7.5 C
Tiranë
E enjte, 30 Janar 2025

Halil RAMA – Mjeshtër i Madh

Salla e Konferencave Ndërkombëtare të FPU merr emrin e kreut shqiptar më të suksesshëm..

ALFRED MOISIU – NJË JETË NË SHËRBIM TË KOMBIT DHE PAQES

 

• Rreth 150 personalitete të nderuara, Ambasadorë për Paqe, drejtues të Federatës së Paqes Universale në nivel evropian dhe ndërkombëtar morën pjesë në një veprimtari të veçantë në vlerësim të kontributit të jashtëzakonshëm të Presidentit Moisiu për rritjen dhe zhvillimin e Federatës së Paqes Universale në Shqipëri dhe Ballkan. Surpriza e veprimtarisë ishte ceremonia e vendosjes së emrit “Alfred Moisiu” sallës modern të konferencave të Ambasadës së Paqes..

 

Me karierën e tij të shkëlqyer si pjesëmarrës aktiv në LANÇ, si ushtarak dhe drejtues i talentuar i Ushtrisë Shqiptare dhe mbi të gjitha si Presidenti më i suksesshëm shqiptar i këtij çerekshekulli, Aflred Moisiu, padyshim zë vend të veçantë në panteonin e vlerave të kombit shqiptar.
Në 95-vjetorin e ditëlindjes, personalitete shqiptare dhe ndërkombëtare kanë evidentuar më së miri përkushtimin e tij ndaj lirisë së atdheut (si emblemë e qëndresës ndaj pushtuesit nazifashist), përkushtimin ndaj interesave kombëtare, por edhe ndaj përparimit të demokracisë e shtetit ligjor. Nderojnë dhe vlerësojnë kështu burrështetasin e rrallë, me karakter të fortë, që nuk iu dorëzua kurrë as pushtuesve dhe as koniukturave të politikës, por që triumfoi me dashurinë për jetën, atdheun dhe lirinë.
Si i tillë u vlerësua dhe u nderua Ai edhe të shtunën më 25 janar 2025 në veprimtarinë me temë “Alfred Moisiu – Një jetë në shërbim të kombit dhe paqes”, që u organizua me rastin e 95-vjetorit të lindjes nga Federata e Paqes Universale dhe Këshilli Rajonal i Paqes Tiranë.

Rreth 150 personalitete të nderuara, Ambasadorë për Paqe, drejtues të Federatës së Paqes Universale në nivel evropian dhe ndërkombëtar morën pjesë në këtë veprimtari të veçantë. Surpriza e veprimtarisë ishte ceremonia e vendosjes së emrit “Alfred Moisiu” sallës së konferencave të Ambasadës së Paqes, si vlerësim ndaj kontributit të jashtëzakonshëm të Presidentit Moisiu në rritjen dhe zhvillimin e Federatës së Paqes Universale në Shqipëri dhe Ballkan, dhe në veçanti për kontributin e tij për ndërtimin e Ambasadës së Paqes në Tiranë.
Veprimtarinë, të cilën e moderoi me mjeshtri të rrallë artisike Kryetari i Federatës së Paqes Universale Shqipëri, gazetari i mirënjohu. Defrim Methasani, e nderuan me prezencën dhe mesazhet e tyre në nder të Presidentit Moisiu, Presidenti i Malit të Zi (2003-2018) dhe njëkohësisht Presidenti i Klubit të Podgoricës Sh.T. Filip Vujanovic; Presidenti i Kosovës në vitet 2006-2010 Sh.T. Fatmir Sejdiu përmes një video mesazhi; Ish Kryeministri i Shqipërisë Sh.T. Vilson Ahmeti; Presidenti Ndërkombëtar i Federatës së Familjes Dr. Song Yong Cheon; Kryetari i Federatës së Paqes për Evropën Dr. Michael Balcomb; Kryetari i Tarikatit Halveti në Shqipëri Sheh Hysen Hormova; Presidentja e Federatës së Familjes Shqipëri Manjola Vasmatics; ish Krytetari i Federatës së Paqes Shqipëri në vitet 2011-2015, z. Bajram Ibraj; dhe Kryetari i Këshillit Rajonal të Paqes Tiranë z. Kastriot Selita.
Artisti dhe Mjeshtri i Madh Hysni Zela përshëndeti të pranishmit me dy këngë të mrekullueshme.

FILIP VUJANOVIÇ: MISIONI I PAQES
LIDHI PRESIDENTIN MOISIU DHE UPF

Presidenti i Malit të Zi (2003-2018) dhe njëkohësisht Presidenti i Klubit të Podgoricës Sh.T. Filip Vujanoviç, në këtë veprimtari mbresëlënëse shprehu respekt të veçantë për presidentin Moisiu, të cilin tha se e njeh prej vitesh. Duke evidentuar partneritetin që filloi gjatë presidencës së tyre, ai tha se “Njoha gatishmërinë dhe vullnetin e Presidentit Moisiu për të afirmuar paqen, stabilitetin dhe prosperitetin midis Malit të Zi dhe Shqipërisë dhe për të kontribuar në një situatë të qëndrueshme në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Kemi pasur shumë takime zyrtare dhe jozyrtare në Mal të Zi, Shqipëri dhe rajonin tonë. Nëpërmjet këtyre takimeve, personalitetet e rajonit e njohën Presidentin Moisiu si person të paqes”. Më tej Z.Filip Vujanoviç vlerësoi misionin paqësor të Presidentit Moisiu, i cili ka qenë dhe është bashkëpunimi me UPF. Kjo për faktin se takimi i parë i UPF me presidentë nga vendet e Ballkanit Perëndimor ishte me Presidentin Moisiu dhe Misioni i paqes lidhi Presidentin Moisiu dhe UPF.
Pasi falenderoi Presidentin Moisiu për njohjen e vlerave të FSHP-së dhe për mbështetjen e afirmimit të këtyre vlerave në rajonin tone, Filip Vujanoviç shprehu respekt për UPF, për aktivitetet e saj të forta, të dukshme dhe praktike në Ballkanin Perëndimor. Kjo sipas tij për faktin se UPF promovon me sukses paqen, dialogun, bashkëjetesën e diversitetit dhe të drejta të barabarta. “Mesazhi i rëndësishëm i UPF është se dallimet nuk duhet të na ndajnë apo të çojnë në konflikt. Përkundrazi, në dallimet tona, të gjithë njerëzit duhet të kenë mundësi dhe trajtim të barabartë, duke e ditur se paqja është mbi të gjitha. Dëshmia më e mirë për këtë është Ambasada e Paqes në Tiranë”, tha Filip Vujanoviç. Duke i uruar gjithë të mirat në ruajtjen e shpirtit rinor dhe të energjisë intensive, miku i tij, ish-kreu i shtetit malazez, vlerësoi vendimin për të emëruar sallën kryesore të Ambasadës së Paqes me emrin e Presidentit Moisiu, në ditën e ditëlindjes së tij, me bindjen se emri i kësaj salle do të na kujtojë se presidenti Moisiu i është përkushtuar paqes.

VLERËSIM, NDER, DETYRIM NJERËZOR DHE UNIVERSAL
NDAJ PRESIDENTIT MOISIU

Veprimtaria e FPU Shqipëri dhe Evropë me temë: “Alfred Moisiu- Një jetë në shërbim të Kombit dhe Paqes”, ishte jo vetëm një vlerësim dhe nder, por edhe nje detyrim njerëzor dhe universal ndaj Presidentit Moisiu.
Gjeneralmajor Bajram Ibraj, në fjalën e tij përshëndetëse ndër të tjera vlerësoi se togfjalëshi i përzgjedhur “…në shërbim të Kombit dhe Paqes…” është një gjetje e duhur. Parë nga ky këndvshtrim ai solli në vëmendjen e pjësëmarrësve në këtë takim festiv momentin, kur, si dhe pse e ftua zoti Moisiu për President të Republikes. “Situata politike pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2001 për shkak të problematikave të mëdha që ato shfaqën, ishte tejet e tensionuar, ku opozita bojkotoi kuvendin për gjashtë muaj për parregullsitë e konstatuara në këto zgjedhje sollën ndërhyrjen e faktorit ndërkombetar. Dy palët jo miqesore Nano-Berisha u takuan me datë 17 mars 2002 dhe u arrit marrëveshja e parë e madhe politike për reformën zgjedhore dhe për zgjedhjen e një Presidenti në mënyrë konsensuale. Shumë emra në qarkullim, por një zgjedhje e suksesshme, prodhoi Presidentin Konsensual Zotin Alfred Moisiu”, tha Gjeneralmajor Bajram Ibraj. Më tej ai vlerësoi kapërcimim me maturi e vizion bashkëkohor të situatave konflituale, rolin e Moisiut në konsolidimin e shtetit ligjor, drejtimin e Këshillit të Sigurimit Kombëtar (KSK) nga Presidenti Moisiu në vitet 2002-2007 etj.
Në detyrën e Kryetarit të FPU në vitet 2011-2015, Gjeneralmajor Bajram Ibraj, tha se ruan kujtime pa fund për angazhimin, përkushtimin dhe mesazhet paqedashëse qe ka dhene Presidenti Moisiu. Pasi foli për bashkëpunimin e ngushtë e frytëdhënës ai vlerësoi modelin e një shtetari dhe të një burri shteti, e kësisoj Presidenti Moisiu është bërë një shembull frymëzues për të gjithë kombin tonë.

TË RRISIM KUJDESIN PËR NDALIMIN E
SHPËRBËRJES SË FAMILJES SHQIPTARE

Nëntëdhjetëepesë vite punë dhe përpjekje për të bërë më të mirën për shoqërinë, familjen, vendin nuk janë pak. Pasi shprehu kënaqësi dhe nder të për këtë akademi jubilare që organizoi në 95 vjetorin e lindjes së tij Federata Shqiptare e Paqes Universale, e mbështetur edhe nga qendra, (gjë për të cilën falenderoi përzemërsisht drejtuesit e saj dhe në mënyrë të veçantë përfaqësuesit që ndodheshin në këtë sallë, e në veçanti Presidentin Vujanoviç, zotin Vilson Ahmeti dhe Dr. Song, Sekretarin e Përgjithshëm të FPU Gani Rroshi), Presidenti Moisiu solli disa kujtime të paharrueshme gjatë punës në interes të kësaj Federate.
“Jam njohur për herë të parë me Federatën dhe aktivitetin e saj në shtator 2004 në New York, kur, unë isha në mbledhjen e sesionit vjetor të saj si kryetar i delegacionit shqiptar. Atje erdhën më takuan Ish Presidenti Meidani, zoti Gaqo Apostoli dhe Sekretari i Përgjithshëm i UPF Dr. Tomas Uollsh. Ata më informuan për herë të parë mbi rolin dhe punën e Federatës dhe në të njëjtën kohë më vunë në dijeni mbi dëshirën e reverendit Mun për të bërë një vizitë në rajon, të cilën donte ta fillonte nga Shqipëria. Sigurisht e mirëprita dëshirën e tij, ndërsa në 2005 e prita në rezidencën verore presidenciale. Ajo që më ra në sy dhe më bëri të ndjek mësimet e Reverendit Mun është kujdesi dhe qëllimi kryesor i tij për forcimin e familjes, mbështetja e njerëzve në fatkeqësi dhe ruajtja e paqes. Këto janë tre shtylla të rëndësishme për ekzistencën dhe ruajtjen e një shoqërie normale.”, -tha Presidenti Moisiu. Më pas ai apeloi që të mos harrojmë që bota krahas zhvillimit të saj të vrullshëm të teknologjisë dhe lindjes së problematikave të ndryshme shoqëruese të kësaj ecurie, ka bërë dhe vazhdon të bëjë disa ndryshime shumë domethënëse në marrëdhëniet shoqërore që po cënojnë rëndë tre shtyllat kryesore historike të ekzistencës dhe formësimit të mëtejshëm të shoqërisë bashkëkohore. Pikërisht kjo, sipas tij na vë të gjithëve në mendime dhe na detyron të rrisim kujdesin për ndalimin e shpërbërjes së familjes shqiptare si dhe të zvenitjes të ndjenjës së solidaritetit dhe ndihmës për njerëzit në nevojë. Gjithashtu rëndësi të madhe në rajonin tonë të Ballkanit ka pasur edhe ka akoma më shumë rëndësi aktualisht ruajtja e paqes dhe mirëkuptimit midis popujve të rajonit.
“Nisur nga zhvillimet dhe situata jo e mirë në Ballkan, duke qenë në lidhje të ngushtë me drejtuesit e disa vendeve të rajonit në suazën e Klubit të Podgoricës, bashkëpunimi me të cilin ka qenë shumë efektiv për rritjen e mundësive paqeruajtëse në rajon. Për stabilizimin e kontakteve dhe lidhjeve të afërta të ish drejtuesve të shteteve të rajonit. Dëshiroj të theksoj këtu se njeriu që hodhi idenë shunë të vlefshme të krijimit të kësaj strukture ishte i nderuari President Vujanoviç, për të cilin unë prej kohësh kam një respekt të veçantë si luftëtar efektiv i ruajtjes së paqes në rajonin tonë të brishtë. Me këtë rast duhet të them se koordinimi i veprimtarisë misdis UPF dhe Klubit të Podgoricës ka qenë dhe vazhdon të mbetet si gur temeli të rëndësishëm në veprimtarinë tonë. Faleminderit President Vujanoviç, për kontributin tuaj personal në këtë nismë tepër të rëndësishme për rajonin.
Jemi dëshmitarë të disa zhvillimeve tragjike në skenën botërore, veçanërisht në Europë dhe në Lindjen e Mesme, të cilat po vënë në rrezik serioz paqen botërore. Po ti shtojmë këtyre edhe rreziqet e mundshme në rajon e veçanërisht në marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë, del e domosdoshme intensifikimi i përpjekjeve tona për të ndikuar sadopak në zbutjen e marrëdhënieve dhe shmangien e rreziqeve për acarimin e mëtejshëm të situatave, gjë të cilën ne e kemi pasur në qendër të vëmendjes”-tha Moisiu. Për ish kreun më të suksesshëm të shtetit shqiptar të këtij çerek shekulli, problemet e rajonit, të Europës me zigzaket e tyre të zhvillimit, na detyrojnë të jemi të kujdesshëm dhe të vëmendshëm për të kontribuar në kohë për shmangien e tyre. Ai shphu bindhen se Federata e Paqes Universale do vazhdojë të kontribuojë.
“Detyra që më ngarkoi reverentja Mun në Konferencën e Tiranës në 2019 si Kryetar i Këshillit të lartë të Paqes për Ballkanin ishte për mua një nder por edhe një detyrë tepër e rëndësishme, që i ka shërbyer shumë qëllimit të ruajtjes dhe forcimit të paqes. Ne sëbashku me Klubin e Podgoricës kemi zhvilluar një sërë aktivitetesh të përbashkëta të suksesshme në kuadrin e arritjes së këtyre qëllimeve shumë të rëndësishme.
Unë edhe një herë ju falenderoj për respektin që treguat ndaj meje, duke u angazhuar sa ta kem të mundshme fizikisht, do jem në radhët e Federatës për të ndihmuar dhe kontribuar në realizimin e detyrave për të cilat fola më sipër”, e mbylli fjalën e tij përshëndetëse Presidenti Moisiu.
Pjesa e fundit e veprimtarisë iu kushtua vlerësimit të pesë personaliteteve të nderuara me titullin “Ambasador për Paqe”, të përzgjedhura me shumë kujdes nga drejtuesit e Federatës. Personalitete që u nderuan ishin Dr. Mehmet Prishtina, Prof. Dr. Greta Angjeli, Prof. Dr. Klodeta Dibra, Z. Haki Çako dhe znj. Maria Solis.

 

 

 

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.