Vdekja e gjykatëses…
TREGIM.
Ajo po çapitej rrugës ngadalë, e lodhur, me frymmëarrje të rënduar nga pesha e viteve. I pati kapërcyer të nëntëdhjetat dhe po i afrohej shekullit. Ajo e pa nga larg, u mrrol, u mblodh kruspull nën vete, doli nga hija ku qe strukur dhe kur ndeshi vështrimin e humbur të plakës së moçme, diçka i fërgëlloi në gji me dhimbje e rrënim.
-O Zot! Klithi. Sa vite kanë kaluar! Dhe ajo akoma endet dhe endet, si një kufomë e ngritur nga varri, për të më kujtuar se e kaluara nuk vdes, por rron ende si një kërcënim.
E ndoqi pas nëpër shtegun e ngushtë nga ku po kalonte dhe ia preu rrugën. Tjetra çapitej ngadalë, sikur numëronte hapat e saj të vegjël…
-Akoma nuk ke vdekur?, i thotë mesogruaja që tanimë i ka dalë në krah dhe ecën paralel me të.
-Kush je ti?!-mezi mërmëriti e moshuara dhe në sytë e saj digjeshin shandanët e butë të një qortimi të pazëshëm.
-Nuk më mban mend? Ha-ha-ha!-qeshi me histerizëm.-Nuk ke si të më mbashë mend. Krimineli nuk i mban mend viktimat e tij, sidomos kur janë shumë dhe nuk mundet as që ti numërojë makar…
Tjetra pati shtangur në mes të rrugës.
Në sytë e saj me qeska të fryra me rrudha të shumta, që lëviznin nën një orkestrim të brendshëm dritëhijesh, diçka qe shuar përgjithmonë dhe nuk ndizej më…
-Tani je duke vuajtur për ato që vetë u kujdese të mos i realizoje ngaqë nuk ishte e udhës.
Plaka mbajti hapin dhe ky zë i njohur e bëri që të mprihte shqisën e dëgjimit dhe të kujtesës, por më kot. Asgjë konkrete nuk i vinte ndërmend…
Tjetra fliste e fliste dhe dukej se më tepër se gruas së tejrënduar nga vitet, e cila po i afrohej shekullit,i fliste vetes së saj.
-Rreth teje kishte bashkëshorte, organizatë, turmë entuziaste. Secili prej këtyre rrëmbente copën e tij të jetës. Rrëmbenin edhe pjesë nga jeta e të tjerëve, bile edhe nga jeta jote. Ti ishe aty, gjithmonë vigjelente që njerzit të vuanin. Të mos përfitonin asgjë që iu takonte, pa vuajtur më parë shumë, pa të rënë ty nën këmbë.
-Të lutem mjaft, më thuaj kush je! Mos më torturo më!
-A të kujtohet një vajzë e vogël, këtu e dyzet vjet të shkuara, kur ti ishe gjyqtare? Kishte mbetur shtatzënë dhe e kishin dëbuar nga ndërmarrja për imoralitet. Vërtet ishte nën moshë, por ajo atë e donte…Priste fëmijën e tij…Ajo vajzë e vogël isha unë! Ju i vutë vulën degdisjes time në internim. Atje linda dhe fëmijën ma morët. Ishit ju si gjyqtare që vendosët, pa pyetur për lotët e mi që u derdhën çurk në prehrin tënd…
Plaka dridhej nën ethet e një pritje më shumë se të sikletshme.
Tani po i kujtohej gjithçka dhe nisi të fërgëllonte nga pesha e të kaluarës. Sa e kishte kërkuar këtë grua! Një jetë të tërë e kishte kërkuar…dhe ja tek po takohej në rrethana të çuditshme!
-E mbaj mend bijë, po ku s’të kam kërkuar pas asaj që ndodhi. Ti kishe ndryshuar emër dhe nuk arrita të të gjeja…Vërtet vendosa të ta merrnim fëmijët, se ashtu ishin ligjet asaj kohe, por më vonë bëra gjithçka që të lidhesha me ty dhe të ta riktheja buzëqeshjen e vrarë…Të lutëm, më fal…Unë…Unë…
-Kështu thoni ju të gjithë. Edhe Pons Pilati i lau duart, por njolla e krimit të përbindshëm mbeti përgjithmonë…
-Të lutem, mos më gjyko kaq ashpër!…
Dhe teksa fliste kështu plaka u alivanos dhe i ra të fiktët…
Gruaja më e re, e gjendur në një situatë të vështirë, nuk dinte si të vepronte.
Mori një taksi dhe me shpejtësi së bashku me të alivanosurën, të cilës i kishte rënë çehre limoni vajtën në urgjencë. Nxorri nga çanta e saj celularin dhe formoi numrin e parë që i zunë sytë. Quhej Anita…
-Nuk e di se kush jeni dhe çfarë e keni ish gjyqtaren, por pashë emrin tuaj në celularin e saj dhe po ju lajmëroj…Ajo është në gjendje të rëndë…Ndodhet në spitaln Nënë Tereza, tek urgjenca…
Pa kaluar njëzet minuta Anita erdhi e alarmuar dhe kërkoi hollësira rreth asaj që kishte ndodhur me të ëmën. Kjo e fundit hapi sytë dhe murmuriti lehtë:
-Mos u shqetëso, bijë. Nuk kam gjë. Shyqyr që u gjend kjo zonja krejt rastësisht dhe më solli me shpjetësi në urgjencë. Duhet ta falenderosh.
Anita e falenderoi të panjohurën, e cila dukej se gjendej në një pozitë të vëshirë.
-Bijë, më sill një gotë ujë, -iu drejtua plaka Anitës.
Ndërkohë që ajo doli, plaka iu lut akuzueses dhe njëherësh mirëbërëses së saj t’i afrhej pranë krevatit.
-Nuk kam shumë kohë, bijë, se unë po iki. Çështje disa orësh dhe do të mbylli sytë përgjithmonë. Vajza që quhet Anita dhe që ti e pe me sytë e tu se çfarë ylli drite është…Ajo vajzë…është vajza jote…Mos më pyet më gjatë…Nuk kemi kohë për shpegime dhe gjykime. Pasi mora atë vendim fatal, po më brente ndërgjegjeja dhe doja të ta ktheja vajzën. E vetmja mënyrë ishte që ta birësoja. Pasi e birësova, u lidha aq shumë me të, sa nuk mund ta pranoja braktisjen e saj. E doja dhe e dua më shumë se vajzën time biologjike…Unë po iki…Thuaja dalëngadalë bijës tënde se çfarë ka ndodhur, pa e lënduar dhe vënë në siklet…Ta mësoi të vërettën pjesë-pjesë, jo menjëherë! Zoti ju bekoftë të dyjave!
Tha këto dhe koka i ra mbi jastëk. Zemra e saj pushoi së rrahuri. Sytë e gjykatëses qenë fiksuar përjetë në një pikë të tavanit të urgejncës, sikur në të pikë të qe shkruar përjetësia e saj…
Kur hyri vajza me gotën e ujit në dorë, ia nisi ulërimës therëse aq sa dridhej urgjenca nga jonet e atyre tingujve të përvajshëm.
E ëma ia mori kokën në duar, teksa zemra po sa nuk po i pushonte nga emocionet.
-Eja bijë. T’i bëjmë nënës tënde një varrim madhështor…E meriton një gjë të tillë…Bashkë kemi shumë për të folur…Kemi një jetë përpara…bashkë…