MOS PËSHTYJ NË ËNDËRRËN TIME TË PËRHERËSHME…
I kam mbetur borxh këtij shpirti
Për vitet që ikën
Qindra herë më kishe përberë sy më sy
Unë besoja në yjet e qiellit se ti ishe ai vetë
Në rrezen e diellit që më ngroh
Fjalët e bardha i ruaj ende në kutinë e sekretit me dry në shpirt…
Pështyve në ëndrrën time të përhershme..
Zvarranikët u përbiruan vrimash rrënojave..
Nuk e di pse mbrëmë të pashë mbi kali të bardhë
Sot më ndjek djalli tejpërtej
Dua të të takoj
Ta shoh dritën e syrit që shkëlqen
Lumturinë e lexoj ballit tënd në rrudha
Jetën e tragjedisë nuk do t’ia falja as hasmit…
Dhimbjen ia fala gurit…
Në mes të hënës do flija me puthjen tënde në buzë
Të isha betuar dhe premtimin do ta mbaj ndrydhur në dry
Damarëve të gjakut ndiej mallin e dhembjen
Që të ndiej
Për të jetuar jetën!