23.7 C
Tiranë
E shtunë, 13 Qershor 2026

Hyqmet B Hasko

Baladë për nënën që kishte tre djem…
TREGIM.
Kur doli jashtë, në gjysëmerrësirën e mbrëmjes që po konturohej mbi kryeqytet e ftohtë dhe e frikshme, ndjeu të rrënqethura në trup dhe e kuptoi se qe veshur tepër hollë, për atë natë të ftohtë dimri, që me sa duket do të vinte duke e trashur zullumin dhe cingërimën e vet.
Gruaja plakë u pëpoq të mbështillej disi me rrobën e saj të vjetër, por më kot. Kjo përpjekje vetëm sa e nxorri më në pah ftoftësinë cingëristëse të asaj nate janari dhe pamundësinë e plakës së gjorë për të qenë e mbrojtur nga idhtësira e të ftohtit.
Një mendim i keq i shkoi nëpër tru, një si sharje e mallkim, por nuk e nxorri. E ndryu në thellësitë e krahërorit dhe nga truri i erdhi një mendim tjetër: “Biri i nënës, tha, është bërë e vështirë jeta dhe unë jam një grua tepër plakë, e pamundur që të të ndihmoj”.
Një ofshamë u përbri diku thellësive të zemrës dhe u mbyt në krahërorin e saj të rreshkur nga vuajtjet dhe koha.
Djali i vogël, të cilin ajo e kishte më për zemër nga të gjithë të tjerët, sapo e pati nxjerrë jashtë, në atë natë të acartë. I pati thënë se i kishte ardhur në majë të hundës me të, se qe bërë e padurueshme dhe shpenzime të mëdha dhe nuk mund ta mbante më.
“E ç’shpezime zeza kam unë?”-murmuriti plaka me ndjenjën e fajit, por murmurima iu shua në thellësi të fshehta, pa kthim.
“Nuk më duron ajo mua, tha me vete për nusen e djalit të vogël, ajo korçarka e bukur nuk duron askënd përveç vetes së saj dhe dy fëmijëve. Edhe tim bir e ka vënë përposhtë, bën çfarë t’i thotë ajo”.
Ndërkohë që po bluante me vete këto mendime, i ftohti që në fillim nuk i bëri dhe aq përshtypje, pasi kishte ende nxehtësinë e banesës nga sapo pati dalë, tani po e pllakoste në trup duke ia mpirë duart dhe majat e gishtave të këmbëve që qenë lagur nga bora e llangosur që pati rënë atë mbasdite.
Ishte nga të rrallat herë që në qytet kishte borë dhe ajo ishte e ftohtë,e ankthshme, e trishtuar… Bardhësia kërciste ankueshëm nën hapat e saj të lehtë e të ndrojtur, sikur po shkilte mbi dhimbje e jo mbi tokën e zbardhur…
Nëna e përzënë nga djali i saj i përkëdhelur u vërtit një copë herë kot, pa ditur se ku të shkonte. Nuk kishte asnjë qindarkë, as dhe një pesëqindlekëshe të vjetër, sa për hyrë në ndonjë kafe dhe për t’u ngrohur pak.
Ku të shkonte?Ku të mbytej?Çfarë kishte bërë që po ndëshkohej kështu në moshën shtatëdhjetvjeçare?!
U soll kot më kot, duke parë reklamat, posterat e politikanëve dhe afishet propogandistike të partive politike, plot premtime, të varura nëpër mure, fasadave të pallateve dhe cepave të kafeneve, që lajmëronin fillimin e fushatës elektorale. Shumë fjalë, shumë premtime, shumë zhurmë, por asgjë konkrete, që të arrinte gjer tek kjo plakë e vetmuar, që sapo kishte nisur të përjetonte kalvarin e braktisjes.
Iu kujtua djali tjetër, i mesmi, që e kishte shtëpinë tek Uzina e Autotraktorëve dhe u ngroh disi. Ai nuke ka nusen të keqe, fëmijët më duan shumë dhe kënaqen kur unë shkoj. E ç’të shkuar zeza, tha me vete, unë rrallë e përmallë jam dukur në shtëpinë e tyre”…
Po si të shkonte deri atje?Për të shkuar nga qendra deri tek shtëpia djalit të mesëm, me hapat e saj të vegjël prej plake të lodhur nga jeta, duheshin minimumi pesë orë rrugë.Ajo nuk kishte fuqi as të lëvizte. Të ftohtit po ia pllakoste të gjithë trupin si një kërcënim…Çfarë të bënte?! E ku të mbytej në këtë natë qameti?!
I duheshin 300 lekë për biletën e urbanit.Iu afrua një djali ezmer që po rrekej me një vajzë duke folur vesh më vesh e gjithë pasion moshe dhe ia kërkoi… Fytyra e nënës u bë lulkuq por ishte errësirë dhe as djali e as vajza nuk e vunë re përskuqjen e saj. Djali nxorri 1 mijë lekë të vjetra dhe ia dha. Plaka e uroi megjithë zemrën dhe nxitoi drejt autobuzit, që ndërkohë po mbushej përplot.
Dikush ia lëshoi vendin dhe ajo përsëri shqiptoi urimin e njohur, duke hedhur tutje vështrime mirënjohëse.
Kur arriti tek shtëpia e djalit të mesëm, ora ishte nja nëntë e mbrëmjes dhe errësira pati pllakosur gjithandej, si një masë e trashë terri e padepërtueshme.
Djali hapi derën dhe mbeti si i shtangosur kur pa të ëmën para derës, të mavijosur nga të ftohtit.
-Po ti?!-pyeti ai duke e vështruar të ëmën me habi. –Çne në këtë orë?!
E ëma uli kokën si e zënë në faj.
-Eja, eja brenda, -foli i biri, -paske ngrirë.
Nëna hyri Brenda dhe në krahët e saj u vërsulën dy djemtë buçko të të birit, njëri pesë e tjetri shtatë vjeç. E donin shumë nënën, siç i thoashin ata, dhe shpesh ankoheshin që ajo vinte kaq rrallë.
Zemra e gruas plakë sikur u ngroh e bashkë me të dhe trupi kallkan sikur filloi të çlirohej.
Nusja e të birit i solli bukë, tavë kosi me mish, supë dhe sallatë. Ajo hëngri me uri të madhe dhe bekoi djalin e saj, nusen dhe dy nipat.
-Bëre mirë që erdhe, -foli i biri, -sa do të rrishë?
Plaka uli kokën.Sytë e saj qenë rrëmbushur nga lotët dhe në vështrimin e saj kishte trishtim, një trishtim klithës. I biri e kuptoi që i vëllai e kishte përzënë të ëmën nga shtëpia dhe u bë nervoz, por nuk e dha veten.
Kaluan dy ditë dhe plaka ndihej mirë, hante e pinte, iu gëzohej nipave dhe të gjithë e rrethonin me përkujddesje e dashuri.
Ditën e tetë, padashur ajo theu një gotë teksa pinte ujë dhe nipi që po kalonte aty pranë saj shpoi këmbën me një cifël. Nusja e djalit u hodh në sulm ndaj plakës, e shau dhe e gërdisi në atë farë mënyre saqë plaka e gjorë u bë sa një grusht dhe nuk dinte se ç’ta bënte veten.
I biri, në vend që ta mbronte, e sulmoi më keq dhe nuk la fjalë të keqe pa i thënë, gjersa në një çast, kur nervozimi i tij qe në kulm, i tregoi të ëmës derën. Ajo ikur rishtas nëpër natë, e veshur hollë, në atë dimër të akullt që të hynte gjer në palcë.
Tek djali i madh nuk ia hapi askush derën. U dëgjuan hapat e dikujt nga brenda që po i afrohej derës; siç duket, personi pa nga syri magjik se kush ishte dhe kaq. Nuk u bë askush i gjallë dhe e ëmëa iku përsëri nepër terr, e vetmuar dhe e braktisur.
Për të filloi jeta e rrugës.Endja lart e poshtë duke lypur, për të fituar bukën e gojës. Flinte jashtë, mbledhur e kruspullosur nën mbulesat e saj të vjetra dhe hante atë pak bukë që blinte tutje tëhu, falë ndihmës që i zgjasnin në rrugë të panjohurit. Midis tyre kishte njerëz të dhembshur e shpirtmirë që iu vinte keq dhe e ndihmonin. Njëri i fali një pallto të trashë, i dha dhe një pesëdhjetëmijëlekshe të vjetër dhe e vizitonte shpesh, në strehëzën e saj të vetmuar, aty në rrugë të madhe.
Pas disa kohësh, ai i pagoi një krevat për të fjetur dy muaj në një hotel të dorës së tretë, ku gjithë natën kërcisnin minjtë nën dysheme, por asaj aq i bënte, majfton që ishte brenda dhe nuk e lagte shiu.
Ditën dilte përsëri në rrugë dhe lypte.Burri bamirës e takonte shpesh, me dhembshuri e përkujdesje dhe ajo nuk dinte si t’ia shprehte mirënjohjen.
Një ditë nuk e pa më bamirësin e saj.Nuk erdhi as të nesërmen, as pas një jave, as pas një muaj.Koha e pagesës së shtratit në hotel mbaroi dhe ajo flinte rishtas në rrugë, mbështjellë me pallton e djalit bamirës, që sikur e pati përpirë dheu.
Pas disa kohësh mësoi nga dikush se bamirësi i saj kishte pësuar aksident me makinë dhe pati shkuar në Gjermani për t’u kuruar. Kaloi një vit, dy, tre dhe ajo nuk e pa më.
Një ditë, ndërsa po përsëriste refrenin e saj të përditshëm të kërkimit të lëmoshës, pa të qëndronte para saj një hije e njohur.Ktheu kokën dhe pa se ishte i biri, djali i saj i vogël.
Në buzët e nënës ndriti një fije shprese… Por i biri i rrasi një letër në dorë ku ishte një prokurorë e bërë në emër të saj, ku i biri autorizohej të merrte pesionin e të ëmës. “Asaj prokurës së vjetër i mbaroi afati dhe redha të firmosësh këtë, të renë” “Po, mor bir, ta firmos nëna prokurën ty! Biri im!”–fola nëna dhe sytë e saj të mallëngjyer shikonin të birin që ishte vuvosur dhe qëndronte si një copë guri.
-Ti lëmë sentimentalizmat, firmose, se nuk kam kohë, kam një mijë punë për të bërë!-foli ftohtë i biri, duke vështruar tutje, në mënyrë të pa përcaktuar. E ëma e firmosi, puthi letrën, sikur deshte të puthte gjurmët që kishte lënë në të dora e të birit… Por ky i fundit e mori letrën me shpejtësi dhe iku si era, pa i dhënë qoftë dhe një përshëndetje largimi nënës së tij.
Frynte një erë e tërbuar që nuk kishte pushuar pesë ditë e pesë netë.Temperatura kishte zbritur disa gradë nën zero.
Ajo u mbështuall rishtas nën pallton e bamirësit të saj dhe e zuri gjumi. Në ëndërr pa të birin e vogël, atë që kishte dashur më shumë në jetë që po vinte drejt saj me një tufë karafilash të kuq.
-Ç’i ke këto, more bir?!
-Merri, merri, foli djali,-ti ke qenë nëna më e mirë në botë!
Kur u “zgjua”, një buzëqeshje ia rrethonte fytyrën me një kurorë të praruar pafajësie. Por sytë e saj vështronin në bosh.“Zgjimi” i saj ishte vetëdija e një jete të ikur përfundimisht, pa kthim. Trupi i saj qe shuar përgjithmonë…
Kishte ngrirë. Imazhi i fundit në ata sy të dashur e të pa faj ishte ai i të birit, djalit të vogël, më të dashurit të saj, që po vinte drejt saj me një kurorë të përflakur trëndafilash të kuq!…
H…@…B..H.
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.