Ai hyri në jetën time rastësisht, por pas disa takimeve vura re se na lidhte diçka e përbashkët, ndjeshmëria dhe afeksioni për të bukurën, veçmas për poezinë dhe artin e shkrimit. Shpesh ai ndihej si i kontraktuar, seç kishte një si stepje të beftë, por këtë e kisha marrë si një soj dhuntie të natyrës së tij të butë e të trazuar njëherësh.
Tani ai ka një javë që ka ardhur për pushime në Shqiperi dhe e kam takuar disa herë, por ashtu kalimthi, me një soj ngutje deri në alarm, që duket se i qe kthyer në fiksim. Pra, ai rrinte shumë pak kohë me ne miqtë e tij dhe seç kishte një merak për familjen e tij, më saktë për gruan dhe djalin që ishte rreth 20 vjeç. Bashkëshortja e tij ishte mjaft e bukur në pamje dhe dukej se natyra ia kishte falur me bollëk shkëlqimin dhe hiret.
Fillimisht mendova se i shoqi ishte xheloz dhe kishte frike se gruaja e tij, që ishte rreth 20 vjet më e re si ai, ia vinte syrin ndonjë tjetri. Në marrëdhëniet bashkëshorore histori të tilla “me paskuinë”, siç thotë Gabriel Markezi janë të rëndomta. Bota është e mbushur dëng me avunturierë fustanesh dhe me kërkuese aventurash mashkullore, ndaj deri këtu nuk do të kishte ndonjë gjë për t’u habitur. Gjithë këtë histori e përsolla në mendje dhe të them të drejtën nuk m’u durua pa ia thënë.
-Leri gruan dhe djalin të shëtisin të lirë, se nuk i gjen gjë. Këtu në Tiranë jemi bërë dhe ne si ju, europinë me kulturë.
Ai më hodhi një vështrim të pjerrët, pak në mëdyshje e përdëllim dhe më në fund qeshi, duke shkundur trupin e tij të gjatë nga shtrëngata e tingujve të shëndetshëm.
-Nuk e kam problem këtë që thua ti, -foli me qetësi.-Por ime shoqe është e sëmurë dhe ka një histori sëmundja e saj.
Nuk dija ku ti çoja duart dhe ndjeva pendim që kisha hyrë në botën e intimiteteve të tij. Por tani fjala qe hedhur dhe nuk mund ta ktheja më pas.
Unë prita në heshtje dhe me shumë kuriozitet që ai të shpjegonte se cfarë kishte gruaja e tij, e cila dukej shënd e verë dhe nuk të jepte asnjë shenjë e arsye se mund të qe e sëmurë…Kur e vështroje nga afër, ajo të magjepste me thellësinë e vështrimit të hutuar e zhbirues në të njëjtën kohë, me harkun e ballit të lartë dhe buzëve epshore që dukej sikur të përpinin në thellësitë e tyre. Sytë e saj bojë qielli i jepnin mimikës së saj një shkëlqim vezullues, aq sa dhe shumë gra e shikonin me kërshëri dhe xhelozi për sharmin dhe bukurinë që shpaloste.
Rrëfimi i tij disi i qetë dhe spontan, kompleksohej herë herë me një shpërqëndrim të tij, me sa duket, për shkak të dhimbjes që përjetonte kur i rikthehej kësaj historie…
Ishte një natë e pazakontë dimri, nisi bisedën miku im.
Atë natë unë isha i zënë me atë që ishte mënyra ime e jetesës dhe që është shkak i gjithçkaje që më mban peng në këtë histori. Me fjalë të tjera, unë jam harams, siç thuhet këtej nga anët tona, ose më saktë një burrë trazovaç. Shkurt, nuk punoja si gjithë bota, por vidhja çdo gjë që më kapte syri.
Atë natë isha në një qytet të veriut dhe pata vjedhur një korrocë, ku sipër saj kisha ngarkuar një viç të majmë, që e pata vjedhur në një fshat tjetër…
Atë natë, dy krijesa të dashura që do të hynin rastësisht në jetën time, po iknin fillikat nëpër furtunë, të ndjekur pas nga një fat përndjekës.
Ajo quhej Lindita dhe së bashku me të birin po i binte kryq e tërthor kësaj nate të bardhë, plot vezullime të trishta dëbora dhe të ftohti polar, siç është moti në dimër në Alpet tona.
Lindita ecte me hap të shpejtë, me një fëmijë të vogël në krahë. Fëmija mund të ishte rreth dy tre vjeç dhe qe skrupullosur nën mbulesat e shumta, që nuk arrinin ta mbronin nga cikna e atij moti të egër, akull të ftohtë.
Filloi të binte dëborë dhe gruaja rrekej të mbante ngrohtë, mbështetur pas gjoksit të saj, fëmijën që dridhej…
Ajo ishte larguar fshehtas nga shtëpia, se e trajtonin mjaft keq në familjen ku ishte martuar. Sidomos kunati, vellai i burrit, të cilin e kishte në emigrim. Kunati, herë pas here, kërkonte të bënte me të gjëra të turpshme, siç më ka treguar më vonë ime shoqe.
Ajo ecte duke fuguar dhe e pushtuar nga mendime kontradiktore, që e mbanin pezull në krahët e mëdyshjes dhe dyshimit. Mendimi se mos e kapnin, bënte që ajo të vazhdonte të ecte pa pushuar, me një lloj ngutje dhe paniku që i lexohej në hapat e trazuar.
Të ftohti vallëzonte tuist, duke iu depërtuar dy ikanakëve gjer poshtë, nën lëkurë.
Djalit filluan t’i dridheshin dhëmbët, gruaj hoqi shallin e vet dhe e ia mbështolli rreth qafës së tij.
Bora sa vinte e shtohej dhe bëhej më e dendur; frynte dhe një erë që të këpuste hundën; flokët e dëborës filluan të bëheshin copa akulli në fytyrë.
Lindita nuk kishte pikë fuqie të ecte më.
Përpara ishte një shtëpi, por ajo nuk u zinte besë njerëzve, ndaj mblodhi të gjitha fuqitë dhe vazhdoi të ecte.
Djali filloi të qante; ai kishte shumë ftohtë.
Gruaja hoqi dhe trikon e saj të leshtë dhe ia veshi djalit. Tani vetë ajo mbeti shumë hollë, në fije të fustanit dhe trupi filloi t’i ngrinte dalëngatalë. Ai trup i bukur po ftohej dhe po bëhej akull nga çasti në çast. Ajo ndaloi dhe thirri me sa fuqi që pati:
-Ndihmë! Ndihmë!…
Por zërin e saj e shoi era e fuqishme që vazhdonte të frynte me shumë furi. Ajo u përplas mbi dëborë dhe trupi filloj t’i ngrinte dalëngadalë.
Djali qante, por dhe zëri i tij sa vinte dhe mekej.
Nuk e di, por Zoti më çoj afër trupit të saj. Ndalova karrocën menjëherë dhe ju afrova atij trupi kallkan, ku mezi gjallonin ndoca shenje të vogla jete. Mora djalin dhe e hipa në një cep të karrocës, pastaj mora gruan. Mendja më tha që ta fërkoja pak me raki dhe ashtu bëra, e fërkova në të gjithë trupin dhe ajo filloj të ngrohej. Zbrita poshtë dhe mora cantën e saj, ja futa në gji. Ajo lëvizi dhe e futi dhe më thellë, poshte barkut të saj dhe iku në kllapi.
Mora djalin në prehër, e mbështolla pranë trupin tim dhe i fola kalit te ecte, por dhe kali ishte shumë i lodhur; ishte fat se kishte qenë një kalë i fuqishëm, i ushqyer mirë dhe e përballoi atë copë rrugë që të çonte në atë qytet të vogël.
Viçin e çova në shtëpinë e një kasapi që e kisha mik dhe i kërkova të ma blinte se kisha gruan shumë sëmurë. Ai më pa me habi se e dinte që unë isha beqar.
-Nuk është gruaja ime,- i thashë,- është e vëllait tim, por ai është në emgrim.
Kasapi më dha të hollat dhe më ndihmoj për ta çuar në spital. Mjekja e vizitoi, por më tha se vetëm Zoti mund ta shpëtonte, në atë gjendjeqë ishte katandisur ajo.
-Pse e keni mbajtur kaq shumë?!
-Epo jemi larg,- i thashë- dhe nuk kishim mundësi ta vizitonim, se nuk kemi ekonomi.
-Do presim dymbëdhjetë orë, tha mjekja.
-Mirë,- i thashë,- por në të vërtetë unë kisha frikë se mos merrej vesh për vjedhjen e viçit dhe të karrocës me kalin.
Po ta them që në fillim,- më tha ai,- kalin e lëshova dhe me sa mora vesh ai kishte shkuar ne shtepi tek i zoti.
Nga dymbëdhjetë orë që më tha mjekja, Gruaja qëndroi tre ditë dhe desh zoti erdhi në vete.Unë fjeta herë në hotel herë tek ndonjë shtëpi, duke u dhënë lekë bashkë me djalin..
Ishte e premte, atë natë gruaja ishte më mirë, i bera nje propzim që largohshim nga spitali dhe të shkonim jashtë shtetit. Ajo më pa në sy dhe u skuq, u mbush me frymë dhe me tha: “Unë kam dhe djalin”. Vetëm kaq. Asgjë më shumë.
-Ikim bashkë me djalin,- i thashë,- ikim që këtej, pastaj vendosim se çfarë do bëjmë.
Ajo u ngrit me kujdes dhe u larguam me një taksi. Shyqyr Zotit dhe ajo kishte një sasi pararsh në çantë, qe na dhanë mundësinë të arrinim në Itali dhe më pas në Francë. Bashkëjetojmë, se dhe sot e kësaj dite ish burri i saj nuk ja jep divorcin.
Nesër ose pasnesër ishalla do Zoti marrin fund dhe këto gjyqet këtu në Shqipëri se na e morën shpirtin.
Tani nuk jam ai që kam qenë, një hajn pa parime dhe i çoroditur. Lindita më ka bërë tjetër njeri. Në sytë e saj të kthjellët, me pastërtinë e lotit, pashë humnerën e thellë të përdhosjes sime. Pashë batakun kundërmues ku qeshë zhytur dhe ndjeva neveri për veten. Për mënyrën time të jetesës së deriatëhershme. Jo vetëm nuk nuk vjedh më, por ndihmoj të varfërit dhe bëj ç’është e mundur për t’iu ardhur në ndihmë nevojtarëve. Nga ana tjetër, i jam përkushtuar Linditës dhe djalit të saj, që tani është njëzet vjeç, me gjithë energjitë dhe pasionin tim. Ai më do me shpirt dhe kujdeset për mua si për një baba të vërtetë.
-Çfarë sëmundje ka bashkëshortja juaj?- e pyeta.
Tjetri u përtyp pakëz dhe, ashtu mes hijes së mëdyshjes dhe shfrimit të emocioneve të thella, foli me një zë të butë e të shtruar, që binte ndesh me natyrën e tij disi impulsive dhe rebele:
-Ka disa, por ajo që më tmerron mua dhe djalin është një sëmundje që unë nuk ia di emrin, por ajo t’i dobëson të gjithë muskujt dhe të çon ngadalë drejt vdekjes.
Miku im psherëtiu thellë, sikur nxorri nga gjoski një mal të fshehtë dhimbje dhe foli prap, duke i mëshuar çdo fjale:
-Nëse Zoti bën një mrekulli dhe ajo shpëton… do të thotë se më ka falur për gjithçka dhe kërkon nga unë të angazhohem totalisht në një jetë të re.
Unë i vura dorën në sup dhe ndjeva se si dridhej miku im, ashtu në ethet e enigmës, duke kërkuar mundësinë e një fillimi tjetër, me Linditën në krah dhe djalin e tyre të mrekullueshëm, në rrugëtimin e ri të jetës…
H..@….B..H.