Mjekja pediatre Liri Gjika hyri në pavion dhe ndieu njëfarë qetësimi e çlirimi teksa vështronte rregullin dhe pastërtinë që sundonte kudo. Teksa po kontrollonte shtretërit e saj, së pari ajo shkoj tek një nënë e re që kishte dy orë që kishte lindur një bebe të bukur dhe me një peshe rreth katër kilogram. Nëna e re dukej e zbehtë, por një shkëlqim lëbyrës digjej në sytë e saj të gjallë e të të bukur, ku shkëlqenin shandanët e një pritje të bukur. Ajo i përkëdheli ballin nënës së re dhe pastaj kapi dorën e vogël të bebit, i cili qe i seksit mashkull. Ndjeu pushtetin e një drite të beftë ta pushtonte me një zotërim gjithëpërfshirës.
-Bebin e ke mashalla!-i tha nënës së re.-Zoti e bekoftë dhe pastë gjithë të mirat e kësaj bote!
-Faleminderit,-pëshpëriti nëna e re dhe dukej se diçka kishte ngecur si një mirazh në sytë e saj të thellë e të trazuar.
-Nesër do të dalësh, -iu drejtua mjekja me butësi.-Mundohu të lajmërosh bashkëshortin ose familjarët tuaj.
Tjetra mbeti disi pezull dhe befas i shpëtuan disa pika lotë…Një çehre ngjyrë trëndafili ia përshkonte çdo pore të lëkurës dhe dalëngadalë ajo ngjyrë po kthehej në një purpur të ndezur.
-Sikur nuk po gëzohesh,-i foli mjekja duke e prekur te balli…-Ç’janë keto lotë?! Nuk duhet të shqetësohesh për asgjë…Stresi nuk i bën mirë qumëshit të gjirit dhe nuk është mirë për bebin që do ta pijë…
Tjetra qëndronte disi e hutuar, e shpërqëndruar dhe me sytë në lëvizje, sikur kërkonte një oaz prehje. Gjithçkaje tek ajo mbante vulën e dyzimit dhe një ankth i verdhë dukej sikur qëndronte pezull mbi kokën e saj të vogël simetrike.
-Zemër,- iu drejtua mjekja nënës së re,- pse nuk i ke vënë emër bebit? Apo ia ke lënë ta vendosi bashkeshorti?
Nëna e re u mendua pak dhe theksoi një emër.
-Doktoresha, a të pëlqen ti vë emrin Mjaltim?
-Ooooo, shumë i bukur! Këtë emër mban dhe djali im i vetëm ose më saktë fëmija im i vetëm, se Zoti nuk më dha fëmijë tjetër,-foli mjekja, e çuditur nga dëshira për t’iu hapur kësaj gruaje të panjohur.
Nëna e re buzëqeshi dhe pas një heshtje të shkurtër e pyeti mjeken:
– Sa vjeç e ke djalin doktoresha?
-Dalëngadalë po i mbush të tridhjetat…
-Të fejuar e ke apo beqar ?
-Jo, nuk e kam fejuar, e kam lënë të vendosë vetë për jeten e tij.
-Po ty ku të punon bashkëshorti?- nxitoi ta pyeste mjekja.
-Unë nuk kam bashkëshort, iu përgjigj nëna e re. Psherëtiu thellë dhe duke e vështruar mjeken në sy vazhdoi: -Pak kohë më parë dashuroja marrëzisht një djalë student. Kur mbeta me barrë, ai më la, por dhe për një vit me radhë më bënte presion ta dështoja fëmijën. Por unë vendosa ta lind dhe do ta rris dhe pa baba.Unë e di se sa vështirë është të rritësh fëmijën pa baba. Unë vetë jam rritur pa baba. Nëna më ka rritur me shumë mundime dhe çfarë është më e keqe, se nëna nuk donte që une ta lindja këtë fëmijë.Për këte ne u larguam nga qyteti ynë dhe erdhëm këtu në Tiranë nga turpi i përgojimit të bashkëqytetarëve tanë.
Mjekja kishte mbetur në mëdyshje dhe qe ndezur lulkuq në fytyrë. Po e përjetonte emocionalisht dhe me shumë dhimbje fatin e kësaj gruaje të braktisur, të cilën kishin bërë gjithçka qe e mundur që ta pengonin për t’u bërë nënë. A ka krim më të madh?! Si mund ta privosh një femër nga gjëja më e plotë dhe më e shenjtë, nga dhuntia sa njerëzore aq dhe hyjonore për të lindur dhe rritur krijesën e saj?!
-Doktoresha,-foli nëna e re duke e vështruar tjetrën me një mirëdashje lehtësisht të lexueshme,-të kam sjellë një dhuratë të vogël…Mos ma prish. Është një punim artizanal i bërë me grep, ku një nënë i jep të pijë fëmijës së saj të parë. E kam bërë me duart e mia për ty…
-Oooo, nuk di si të të falenderoj…je e mrekullueshme.
Ajo zgjati duart tek komodina dhe mori çantën e saj, për të nxjerrë që andej dhuratën për mjeken, por çanta i rrëshqiti nga duart dhe ra në dyshime, duke u hapur dhe prej saj ranë disa gjëra duke u rrokullisur. Prej çantës rrëshqiti e ra dhe një foto të cilën nëna e re nxitoi ta merrte me shpjetësi.
Mjekja pediatre pati shtangur ashtu në këmbë, me vështrimin të ngulitur në gjestet e çuditshme të pacientes lehonë. Atë çast diçka i flakëriu në sy tek shihte atë foto dhe klithi:
-Prit, të lutem! Ma jep atë foto ta shoh!
-Doktoresha, të lutem, mos ma kërko këtë. Është intime, më përket vetëm mua!
-Ma jep, të lutem!-Në tonin e saj lutës kishte diçka këmbëngulëse, të parefuzueshme…
Ajo i zgjati foton, nga ku vështronte një djalë simpatik, me syze dielli, me një buzëqeshje të gjërë e të thellë, që rrezatonte hijeshi dhe fisnikëri.
-Është i ati i fëmijës, doktoreshë…
Por çuditërisht, mjekja qe zverdhur e bërë meit në fytyrë dhe ashtu e përfshirë në një gjendje ankthi dhe pritjeje pa cak, në kufijtë e një shpërfytyrimi nga e panjohura, bënte gjeste të pakuptimta…
-Moj bijë,-foli më në fund ajo,-ky në foto…është im bir, Mjaltimi…
Tani ishte radha e nënës së re të tramaksej në një gjendje çudie dhe hutie të pa cak…
Mjekja e mori fëmijën në krah dhe e përkëdheli lehtë, me duart e saj ende të bukura, ku dilnin në pah gishtat e saj të hollë e të gjatë…
-Ylli im, sa i bukur je!-foli ajo duke përkëdhelur beben. Pastaj iu drejtua nënës së re:
-Bëju gati, bija ime, se do të shkojmë në shtëpi…Fëmija ka nevojë për nënën e tij, të jetojë sa më mirë dhe të ushqehet me qumësht të pastër gjiri. Unë dhe Mjaltimi, biri im i dashur,kemi nevojë, kemi shumë nevojë për ju të dy…
Nxorri celularin dhe formoi numrin e të birit:
-Mjaltim, bir, ku je?
-Në lokal Pandora mama, po pi kafe.
-Prit aty, po vij me dy mysafirë të rrallë…
-Po më suprizon mama, mezi po pres…
Ajo mori beben në krah dhe nëna e re i ndoqi pas nëpër koridorin e gjatë të spitalit. Jashtë ajo porositi një taksi, që ndaloi para lokal “Pandora”. I biri, që qe ngritur në këmbë duke pritur, pa të ëmën me një bebe në dorë, atë…të dashurën e tij…
-Këta janë mysafirët. Këtë grua e njeh mirë, kurse këtë bebe e shikon për herë të parë. Është yt bir. Fryt i dashurisë tënde me këtë nënë të re, biri im!
Mjaltimi qe zbehur, por dalëngadalë një ngjyrë e ëmbël trëndafili po ia përskuqte faqet rinore, teksa vështronte me adhurim atë krijesë të vogël, aq të bukur…Ideja se ishte i biri që sapo kishte ardhur në jetë po e mbushte me emocione të befta…Ia mori të ëmës atë krijesë të vogël dhe me sytë e mbushur me lotë, foli:
-Eja mama, na prij të shkojmë të marrim makinën që kam lënë parkim dhe ikim të gjithë në shtëpi. Sonte do ta djegim, kemi rastin më të madh të jetës sime për të festuar!…