8.5 C
Tiranë
E dielë, 23 Mars 2025

Hyqmet B Hasko

Nëna e nuses…

TREGIM…L'immagine può contenere: 1 persona, primo piano

Atë ditë, që pas shumë e shumë ecejakesh dhe andrrallash, ajo gjeti më në fund vajzën e saj, qe dita më e lumtur në jetën e saj. Gjithçka e kishte bërë në heshtje, në hije, pa dijeninë e të shoqit dhe djalit të tij, që ajo e konsideronte si birin e saj. I zënë me fabrikën e tij, ku paraja rridhte lumë, i shoqi nuk donte t’ia dinte për shqetësimin e saj, por atë pasdite vuri re një ndriçim të pazoknte në fytyrën e të shoqes, ende e bukur, megjithëse i kishte mbushur të dyzet e pestat. E vështroi me çudi dhe në atë grimasë ndriçuese e vezulluese, u fiksua, si për të deshifruar ndryshimin e saj të beftë.
-Ti diçka ke Sidorela. Po më thuaj, si është puna!?…
-Ah, Gjergji, ta dishë sa e lumtur jam! Nuk di nga t’ia nis!
-Nisja nga të duash, e dashur. Shyqyr që po të qesh fytyra dhe nuri që rrallë herë të qeshin! Po më thuaj, çfarë ka nddhur?!
-Kam gjetur time bije, Jonën…Më në fund, kjo zemër…ah Gjergji, sa e lumtur jam…
Ajo u mbështet në shpatullat e të shoqit, me të cilin kishte dhjetë vjet e martuar. Ai kishte dhe të birin, Mandin, që sapo kishte mbushur të njëzetat dhe të tre bashkë përbënin një familje të lumtur. Në shpatulla gruaja ndieu ftohtë…Shpatullat e të shoqit ia përcollën ftohtësinë…
Gjithë ato ditë Sidorela iu lut të shoqit që të bijën ta merrnin në shtëpi, pasi ishte studente dhe kishte nevojë për një familje. E pati braktisur në materinitet sapo e pati lindur, duke u bërë nënë që shtatëmbëdhjetë vjeç për shkak të mentalitetit të kohës…Gjatë gjithë atyre viteve, e penduar e kishte kërkuar, por më kot…Gjersa një telefonatë e një mikeje të vjetër ia ndriçoi pamjen dhe i ofroi mundësinë se ku mund ta gjente të bijën, e cila qe rritur në shtëpinë e fëmijës në një qytet të jugut dhe nuk kishte pasur kurrë një familje.
Lutjeve të saj, që të bijën ta merrnin në shtëpi, i shoqi iu përgjigj me heshtje dhe mosaprovim.
-Do ta ndihmojmë me të gjitha çfarë i duhet për shkollim dhe gjithçka në jetë. Por në shtëpi nuk e marrim dot. Nuk mund të prishim rrjedhat e jetës sonë, as për hir të bijës tënde që ti nuk e ke njohur gjithë këto vite!
Bënë shumë debate, u grindën e u shamatosën, por ai, kokëshkëmb siç ishte nga natyra, nuk lëshonte udhë. “O me vajzën o me mua!”-qe kushti i tij dhe ajo heshti, pasi e vetme nuk qe e zonja të përballonte as jetën e saj e jo më dhe atë të së bijës!
Ajo u zymtua, u mpak dhe sikur u plak dhjetë vite brenda atyre ditëve të refuzimit të të shoqit që e bija të ishte pjesë e familjes…Por ç’të bënte?! Ajo ishte e varur totalisht prej tij!
E ëma e takoi të bijën dhe u lidh me të, por ende i dukej e largët dhe si e huaj, për shkak se nuk banonin nën një çati…Nuk dinte si t’ia shpjegonte këtë të bijës, ndaj kishte heshtur, në pritje të ditëve më të mira…
Kaluan kohë dhe e bija i fliste të ëmës për një dashuri që qe shfaqur në jetën e saj. E ëma, ngaqë nuk qe e zonja ta ndihmonte, nuk kërkoi të dinte më shumë, veç iu lut Zotit që në jetën e saj të hynte një njeri i mirë dhe të krijonin një familje të shëndetshme. Kaluan disa vite dhe vajza e mbaroi fakultetin me të gjitha notat dhjeta, falë dhe ndihmës financiare të së ëmës, me ato pak të ardhura që i kishte kursyer me shumë mundime. Por nënës i pikonte në zemër që të bijën nuk mund ta kishte në shtëpi, siç kishte djalin e të shoqit, që e konsideronte bir e shkuar birit…
Erdhi vjeshta dhe i shoqi një natë i tha se atë të diel do të shkonin në një dasëm të rëndësishme, pasi një ortak biznesi me të martonte djalin dhe i pati ftuar familjarisht.
Sidorela bëri përgatitjet e duhura, jo vetëm për vete, por dhe për të shoqin dhe birin e tyre, për të vajtur në këtë ceremoni sa më të fisshëm dhe me gjithçka që iu lypsej, sipas hirerakisë së shkallës së tyre shoqërore, si familje e një biznesmeni të madh…
I zoti i shtëpisë, që martonte të birin së bashku me familjarët e tjerë e pritën Sidorelën, bashkëshortin dhe të birin me shumë dashuri dhe i ulën në tavolinën e familjes së tij…
Nisi pija, kërcimi, kënga e hareja dhe erdhi çasti të hyjë çifti, dhëndrri, një djalë i gjatë, me krela të verdha, nusja, një vajzë brune, elegante, me një elegancë dhe bukuri shkëlqimtare verbuese. Befas…o Zot! Mos ishte në ëndërr?! Kush është ajo vajzë hyjneshë veshur me fustan nusërie në krah të birit të shkokut të burrit të saj?! Po ajo hundë nazike…ata sy të magjishëm…ai profil dehës…jo, tani nuk mund të gabonte më, nusja ishte ajo…e mira e saj…bija e dashur, e gjetur pas kaq kohësh, Jona e saj!…
E turbulluar dhe kaotike, Sidorela nxiton drejt banjës, por befas koka e saj rëndohet, pastaj e zënë të dridhurat…dhe plandoset përdhe. I kishte rënë të fikët…Vijnë me shpejtësi pranë saj i biri, që e gjen të ëmën të shtrirë përtokë, me sy gjysëm të shuar…Pas tij vijnë me vrap bashkëshorti, babai i djalit dhe i zoti i dasmës
I biri i vë dorën mbi ballë dhe Sidorela shkundet pak dhe përmendet.
-Çfarë ndodhi mama?!-këmbënguli i biri.
Ajo nuk deshi të tregonte, por sytë e kishin tradhëtuar…Në syyë e saj digjej misteri i madh…Dhe ajo përmes drithërimave i tregon se vajza që martohet dhe që është nusja e kësaj dasme, është Motra e tij.
Djali pati shtangur në këmbë. sytë e vështronin herëtë atin, herë atë që e konsideronte si të ëmën e tij.
-Eja ikim bir,-ndërhyri i bërë në fytyrë limon babai, që mendoi se ishte një rreng i të shoqes, që ai dhe i biri të njihnin dhe të pranonin të bijën e saj.
-Jo baba, -foli duke mërmëritur, por vendosmërisht, i biri, -nuk do të ikim. Një gjë e tillë është shumë emocionuese dhe të ndryshon jetën. Po ta dija që kisha një motër, nuk do të lija gur pa lëvizur për ta gjetur…Por ja që rasti dhe fati e solli të gjejmë njëri-tjetrin…
Tha kështu dhe pa pyetur njeri, iu drejtua të zotit të dasmës:
-Ju lutem, mua, babanë dhe nënën na vendosni në tavolinën e krushqve. Nusja juaj është vajza dhe motra jonë.
I zoti i dasmës kishte mbetur si i murosur në këmbë dhe në gjithë atmosferën e dasmës ndihej një befje, që endej në ajër në trajtën e misterit të madh…
Babai e vështroi të birin në sy me mirëdashje, pastaj vështroi të shoqen dhe tundi kokën lehtë në shenjë pohimi, ndërkohë që nënës së nuses, i kishte rënë një nur mrekullor, siç i ka hije nënës së një nuseje të bukur…
H…@…B…H.

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.