15.5 C
Tiranë
E mërkurë, 13 Maj 2026

Hyqmet B Hasko

Rrëfim për kohë më të mira…
TREGIM.
Shkrimtari hyri në rrugën e palmave, ku hijet endnin misterin e tyre gjithëpërfshirës, nën mbretërinë e frikës, që i lexohej në çdo rrudhë.
Kishte guxuar të thyente një mit, personazhi i tij, një femër e deklasuar, tentonte që në luftën e saj për jetën, të afirmonte një shpirt të bukur. Kjo edhe hahej disi, pasi duhej shumë shije dhe sqimë letrare që ta kuptoje nëntekstin, por nënshkrimi i një autografi në një kopje libri, të cilin e kishte blerë një vajzë e re, quhej sakrilegj. Kjo për faktin se ajo paskësh qenë e deklasuar…
Në fakt, subjektin me vajzën e bukur dhe me biografi të dyshimtë e kishte endur në mendje, nuk pati guxuar ta shkruante. Ai nënqeshi, duke menduar se ky soj sharlantësh fanatikë përgjojnë edhe mendimin…
Ku ta dinte! Atë e pati takuar në një auditor, ku kishte mbajtur një leksion mbi vlerat letrare të traditës.
Kishte folur me pasion dhe pati vënë re dy sy të zjarrtë e të etshëm që e vështronin sikur donin ta përpinin. Ajo ishte një vajzë e bukur, bionde, me flokë të dredhur, gjoks provokues dhe vështrim të ëmbël, që të bënte të ëndërroje.
Shkrimtari e kishte pikë të dobët “bukurinë”! E kush nuk e ka?! E ku e mendonte se në një auditor fakulteti, midis studenteve me kaq sqimë dhe sharm, kishte hyrë “kontrabandë” një e deklasuar!
Po ta dinte, nuk do ta kishte bërë atë marrëzi! Ai nuk ishte hero dhe nuk e pati vënë kurrë vetveten, edhe në fantazitë më të përndezura, në rolin e një heroi. I plëlqente jeta dhe nuk donte që atë ta ngryste në galerat e errëta të një regjimi monstër!
Ato ditë kishte vënë re hije që sikur dilnin nga hiçi dhe e ndiqnin.
“Po bëhesh paranojak, -i tha vetes.-Po mbështillesh nga një makth kafkian, që më shumë se realitet është psikozë terrori dhe frike…”.
E kishte të lehtë të analizonte vetveten, por të vështirë të dilte nga caku i fatalitetit që e rrethonte, në një rrekje sizifiane për t’i ikur realitetit të trishtë dhe disi banal, por nga i cili ndihej i vetërrethuar!
Në sytë e studentes, pati parë dëshirën për flirt. E cila bukuroshe nuk do të donte të ishte mikja ose e dashura e shkrimtarit më të shquar të kohës!?
Ai e pati lexuar me kujdes dëshirën e saj dhe për pak do të qe përfshirë në krahët e aventurës, nëse nuk do të ishte paralajmëruar nga një mik, që punonte në organet e hetimit të kohës. “Kujdes nga ajo. Është mbesa e një tregtari të madh pëlhurash. Po të vëzhgojnë në çdo hap”. Dhe ai pati ngrirë, në pritjen e ethshme midis ankthit, frikës dhe misterit të bukroshes, të cilës nuk arriti të mësojë as emrin.
Sytë e saj të trazuar e ndoqën gjatë, sikur në eter endnin përmasat e një ftese pa fund…Ai ëndërronte për të, edhe pse e dinte se po luante me zjarrin…
Dhe ja tani…Kjo thirrje në komitet të partisë, iu duk si gongu i një ore të ligë…
Çfarë do t’u thoshte? Fundja s’kishte bërë asgjë…Autograf iu kishte dhënë shumë vajazave e djemve dhe fakti që midis tyre paskësh qenë një vajzë “e prekur” në biografi, nuk e bënte fajtor, pasi ai nuk e njihte…
“Ti i bën mirë llogaritë,-iu drejtua vetes, por çfarë llogarishë bëjnë ata që të kanë thirrur?! Kushedi se ku duan të dalin…Kërkojnë të ta quajnë gabim, me qëllim që të bësh për ta gjëra, që nuk ke qejf ti bësh. T’i thurësh lavdi regjimit…”
I kishte rënë pikës…Sekretari e priti ftohtë dhe me vështrimin në bosh. Nuk e nxorri fjalën tek vajza e deklasuar, por në çdo fjalë që thoshte aludonte për “gabimin” e tij…Dhe si kompenesim kërkonte që në romanin e ri që po shkruante për qytetin e tyre, të derdhte gjithë mjeshtrinë e tij…
“Të shkruajë diçka që nuk ekziston kërkon ky birbo, mendoi shkrimtari, t’iu bëj lavd e fresk ustallarëve të së keqes. Këta mezi e kanë pritur që mua “të më rrëshaqsë këmba”, që të më mbajnë nën presion e të shkruajë për to”.
Atij i tha të tjera fjalë:
-Po, ky qytet e meriton një përmendore prej letre…Këtu ka aq shumë humanizëm…Duhet ngritur në art”.
Tjetri u rrek të lexonte ironinë midis atyre fjalëve, por nuk ia doli, pasi shkrimtari qe tepër serioz.
Në një të dhjetën e sekondës, shkrimtari i shquar vërejti se sytë e partiakut të lartë po shndërrisnin nga ligësia dhe tjetri bëri një grimasë hipokrizie, që ta fshihte ligësinë. Ai e kuptoi se e gjitha ishte një lojë nervash dhe drejt tij qenë nisur erenitë, këto perëndi hakmarrëse, që komandoheshin nga Froni i Pasuesit të Zeusit…
Ishte mbrëmje vonë kur doli nga zyra e sekretarit të partisë dhe imazhi i vajzës së bukur, me “njolla” në biografi, i mbeti gjatë në mendje, si një kujtesë për t’u rrëfyer në kohë më të mira…
Rrugës për në shtëpi iu duk sikur hijet po bëheshin më të dendura dhe qarkonin para e prapa çdo hap të tij. Ideja se po e ndiqnin nuk ishte më një fiksim, por një realitet që atë e dërrmonte nga brenda.
Në shtëpi e prti gruaja e alarmuar dhe e bija që ndihej tmerrësisht e ligështuar. Ata i treguan se çdo dhjetë minuta i binin telefonit dhe tej në hapësirat eterike ndihej një hungërimë e zgjatur, si e ujëqërve, që ndjekin prenë në errësirë. Ankthi pati arritur në përmasa kafkiane dhe endej në atë shtëpi të mbushur me libra dhe projekte letrare si një makth kërcënues.
Të nesërmen Lideri Suprem u nis për në SHBA në një mbledhje të OKB-së. Nata e delirit të kuq dukej e ndarë më dysh…Ishte e vetmja herë që nga vendi komunist, në SHBA shkonte një përfaqësues i lartë i elitës komuniste, më i larti në hierarkinë e sistemit.
Shkrimtari i shquar kishte kohë që në mendje bluante ikjen. Ishte e vetmja mudësi për t’i ikur botës së makthit stalinist. Largimi i Liderit Suprem e bënte më të mundshme ikjen nga sytë këmbët. Ikjen pa kthim…
Atë ditë, bashkëshortja bëri gati valixhet me gjithçka që iu duhej për atë udhëtim pa kthim. Shkrimtari përfitoi nga një ftesë e ardhur nga qarqet letrare të Parisit për një promovim të njërit nga librat e tij, që ishte botuar në Francë.
Mungesa e Liderit suprem e bënte më të afrët ëndrrën e arratisjes…
Atë natë, ata të tre, shkrimtari i shquar, bashkëshortja dhe vajza e tyre udhëtuan drejt aeroportit. Pasi avioni u nis dhe retë e ferrit mbetën larg, shkrimtari psherëtiu thellë dhe iu drejtua të shoqes:
-Ne nuk jemi heronj. Do të presim sa të çahet ky terr i kobshëm delirant dhe jeta të kthehet në sinorë të normalitetit…
Avioni çante retë e zeza në qiellin e asaj stine të trishtë, duke lënë pas muranën e çarë të ferrit…
Kristina Demiri Dojce, Elham Pasha dhe 81 të tjerë
23 komente
Pëlqej

Komento
Ndaj
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.