2.5 C
Tiranë
E shtunë, 13 Dhjetor 2025

Hyqmet B Hasko

NËN KTHETRAT E KORONA VIRUSIT
Jemi endur në këto muaj të trishtë nën hijen e Tij, të mbushur me ankth e frikë, të kujdesshëm gjer në mani e të traumatizuar gjer në thellësi të shpirtit…Covid 19, gjatë këtyre muajve të vështirë, u bë qendra e gravitetit të ankthit tonë kolektiv, njësia matëse e sigurisë dhe stresit tonë, të përligjur nga dimensionet e frikshme të kësaj pandemie.
Nuk e kisha menduar kurrë se do të më ndodhte mua, edhe pse hija e tij kishte muaj të tërë që endej rreth nesh si një kërcënim ogurzi. Si tip jam i kujdesshëm dhe e ruaj veten, por…Kjo “por” fsheh shumë enigma dhe dilema që rrinë si ajzberg nën ujë dhe ne nuk mund t’i dimë të gjitha. E ku mund ta dija se ai më priste tinëzisht, diku në një cep të kohë-hapësirës sime për të më goditur?!
E gjitha nisi me date 10 gusht, kur ndjeva shenjat e para…Ndieva shqetësimin, një si brerje të kockave, shoqëruar me ankth, temperaturë, një si këputje të përgjithshme. U shqetësova pak, por nuk vura alarmin, duke menduar se ishin gjëra të vogla, që me kohë do të kalonin. Por temperatura vazhdonte të rritej dhe siç e thashë kisha këputje trupi…
Ndodhesha vetëm në shtëpi, rrethuar me këtë shqetësim që po rritej brenda meje dhe ankthin e të panjohurës. Familja ime ishte me pushime, megjithatë iu bëra me dije se ndieja pak shqetësim, por vetëm kaq, se nuk doja t’i alarmoja, që të vazhdonin pushimet…
Të nesërmn, që në mëngjes herët, shkova dhe bëra një analizë në një klinikë private…Analiza e gjakut doli mirë, nuk tregonte shenja Korona virusi.
Nusja e djalit, që është mjeke, më udhëzoi që të merrja disa ilaçe, të cilat i mora menjëherë. Por çdo ditë që kalonte bëhesha më keq, thellë në vetvete e ndieja peshën e atij makthi me atë emër flame, Covid 19.
Familja ndërpreu pushimet dhe u kthye me ngut në Tiranë. Me datë 15 gusht, ajo të cilës i isha ruajtur më shumë, koronavirusi pati ardhur tek unë si një mysafir i ligë, tinëzar, i paftuar dhe më futi nën kthetrat e tij. Ishte një betejë dhëmbë për dhëmbë, e egër deri në mizori dhe gati sa nuk më mori jetën…
Urgjentisht më shtruan në spital. Përkeqësimi rritej dhe unë ndihesha në një gjendje aq të rënë fizike dhe shpirtërore, sa mendoja me vete jo pa dhimbje se tek unë tashmë kufiri midis jetës dhe vdekjes qe shumë i hollë dhe i brishtë…
Mjeku që më kishte në patronazh vahdonte të përkujdesej, duke u rrekur të më qetësonte jo vetëm me kurën e ilaçeve, por dhe me fjalën e ngrohtë shpresëdhënëse. I gjithë stafi u angazhuan për të më ulur temperaturën. Kulmi i temperaturës ndodhi me datë 18 gusht, kur e ndieja dhe e kuptoja se kthetrat mizore të korona virusit ishin ngulur thellë në çdo qelizë të trupit tim…Personelit mjekësor, tepër të kujdesshëm dhe të angazhuar, iu desh rreth katër orë që të më nxirrnin nga ato kthetra, duke më ulur temperaturën.
Kur u përmenda, pashë se tek koka ime ishte mjeku dhe shefja e pavionit, e cila në dy të natës kishte lënë familjen dhe erdhi të më shpëtonte. Si mund ta shpreh njeriu mirënjohjen për këta mjekë të shkëlqyer, profesionistë të zotë dhe njerëz të sakrificës, që nxjerrin jetë njerëzore nga kthetrat e vdekjes?! T’i falenderosh këta mjekë është shumë pak, por unë i uroj: Zoti i bekoftë! Zoti i shpërbleftë me të mira në çdo aspekt të jetës së tyre. Ata janë TITANË, qëndrestarë të pathyeshëm, që kanë rrezikuar shumë dhe jo pak kanë humbur jetën e tyre për të shpëtuar jetën tonë…Akti i tyre do të mbahet mend gjatë, do të përcillet nga brezi në brez dhe nga koha në kohë si një kumt bese dhe përkushtimi deri në vetësakrifikim të njeriut për njeriun!
Është në dinjitetin tim që së pari të falenderoj familjen time, që më së shumti fjeti në makinë pranë spitalit, duke pritur me ankth e dëshpërim, shpresë e dashuri rikthimin tim në jetë dhe normalitet…Dhimbja e tyre, përkushtimi dhe dashuria do të mbeten për mua të paharruara, burim force dhe energjie positive, për të ecur para në jetë, edhe për hir të tyre…
Çdo person në jetën e tij ka miq, por unë nuk e dija që ata ishin me qindra, ishin me zemër e shpirt me mua, në çdo moment. Më kanë ngushëlIuar me fjalët e tyre të ngrohta, me shpirtin e tyre të bukur dhe unë i falenderoj nga zemra të gjithë. Pa Ju, do të ndihesha krejt i vetmuar dhe i braktisur në atë hall të madh që më kishte zënë, nën darët e një sëmundje tinëzara dhe të frikshme! Ju të gjithë…jeni etalioni i vlerave të jetës sime…arsyeja pse ndihem sot i lumtur dhe i përmbushur…
Por njërin desha ta veçoja dhe ta falenderoj në veçanti. Ai është Vlash Margjoni, një njeri fisnik, me zemër të madhe, me fisnikëri e dashuri, që di të falë vetëm një mik i vërtetë.
Falenderoj nga zemra dhe të gjithë miqtë Vatranë, që brenda mundësive të tyre ishin me mua, ishin në zemrën time.
Unë kalova një sprovë të vështirë, gati në kufijtë e të pamundurës. Jeta është dhuratë e çmuar e Zotit dhe vetëm ai mund të na e marrë. Por Zoti donte që unë të jetoja dhe për këtë i jam shumë falenderues.
Zoti na ka dhënë një trup dhe një shpirt, ku duhet të sundojë dashuria dhe mirësia. Ato janë kura më e mirë, ilaçi që kuron çdo dhimbje trupi dhe shpirti…
Miq dhe mikesha të mia, ju falenderoj shumë që ishit me mua, edhe pse larg fizikisht, për shkak të kësaj flame, që më ngushëlluar me fjalën tuaj dhe dashurinë, e cila mbetet një dhunti e përjetshme e njerëzve të mirë. Larg nga ju dhe familjet tuaja kjo flamë, larg jush çdo sëmundje dhe çdo e keqe! Zoti ju bekoftë me të gjitha mirësitë e Botës!
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.