nanë, tash po due me t’dhanë nji lajm të mirë; Luca jot asht njoftë me nji vajzë nga Leskoviku. Vajza asht me përnbamje të mirë politike, nanën e ka pasë partizane, kurse babën me Ballin. Vajza asht e bukur, flok-kaçurrele, kurse babën e ka tullac e shkjepan (çalaman).
-Qyqja Gjon, çka je ka thue? -i thotë Lula, e ama e djalit!
Gjoka, baba i Lucës, qeshet me t’madhe e mbas tij edhe t’gjithë t’tjerët me batutat e Gjonit.
Nji familje kishte nji djalë t’bukur flokë kaçurrel. Nji ditë shkon Gjoni me ndej e tuj pi kafe e raki, i thotë Vitorja (nana e djalit):
-Gjon, njekyt djalë e kam t’mirë, veçse pak si t’pashndet!
Gjoni ia kthen me bejtë:
“Ba me e lá e ba me e lye,
Me i hjekë morrat që ka n’krye,
Për tri ditë kishte me kthye!
Nji ditë, te kroni i fshatit sheh nji nuse tu’ mbush ujë. Gjoni ngadalson hapin. Nusja mbush ujë, ngarkon buljerën e niset. Sa ban nja dhet hapa, hasë në Gjonin e ky i thotë:
-Pash Zoten, a po ma nep nji fije ujë, se krejt jam thá?
-mana kurrë ‘i pikë! -ia kthen ajo tuj qeshë -Qè ku e ke kronin e ulu e pi!
-Po ti si t’duesh -i thotë Gjoni -por pata qef me pi ujë për birë t’buljerës, se i paska njato shtupë të bukura!
Mbas dy ditësh, gratë tuj shkue te kroni gjejnë nji letër që i kishte shkrue Gjoni.
“Ty, moj e mira n’pikë t’mjesditës,
T’raftë e mira n’maje t’cikës,
Si s’ja dhê ‘i gotë ujë filanit,
Me buljerë tu’ u kthye prej kronit.
U rrzosh buzet e rash mbi shtrat,
Që e lè me u thâ kyt plak,
Nuk ja dhé nji gotë ujë plakut,
Ty t’raftë e mira n’kërthizë t’barkut.”
Kur isha fmijë, nji plak çdo nadje kur kalonte rrugës, më thoshte: “Si keni ndjehë, si t’ka ndjeh nusja e axhës!?”
Mue m’vinte inad me plasë.
Nji ditë e ruej plakun kur po kthehej në shpi mbi gomar e ja kndova kangën:
“Cin Malota n’shpinë t’gomarit,
S’ja gjen shokun mbas mullarit,
Cin Malota me mustakë,
Vesh-llapush e hundën e gjatë.”
Ai plaku nuk më ngacmoi mâ. Unë, si shpërblim, hangra nji t’rrahun prej babës tem, por kur erdhi në shpi axha jem, Gjoka, e kndueme atë kangë me lahutë.
Ktu filloi krijimtaria jeme:
shpullat e babës më vlejtën që unë t’mos thosha mâ fjalë të pahijshme.
Me vjershat e Gjon Martin Prelës vendosa shinat ku do të ecte treni i krijimtarisë teme.