Nje kendveshtrim per artin poetike te poetes Natasha Limaj ( Fejzaj )
Dikush që del në rrugën e poezisë, ashtu me ngut e ndrojtje njëherësh apo me vrullin e një pasioni të shumëfishuar nga jehonat e përjetimeve eterike, orëve të vona të paqes gjysëmhyjnore, kur vagëllimthi na kumtohen ndjesi universale të papërsëritshme, pra ky dikush nuk del kurrë rastësisht në këtë rrugë, sa të hapësh e të mbyllësh sytë, por vjen nga projeksioni i një ëndrre të kahershme. Kjo ndjesi m’u ngulit e m’u përforcua teksa merrja në dorë poezitë e kësaj përmbledhje të poetes Natasha Fejza (Limaj), poete që duket se vjen me një botë të tejngarkuar përjetimesh dhe emocionesh, duke na e bërë më të lakmueshëm e më joshës vektorin e saj poetik. Ka shumë botë në këto poezi të arrira, shumë sharm femëror, shumë mall e dashuri, shumë iluzione dhe ajo që të bën më tepër përshtypje është lirizmi i thellë, spontan deri në dehje, që shoqëron udhëtimin ndjesor dhe relektiv të poetes. Përditshmëria, me muzat, përjetimet, hamendjet, komplekset “narciste”, simetria dhe asimetria e gjërave që e rrethojnë, ylberet, “dyzimet trallisëse” etj janë pjesë e përjetimit poetik të poetes, e cila bën një tentativë serioze për të qenë një zëdhënëse e ëndrrave dhe iulizoneve në sirtar të brezit të saj të humbur. Duket se ajo që quhet poezia femërore, që buron nga një ndjeshmëri e lartë substanciale dhe liriko-meditaive, po zë gjithnjë e më shumë vend në analet e letrave poetike kombëtare, sidomos në këto kohët e fundit të çlirimit të tyre nga të gjitha pengesat dhe jashtësitë që, në një farë mënyre, e pengonin një gjë të tillë. Udhëtimi i poetes është një udhëtim brenda shpirtit të saj, një udhëtim i unit, i cili duke kërkuar lidhjet e tij me kohën dhe bashkëkohësinë e botës shqiptare, me përditshmërinë dhe historinë, me mitin dhe transhendencën, krijon rrathët koncentrikë të një këndvështrim modern të realitetit, që autorja bën objekt të shqyrtimit të saj poetik. Kjo poezi, që kultivohet në shtratin e një pathosi dramatiko-lirik sjell me vete mesazhe të befta dhe shumëkuptimëshe, ashtu si vetë bota femërore që i shkruan ato, plot dyzime dhe alternime, qoftë ndjesore, qoftë konceptualo-shkrimore. Përmbledhja poetike e Natasha Fejza (Limaj)është në këtë shtrat strukturor dhe konceptual, është një përmbledhje dinjitoze, ku zotërojnë poezi të shkruara me nerv e temporitëm, poezi të befasimit lirik dhe të mesazheve që burojnë sa nga teksti aq dhe nga nënteksti poetik. Po ta kundrosh me vëmendje poezinë e Natashës do të veshë re se ajo ka si cilësi të saj ndoshta kryesore këndvështrimin modern të shqyrtimit të objektit poetik, thyerjen e grimcimin e qëllimshëm të këtij objekti, për ta rindërtuar të transfiguruar në aktin e thuajse të shenjtë të krijimit të poezisë. Ky soj moderniteti duket jo vetëm në përdorimin e strukturave formale të zhdërvjellëta dhe të pakornizuara, por dhe në idetë e mesazhet që burojnë nga ky këndvështrim. Frikë,tmerr…, nga fundi i botës, Frikë nga kataklizmoja, Më e madhja llahtari… Gjakun ujë s’do ta duroja!… Poetja nuk merr poza, as ngutet që të bëj deklarata patetike dhe euforike, por është në unison me besimin dhe kredon e saj, në përputhje me destinacionin shpirtëror, që synon të rrokë e të përmbush vektori i poezisë së saj. Befasimi i saj poetik, përcjellë me mjete të thjeshta, freskia e figurave dhe kontrapunti që na vjen nga gjetjet origjinale, e bëjnë poezinë e kësaj autoreje të arrirë dhe mjaft komunikative me lexuesit. Në hartën e “shtegëtimit të saj poetik” përfshihen gjendje, kujtesa, impresione, imazhe të mbetura pezull në kohë, duke na përcjellë një vektor idealiteti femëor. Ka shumë gjëra të veçanta në artin poetik të Natashës, por ajo që e bën të dallueshme poezinë e saj nga simorat duket se është vokali shumëgjyrësh mediativ, ritmi i përndezur, figurat e gjalla dhe të shtrira horizontalisht e vertikalisht, vrulli i fjalës dhe thellësia e ndjenjës dhe mendimit. Imazhet që na përfton poezia e saj janë imazhe flu, dehëse e trallisëse, me një kondicionim shpitëror të denjë për kujtesën, përjetimin, emocionin, imazhin, tekstin dhe nëntkestin, që përftohet nga e gjitha. Kemi të bëjmë me një poezi dinamike, që rrok hapësira jete në lëvizje dhe zhvillim, një verb atdhetarie që përndizet në vatrat e përflakura të metaforës, ku e dukshmja dhe e padukshmja, e thëna dhe e nënkuptuara rrinë së bashku në të njëjtin vektor dhe shprehin një botë ideo-emocionale sharmante, plot thyerje dhe digresione, siç është vetë jeta njerëzore që ajo plazmon në poezinë e saj. Poetja ka një afresk gjendjesh emocionale, shumësi imazhesh, mbresash, përjetimesh, kujtesash, të cilat ajo i ridimensionon në artin e shkrimit poetic. Idetë dhe mesazhet, që na sjell kjo poete, përfshijnë prirjet dhe tendencat më serioze të poetikës bashkëkohore mbarëshqiptare, sharmin dhe elegancën e vargut, freskinë dhe modernitetin e figurës, spontanitetin dhe natyrshmërinë e gjetjeve. Poezia e poetes Natasha Limaj (Fejza) në analizë të fundit është një poezi me sens kritcist, me një dimension diagnostikues të realitetit që e rrethon autoren dhe që e shtyn atë në kundrime dhe ballafaqime shumë interesante të dukurive të botës që e rrethojnë. Ajo bën pjesë në vazhdën e poezisë më të mirë shqipe të shkruar nga femrat, e cila na sjell një botë të pastër e të qashtër feminile, aq e nevojshme në një realitet kaq të ngarkuar që po përjetojmë ne shqiptarët, në këtë fillim shekulli të ri, në kërkim të ëndrrave më të bukura e më dinjitoze të botës sonë shqiptare.
HYQMET B HASKO