NESËR NËNË TË MË ZGJOSH HERËT…

Nesër të më zgjosh herët,
si dikur kur isha fëmi i vogël,
do t’i bredhë të gjitha zabelet,
do të fluturoj kodër më kodër.
Le të më zërë gjumi afër zallit,
në një gëmushë apo rrënjë lisi,
dua të dëgjoj hingëllimat e kalit,
të atij kali që përdorte i gjithë fisi.
Në mëngjes flladi le të më ngasë,
të më rrëzohet kapelja nga një shkurre,
tek një urë e vjetër këmbët do t’i përplas,
zërin tënd të dëgjoj:”Eja bir, mjaft u zure”…
Në afshe lojërash tutje pa mbarim,
Do të bredh bashkë me shiun dhe erën,
Ti ma bëj gati bukën nënë që na agim,
Dhe në mbrëmje vonë mos e mbyll derën…
Paskam dëshirë nënë të më zgjosh herët,
dhe pse tani kam moshën tënde kur ike,
në atë botë pa kthim atë ditë pranvere,
dhe në çastet e fundit tek gjiri më prite.
Diçka deshe të më thoshe me zërin e mekur,
loti i tharë shpirtin ma kish prekur,
Mbi trupin tënd u derdha, ta dëgjoja fjalën,
hëna në sytë e tu u shua bashkë me natën.
Mua nesër më zgjo herët nëna ime,
Me dritën e shpirtit tënd që nuk u shua,
Jam unë biri yt, shpirti i ëndërrimeve,
Gurgullima e zërit tënd që ushton si krua.
Muzgjet e mbështollën fshatin cep më cep
Dhe imazhi yt vjen e ikën ndër agime,
Të lyp në një valë e ti shfaqesh në një breg,
Në ëndrrat e pasosura, për ty, nëna ime…
H,,,@..B..H.