9.5 C
Tiranë
E martë, 17 Shkurt 2026

Hyqmet B Hasko

NJË DERË E HAPUR NGA HALLI…
TREGIM.Sipas rrefimit te nje mikut tim
Mund të jetë një imazh i 1 person dhe ambiente të jashtme
E përditshmja jonë ikën përskaj një ëndrre, pikëzohet në zenit të tundimit, merr flatra në ankthin e pritjes dhe vdes në retinën e syrit, në gjumë, për t’u zgjuar rishtas të nesërmen e për t’ia nisur gjithçkaje nga fillimi…Është një proces ciklik që përsëritet pambarimisht, duke u pasuruar çdo ditë me gjëra të reja dhe duke u bashkuar me rrëkezat e vogla, por të pafundme të dëshirave tona pa anë e fund.
Në kujtesën tonë njerëzore futen dhe dalin një mori ngjarjesh, të dhënash, të ndodhurash, hallesh e teleashesh dhe disa syresh, me projeksionin e tyre të veçantë deri në behje, sigurisht që lënë gjurmë dhe nuk shkulen më kurrë nga shpirti ynë.
Ishte një mbrëmje shtatori e spërkatur me aromë jorgavani dhe pritjeje, nga ato mbërmje që duket sikur kanë zbritur në tokas enkas për të shtënë në ngasje të befta. Unë dhe disa miq të mi po ktheheshim nga një festë ose më saktë nga një datëlindje e një miku tonë…
Tek parku Rina u ndamë dhe secili mori rrugën e vet për në shtëpi. E thashë, ishte një mbrëmje dehëse dhe gjëja e fundit që i bie njeriut në mendje në raste të tilla është të ikë e të mbyllet në “furrikun” e tij.
Po ecja ngadale dhe kisha një dhimbje të lehtë koke, ndoshta pija apo zhurma që u krijua në lokal ku festuam.
I gjithë parku ishte i boshatisur, por në fund të tij, tek një stol, dikush po qante…U afrova ngadalë, si pa u ndjerë. I vendosa dorën time të djathtë mbi sup.
E trembur, u ngrit një kokë dhe para meje feksën dy sy kaltëror, por të enjtur nga të qarët. Fytyra e një plake ku ruheshin ende tiparet e bukura të dikurshme, po më qasjej mes dritëhijeve, nën një brerore drite, që thyhej nga hija e lotëve…
Nuk e di por ishte hera e parë që shpirti m’u ligështua dhe, pa e ditur se çfarë po ndodhte në atë botën e saj të trazuar, sytë më lotuan dhe mua. Asgjë nuk dija për atë grua.
-Si mund t’iu ndihmoj?-iu drejtova dhe në zërin timvura re një timbërqë dridhej. -Ti duket se ke një hall të madh…
Ajo më vështronte, por nuk fliste; shpirti i saj i plasaritur nga ndonjë dhimbje ngashëronte.
-Zonjë, eja të shkojmë në shtëpinë time sonte. Unë kam një familje të mrekullueshme. Rri sonte tek une dhe nesër flasim me me qetësi për hallin që ke…Ndoshta të ndihmoj.
-Eh, s’ka zot që më ndihmon mua!- tha dhe vazhdonte të qante,tanimë medenesje…
-Mbase ke të drejtë, moj zonjë, por eja të shkojmë në shtëpin time…Ose nëse do, më lejoni t’iu çoj në një Komosariat policie, që ata të ndihmojnë për hallin që ke.
-Policiiiii?! Jo, jo, kurrën e kurrës! Jooooo!
Nuk e di por ajo u bë si e çmendur dhe u nis të largohej.
Një çantë me rroba mbetën mbi stol.
-Zonjë, prit të jap çantën me rroba .
Ajo qëndroi, por vetëm me shpinë; dorën e çoi mbrapa shpinës dhe priste t’i jepja çantën. Atë çast, dënesjet e saj u bënë shungulluese dhe psherëtimat të ngjthnin mishtë. Dukej sikur nga supet e saj të ngushta e të rëna shkundej një det I tallazitur dhimbjeje të pa cak.
E kapa lehtë nga supi, i futa krahun dhe u nisa bashkë me të, pa ditur se ku. Ideja se duhet të bëja diçka për të, po më kthehej në fiksim…
-Zotëri, ti largohu tani. Unë sonte do rri këtu në ndonjë stol, deri sa të gdhijë.
-Jo,-i thashë,- ti do vish me mua…
Gruaja vazhdonte të refuzonte, por tani ishte pak më e zbutur.
Përfitova dhe mora ne telefon tim bir, të cilit i dhashë adresën dhe me një ton zbutes vazhdova ta mbajë të lënduarën me llafe…
Djali erdhi shumë shpejt, i mbusha mendjen që të hipte në makinë dhe e çova në shtëpi.
E gjithë familja mbeti e habitur. Ajo rrinte si mbi gjëmba, por shpejt ata të mitë e mblodhën veten dhe i krijuan një ambient të ngrohtë, që atë sikur e çliroi disi.
Porosita vajzën që të bënte gati dushin, duke i treguar se kush duhet të bënte banjo.
Mëngjesi e gjeti në një gjumë të thellë…Shyqyr Zotit, ime shoqe ishte pushim atë ditë. Mua më duhej të shkoja në punë.
-Ik pa merak, -më tha ime shoqe.
-Mundohu ta zbërthesh, i thashë, mëso se si e ka punën dhe çfarë halli ka, që e ka çuar në këtë cak dhimbjeje.
Kur unë ika, siç do të më tregonte ime shoqe më vonë, ajo nuk qe zgjuar dhe për nja dy orë, gjersa dielli pati trolitur merrezet e tij ndjellëse në dritare, duke i rënë në sytë e lodhur e të përmbytur në oaze loti, si një kurorë paqetimi.
-Me lejo të quaj si motër…Me këto fjalë e priti bashkëshortja ime zgjimin e të huajës së lënduar…
-Ti je nënë vetë dhe jam e sigurt që do më kuptosh dhe do më jepësh të drejtë …
Dalëngadalë, duke u shkundur mes lotësh e pshertërimash, ajo kishte rrëfyer këtë histori, të cilën po e rirrëfej në mënyrë të përmbledhur…
…Në kohën e komunizmit punoja në një ministri si sekretare te një Drejtori dhe isha në kulmin e moshës, ashtu e freskët e bukur, ndjellëse dhe e rrethuar nga shumë cilësi e gjëra të tjera favorizuese, që ka një femër në moshën njezetë e pesëvjeçare.
Megjithëse e ndieja pushtetin e bukurisë sime, mundohesha të isha kokëulur dhe të mos bija në sy, e vetëdijshme se bukuria shpesh keqkuptohej dhe merrej si një ofertë e shpallur për seks.
Drejtori m’u qep keq dhe me mashtrimet e tij më bëri që një ditë të bukur t’i dorëzohesha e tëra…Mbas një muaj, kuptova me dhimbje e tronditje të thellë përzier dhe me gëzim e shpresë, se e kisha mbetur shtatëzënë…Gjithë stress, të përzier me qejf dhe dëshirë, ia thashë këtë atij, drejtorit tim, babait të asaj krijese të re që po rritej në barkun tim.
Por ç’të të them, moj motër, ai u bë bishë, doli nga zyra si një i çmendur. Atë ditë nuk erdhi fare. Unë gati sa nuk u çmenda.
E nesërmja më gjeti në zyrë, me sy të fryrë nga pagjumësia dhe në një gjendje ankthi të epërm. Po punoja me zor për të mbyllur ca shifra të tremujorit..Ai hapi derën dhe më tha se duhet të dilnim dhe të bisedonim. Iu binda dhe shkuam tek bar lulishtja “Një maj”. Ky lokal atëhere frekuntohej shumë, ishte një nga më të prefeurarit e Tiranës..
Ai porositi për të ngrënë dhe pse akma nuk kishte kaluar ora dhjetë. Unë në fillim kundërshtova, por përsëri iu binda..Mbasi piu nja dy dopjo raki, më kërkoi që fëmijën ta hiqa. Ai më tha se e kishte rregullar dhe me një doktor, mik i tij…dhe gjithçka do të shkonte si më mirë, pa asnjë telash.
Në atë moment gati sa nuk më ra qielli mbi kokë, por i thashë se do mendohesha dhe të më linte kohë.
Koha është tani,- më tha ai, se sa më shumë të rritet ai fëmijë në barkun tënd, aq më keq është dhe aq më shumë vështirësohet e bëhet e pamundur heqja e tij.
Nuk po duroja dot më, ndaj u çova dhe ika si një zog i tramaksur.
Time shoqeje nuk iu durua dhe pyeti:
Hë, si ia bëre? A e hoqe?!
– Jo, kurrë…Nuk kisha zemër për të kryer një vrasje të tillë. Në barkun tim po rritej një jetë dhe ajo jetë nuk ishte fajtore për asgjë, ndaj meritonte atë që meriton çdo krijesë, që lind nga dashuria njerëzore…
Mbas ca ditësh unë u shkarkova si sekretare dhe më çuan mësuese në një rreth të largët.
Atje e linda dhe e rrita tim bir.
Ne fillim të domokracisë, erdhëm përsëri në Tiranë. U strehuam tek një kushërira e largët e mamasë time. Djali m’u rrit shpejt, mbaroj shkelqyshëm dhe e caktuan në një punë të rëndësishme…
Ai ishte lidhur me një vajzë dhe mua si nënë më bëhej zemra mal.
Një ditë ma solli në shtëpi. Gati sa nuk fluturoja nga gëzimi…Shkova për ta përqafuar, por ajo më shtyu…dhe i ulëriu djalit:
-Të kam thënë se nuk dua ta shoh këtë grua imorale. Nëse do të jetosh me mua largoje këtë.
Nuk di si u përmbajta, Zoti më dha durim. Shikoja tim bir, por ai miratonte çdo fjalë të saj…
Të nesërmen mblodha plaçkët dhe shkova në Azil.
Ndihesha mirë, krijova një miqësi tjetër, një miqësi që kulmonte tek hallet tona të përbashkëta.
Por nuk qe e thënë, një ditë prej ditësh, Drejtoresha njoftoi se në azil do vinte një banor i ri. Për momentin nuk na e tha emrin e tij,ndaj unë qëndrova për ta parë dhe për t’i uruar mirëseardhjen në shtëpinë e halleve të përbashkëta.
Sapo e pashë, më ra të fikët dhe u përmenda mbas dy orësh…Të gjithë ishin të prekupuar për mua.
Kur u përmenda, mbaj mend që i thashë drejtoreshës se pse e kishte pranuar këtë njeri këtu?!
-Ai është maskarai më i madh i botës, përveç meje, ai ka mashtuar dhe tre femra të tjera…Largoje, ose do largohem unë.
Drejtoresha u mundua të më bindëte por unë nuk pranova kurrë…Mora valiçen me ato pesë rroba të qelbura që kisha dhe u largova.
Këmbët më çuan tek shtëpia ime. Trokita rreth një orë, por ajo derë nuk mu hap.
Duke ecur kuturu, pashë tim bir me nje makinë luksoze, ishte me nja dy vetë dhe po qeshnin me të madhe.
Djali më pa vëngër, ndaloi makinen dhe nxori nga xhepi një shuk para dhe m’i futi në dorë. Iku dhe u fut në makinë. Njëri nga ato e pyeti kush ishte ajo plakë. “Nëna e një shokut tim, -i tha,- ka mbetur rrugëve se i ka vdekur i biri”. Xhiroi gomat dhe u largua…duke lënë pas një re të dendur tymi.
Ato para po më digjnin duart dhe më hypi një avull i nxehtë. U ktheva djathtas, ato para ia dhashë një lypseje. Kam dy ditë që fle në stol.
Në darkë unë e pyeta nënën e braktisur se si e kishte emrin i biri dhe ajo ma tha me lotët në sy që këto dy ditë e netë nuk i ishin ndarë për asnjë çast. Unë shtanga. Ai ishte një person i rëndësishëm i politikës dhe me një të ardhme të madhe, siç thoshin gazetat dhe ekranet televizive.
-Yt bir e meriton një mësim,- i thashë. –Do t’i shkruaj unë në facebook…
-Jo, të lutem, jo…
-Do t’i shkruaj. Një person që nuk do nënën e tij, nuk mund të dojë qytetin, nuk mund të dojë Shqipërinë…
Dhë kështu bëra…I shkrova dhe ai…reagoi…Edhe pse nga frika se mos e bëja publike, por gjithësesi reagoi…
Tani ajo nënë jeton me të birin dhe gruaja e tij tekanjoze dhe qibare i rrin të vjehrrës gjithë ledhe e përkëdheli, ngaqë bashkëshorti i saj është bërë njeri i madh dhe një dëshmi e së ëmës për braktisje, mund t’ia dëmtonte disi karrierën brilante.
Edhe pse nga halli, ajo derë u hap për atë nënë të vuajtur, e cila meritonte të ishte perëndeshë dashurie në strehën e të birit…
H..@..B..H.
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.