13.5 C
Tiranë
E enjte, 12 Mars 2026

Jahja Lluka

Elaborat:
Qendra Përkujtimore e Gjenocidit “Bllacë 1999”
Sfondi historik.
Me ndryshimet kushtuese të imponuara nga Serbia, më 23 mars 1989 në Kuvendin Krahinës së Kosovës do të ndryshojë edhe Kushtetuta e vitit 1974, me çka u suprimua autonomia e Kosovës në Federatën e Jugosllavisë, duke e shndërruar Kosovën në pjesë përbërëse të Serbisë. Pas kësaj filloi një presion ndaj popullatës shqiptare në Kosovë, e cila ishte e detyruar të tërhiqet nga të gjitha institucionet dhe të vetorganizohen në të gjitha fushat e jetës shoqërore politike. Kështu, më 2 korrik 1990 Kuvendi i Kosovës e shpalli Deklaratën Kushtetuese, që e definonte Kosovën si Republikë. Deklarata e Pavarësisë u pasua me nxjerrjen e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, më 7 shtator të vitit 1990 në Kaçanik. Më pas, me fillimin e shpërbërjes së Jugosllavisë, Kosova e organizoi edhe referendumin për pavarësi e sovranitet, të mbajtur në shtatorin e vitit 1991. Nga ky moment, në Kosovë u instalua sistemi i organizimit paralel, që pasoi me zgjedhjet e mbajtura jashtë sistemit juridik jugosllav ose, më saktë, serb.
Dhjetë vitet e kësaj gjendjeje (1989-1999) lanë pasoja të rënda për jetën e njerëzve me persekutime, burgosje, maltretime, por lanë pasoja edhe mbi arsimin, shkencën, kulturën, sportin etj. Gjatë kësaj kohe shqiptarët e mërgatës ishin ata që, duke mbledhur fonde, u munduan ta mbajnë gjallë arsimin, por edhe institucionet paralele shtetërore.
Si rezultat i kësaj gjendjeje, erdhi deri te organizimi ushtarak i shqiptarëve të Kosovës, që nënkuptonte edhe reagimin e shtetit të atëhershëm jugosllav. Kështu më 5 mars të vitit 1998 forcat serbe e sulmojnë fshatin Prekaz i Poshtëm, ku e vrasin Adem Jasharin bashkë me 20 anëtarë të familjes së tij (10 prej të cilëve fëmijë), ndërsa numri i përgjithshëm i të vrarëve shqiptarë në atë aksion ishte 55 njerëz.
Kështu edhe filloi rezistenca e armatosur, që erdhi deri në masakrën e Reçakut më 15 janar 1999, kur forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë, që u raportua nga Shefi i Misionit Mbikëqyrës të atëhershëm të OSBE-së në Kosovë. Pas kësaj vijuan sulmet e NATO-s mbi caqet serbe, që filluan më 24 mars 1999 dhe zgjatën 78 ditë. Më 9 qershor 1999 në Kumanovë u nënshkrua marrëveshja ndërmjet NATO-s dhe RSFJ-së, që nënkuptonte largimin e ushtrisë jugosllave nga Kosova dhe vendosjen e forcave të NATO-s, të quajtura KFOR.
Sipas raportimeve të bëra, gjatë këtij konflikti luftarak janë vrarë 13.549 persona, prej tyre 76 % civilë, ndërsa 24% kanë qenë pjesëtarë të forcave të armatosura. 1.400 viktima kanë qenë të moshës nën 18 vjeç.
Gjatë kësaj kohe, përveç veprimeve luftarake, ajo që pësoi më së shumti ishte popullata civile. Sipas raportit të Kryqit të Kuq të Maqedonisë, që e ka ndjekur gjithë situatën në atë kohë, gjatë vitit 1998 – për shkak të veprimeve luftarake, në Maqedoni ishin vendosur 800 refugjatë. Kjo situatë ishte e menaxhueshme derisa ishte në këto shifra. Por, kur filluan sulmet e NATO-s në Serbi dhe në pika të tjera ushtrisë jugosllave në Kosovë, gjendja u bë shumë e vështirë për popullatën civile. Prandaj pranvera e vitit 1999 ishte vala më e madhe e refugjatëve në Maqedoni. Sipas Kryqit të Kuq, ky numër për një javë u rrit në 400.000 sosh, që ishte një krizë e papërballueshme për Maqedoninë. Kështu, derisa Maqedonia po merrej me organizimin e pritjes së valës së refugjatëve, nga 31 marsi deri më 6 prill 1999 në pikën kufitare të Bllacës, në territorin e Maqedonisë, qëndruan disa qindra mijë kosovarë, të ardhur me tren, me makina, por edhe në këmbë, që qëndruan aty disa ditë derisa u zgjidh çështja e kampeve të refugjatë brenda vendit dhe transportimi i tyre në vende të treta.
Ato ishin ditë të rënda, sepse qindra mijëra njerëz u desh t’i kalojnë netët në qiell të hapur. Prandaj, për shkak të motit të ligë, mungesës së ushqimeve (edhe pse aktivistët humanitarë dhe bamirësit ndihmonin me sa fuqi kishin), u shënuan dhjetëra vdekje, veçanërisht të fëmijëve dhe mbetën trauma të pashlyeshme për ata njerëz. Kjo zgjati derisa Republika e Maqedonisë gjeti mundësitë dhe krijoi kapacitete që t’i pranojë këta refugjatë, për çka u angazhua gjithë bota e qytetëruar. Por, Bllaca mbeti sinonim i Holokaustit për shqiptarët, që gjatë asaj jave të valës së refugjatëve mbetën në qiell të hapur, duke u përpjekur ta shpëtojnë ekzistencën e tyre. Ngjashëm me rrëfimin biblik të Eksodit.
Sipas asaj që shkruhet në të dhënat e Kryqit të Kuq, nga Kosova janë deportuar gjithsej 920.000 persona, ndërsa në Maqedoni gjatë gjithë krizës janë vendosur diku 440.000 refugjatë. Për këtë arsye, atëbotë në Maqedoni u ndërtuan disa lagje/kampe të përkohshme për refugjatë, si në: Stenkovec, Radushë, Çegran, Neproshten, Katllanovë, Dare Bomboll – Vodno, Strugë, Lubancë, Çiçino Sello, Shuto Orizarë, që u ngritën në tenda me ndihmë të organizatave të ndryshme ndërkombëtare. Vetëm gjatë kësaj kohe në zbutjen e kësaj krize ndihmuan Kryqi i Kuq i Gjermanisë, Kryqi i Kuq i Finlandës, Kryqi i Kuq i Spanjës, Kryqi i Kuq i SHBA-ve, Gjysmëhëna e Turqisë, Gjysmëhëna e Kuvajtit, “Mjekët pa kufi” etj.
Gjatë dhe pas vendosjes së refugjatëve nëpër kampe janë regjistruar 400 fëmijë të humbur, që është dashur të bashkohen me familjet e tyre, ndërsa janë regjistruar edhe 1.670 kërkesa për gjetje të familjeve, nga të cilat 734 kanë rezultuar me sukses. Përveç vendosjes në kampe të refugjatëve, atëbotë është shënuar një solidarizim i paparë nga popullata në Maqedoni, e cila gati 60% të refugjatëve i mori në shtëpi private.
Kriza e refugjatëve përfundoi në verën e vitit 1999, pas futjes së NATO-s në Kosovë, kur shumica e tyre u kthyen në vatrat e tyre.
Qendra Përkujtimore në frymë të kohezionit
Për Republikën e Kosovës ngjarja e krejt luftës së viteve 1998-199 dhe, sidomos, kriza e refugjatëve, që metaforizohet në javën e qëndrimit në golgotën e Bllacës, është pjesë e pandashme e ndërtimit të shtetit të Kosovës dhe prandaj duhet një konservim i kujtesës kolektive historike për gjeneratat e reja dhe për opinionin botëror. Ndërsa për Maqedoninë kjo ngjarje është shenjë e një shteti fqinj, që ato ditë të rënda, si “miku i mirë në ditë të vështirë”, iu gjet pranë fqinjit të saj. Kjo është shkak që kjo histori të përjetësohet përmes një qendre përkujtimore, që do ta shënonte këtë dramë, ndërsa ngritja e saj do të ishte mirë të bëhej pikërisht në 20-vjetorin e ngjarjes (prill 2019).
Përveç kësaj, për Republikën e Maqedonisë kjo qendër do të ishte simbol i ndihmës, bamirësisë, solidaritetit dhe sakrificës jo vetëm në ditët e Bllacës, por gjatë gjithë krizës së refugjatëve në Maqedoni dhe do të ishte një imazh i mirë i vendit se si dhe sa ka ndihmuar në atë katastrofë humanitare. Të kujtojmë këtu se sa është e rëndësishme në marrëdhëniet ndërkombëtare të dëshmohet se cilat vende dhe kombe kanë ndihmuar në shpëtimin e hebrenjve në Luftën e Dytë Botërore. Në këtë drejtim, Maqedonisë do i atribuohej epiteti i vendit që ka qenë shkaktari kryesor i shpëtimit të jetës së gati gjysmë milioni njerëz dhe kjo është një meritë jo e vogël në arenën ndërkombëtare. Përveç kësaj, kjo do të ishte edhe një peng i marrëdhënieve të mira shqiptaro-maqedonase, gjegjësisht kosovare-maqedonase, që flet se këta dy popuj dhe shtete në momente kritike janë ndihmuar mes vete, që për gjeneratat e reja do të ishte mesazh për kohezion dhe bashkëjetesë ndërfqinjësore.
Ndërkaq, për Republikën e Kosovës, një qendër përkujtimore në Bllacë do të ishte një metaforë e përpjekjes së shqiptarëve për liri, e vuajtjeve dhe e sakrificës, që për gjeneratat e reja do të ishte një “Jad Vashem” i holokaustit, eksodit dhe kalvarit nëpër të cilin ka kaluar popullata e Kosovës në kapërcyell të shekujve.
Natyrisht, duke pasur parasysh kontekstin e ri euro-atlantik, kjo qendër nuk do të duhej të shërbente për të hapur plagë të vjetra dhe urrejtje, por më shumë për të tërhequr vëmendjen se për sa pak kohë dhe shkujdesje ka nevojë krimi, që t’i rikthejë pamjet e holokaustit të Luftës së Dytë Botërore. Në këtë drejtim qendra nuk duhet për shërbejë për të ndërtuar akuza ndaj ndonjë kombi sot, sepse tashmë jemi në një kontekst tjetër historik dhe politik, ku i gjithë rajoni ka synime euro-integruese dhe kur kjo e kaluar ka mbetur si kujtim i hidhur. Bile, kjo qendër mund të ishte edhe pika e kërkimflajes dhe pajtimit mes kombeve ballkanike, në këtë rast mes shqiptarëve dhe serbëve, siç ndodhi para do kohe me përkuljen e presidentit serb në Srebrenicë.
Emërtimi
Propozimi jonë është që emri i kësaj pike përkujtimore të jetë “Qendra Përkujtimore e Holokaustit Shqiptar Bllacë 1999” .
E kemi lënë emërtimin “qendër” për disa arsye: 1) synojmë të jetë qendër e pelegrinazhit shqiptar; 2) synojmë të jetë më shumë se muze; dhe 3) qendra do të nënkuptonte jo diçka periferike, por një bërthamë.
Pjesa “përkujtimore” është në fakt shqipërimi i mbiemrit “memoriale”, sepse ajo e ka rolin pikërisht të ruajtjes së kujtesës kolektive për një histori të kaluar.
E kemi quajtur “e Holokaustit”, sepse për shqiptarët e Kosovës përzënia e 1 milion njerëzve nga trojet e veta ka qenë një përpjekje për shfarosje totale, e ngjashme me atë që e bënë nazistët ndaj hebrenjve në Luftën e Dytë Botërore. Së dyti, tashmë termi holokaust (nga greqishtja holos – plotësisht dhe causton – djegie) është sinonimi më i saktë i vuajtjes së një kombi për shkak se ka qenë “tjetri” në një kontekst historik.
E kemi quajtur “shqiptar”, sepse synojmë që ajo të jetë më kuptimplote se vetëm kosovare, pra t’i përfshijë edhe shqiptarët e tjerë në Ballkan.
Dhe, e kemi lënë “Bllacë 1999”, duke që synuar këtë emërtim ta bëjmë metaforë të vuajtjeve të shqiptarëve, sepse edhe si e tillë ajo tashmë në diskursin publik funksionon për këtë qëllim.
Kufiri
Ideja e jonë është që në pikën kufitare Bllacë, në anën e lumit Lepenc, të ngrihet një qendër përkujtimore për ngjarjen e refugjatëve në Bllacë, si dhe e pranisë së refugjatëve në kampet e refugjatëve në Maqedoni, por edhe në shtëpi private.
Vendosja e qendrës në kufi është edhe me një çelës i marrëdhënieve të mira të Maqedonisë dhe Kosovës, por edhe çelës i dëshmisë se ky kufi dikur ka qenë vija e ndarjes së jetës dhe vdekjes. Kalimi i këtij kufiri dikur ka shënuar shpëtimin. Ndërkaq, sot me menaxhimin e përbashkët të kufijve, me kalimin e kufirit me letërnjoftime, si dhe me synimin e liberalizimit të kufijve brenda BE-së, ky kufi do të jetë një relikt i së kaluarës së këtyre popujve dhe shteteve.
Përshkrimi fizik
Kjo qendër përkujtimore, që do të ishte e vendosur në një hapësirë, relativisht, modeste fizike, do të duhej të kishte edhe një ndërtesë modeste dhe të bukur. Qendra duhet të përbëhet nga dy pjesë: muzeu dhe obelisku.
Në pjesën e muzeut duhet të mblidhen të gjitha materialet që kanë mbetur nga ajo kohë, që e shënojnë atë ngjarje. Para së gjithash këtu duhet të vendoset një vagon i trenit që atëherë i ka prurë refugjatë në Bllacë, aty duhet të ketë ekspozitë të përhershme me fotografi, video-xhirime dhe gjësende të asaj kohe, që mund të shërbejnë për ta krijuar atmosferën e fillim-prillit të vitit 1999. Ndonëse është detyrë e arkitektëve, propozimi jonë është që vetë shtëpia të ishte një objekt që e krijon atmosferën e atyre momenteve.
Përveç pjesës së muzeut, propozojmë që aty të ndërtohet një obelisk i gjatë (të hapet konkurs për realizim artistik), që e tërheq vëmendjen e kalimtarëve dhe që do të jetë përmendorja ku do të kujtohet kjo ngjarje famëkeqe. Përreth obeliskut do të ishte mirë të rregullohet një park me lule e me flamurë të Maqedonisë e të Kosovës, që do të jetë “parku i miqësisë” ndërshtetërore.
Departamentet dhe veprimtaritë
Që kjo qendër përkujtimore të mund të funksionojë si qendrat më bashkëkohore përkujtimore, ajo duhet t’i ketë në vete disa departamente që mund të ushtrojnë disa veprimtari të ndryshme:
1) Arkivi
Arkivi është pika që i mbledhë të gjithë materialet dhe gjësendet që kanë lidhje me historinë në fjalë. Në arkiv ruhen edhe origjinalet e të gjitha dokumenteve, fotografive dhe video-materialeve që i takon Qendrës dhe që kanë të bëjnë me historinë e saj. Gjithashtu Arkivi e ruan edhe administratën e Qendrës, të dhënat për numrin e vizitorëve, për vendet nga të cilat është vizituar qendra etj. Këto me kalimin e kohës bëhen të dhëna shumë të rëndësishme në promovimin e kësaj qendre në botë.
2) Muzeu
Muzeu është pjesa qendrore e Qendrës. Në të janë të përfshirë këto elemente:
– Hapësirë për ekspozimin e të gjitha materialeve autentike të konservuara nga ngjarja e prillit të vitit 1999 (treni, veshje, orendi, ambalazhe etj.)
– Hapësirë për ekspozitë të përhershme – për këtë duhet një hapësirë pak më e madhe, sepse aty do të duhej të ekspozoheshin shumë fotografi dhe materiale të tjera, si dokumente, që janë të rëndësishme për Qendrën. Kjo kërkon një zgjidhje artistike që secilin vizitor e fut në atmosferën e ngjarjes përkatëse historike. Në kuadër të kësaj hapësire do të ishte mirë që fundi i vizitës së fotografive të kulminojë me një emision të shkurtër dokumentar (5-10 min) për ngjarjen në fjalë.
– Hapësirë për ekspozita dokumentare dhe artistike – në këtë hapësirë është menduar që autorë të huaj, që nuk janë të punësuar në Qendër, por që kanë materiale për historinë e kësaj ngjarje, të mund t’i ekspozojnë ato në periudha të ndryshme kohore. Në këtë hapësirë mund të ekspozohen edhe punime të tjera artistike që kanë të bëjnë me temën e Qendrës, por edhe të organizohen koloni artistike etj.
3) Instituti
Një departament i veçantë i Qendrës do të ishte krijimi i një instituti hulumtues shkencor, që ka për qëllim vetëm hulumtimin e të dhënave mbi historinë e fillim-prillit 1999 në Bllacë, për luftën e viteve 1998-1999, për të gjitha vuajtjet e shkaktuara nga ai konflikt, për kampet e refugjatëve në Maqedoni, për historitë familjare të refugjatëve etj. Ky institut mund të bëhet një pikë e referencës shkencore përkitazi me këtë ngjarje.
Në këtë institut do të ishin të angazhuar historianë, mjekë, sociologë, psikologë e artistë. Këta hulumtues, sipas natyrës së punës – përveç hulumtimit, do të duhet të marrin pjesë në sa shumë konferenca shkencore, që tema e ngjarjes së prillit të Bllacës 1999 të ndërkombëtarizohet sa më shumë dhe të kalojë në stad të studimit shkencor.
Një veprimtari tjetër e Institutit duhet të jetë edhe edukimi. Me qëllim që gjeneratat e reja të njihen me këtë ngjarje, Instituti do të duhet të organizojë edhe kurse dhe vizita informative nëpër shkolla dhe nëpër universitete. “Edukimi për Holokaustin shqiptar” do të duhej të përfshijë edha shkolla verore, ndërsa – bashke me Institutin e Qendrës – duhet të organizojnë “Studime për Holokaustin shqiptar”, që mund të jenë specializime ose studime master, në mënyrë që kjo temë të trajtohet në nivele akademike.
Përveç kësaj, Instituti – në emër të Qendrës – duhet të bëjë edhe botime të librave për fëmijë dhe për të rritur me këtë histori dhe këto të jenë botime sa më shumë të shpërndara nëpër të gjitha gjuhët e botës.
Një veprimtari tjetër e Institutit duhet të jetë edhe organizimi i ngjarjeve dhe aktiviteteve shkencore. Një cikël ligjëratash nëpër shkolla, disa tribuna shkencore gjatë vitit ose disa debate për temën e ngjarjes së prillit të vitit 1999 në Bllacë, janë mjete me të cilët animohet edhe pjesa tjetër e opinionit që ta kuptojë rëndësinë e kësaj teme dhe të jetë më shumë e interesuar për të. Ndërkaq simpoziumet dhe konferencat serioze shkencore, së paku një e tillë në vit me studiues të vendit dhe të huaj, do të ishin mënyra më qëlluar e studimit dhe promovimit të kësaj historie.
4) Biblioteka
Një Qendre të përmasave të këtilla i duhet detyrimisht edhe një bibliotekë, e cila do ta mbledhë gjithë literaturën e shkruar në çfarëdo gjuhe për këtë ngjarje, madje edhe botimet e gazetave dhe raportimet e organizatave humanitare të kohës, që kanë bërë fjalë përkitazi me këtë ngjarje.
Kjo bibliotekë do të jetë epiqendra e gjithë literaturës në të gjitha gjuhët përkitazi me këtë çështje. Për këtë qëllim ajo duhet të vendosë kontakt me të gjitha bibliotekat nacionale të rajonit dhe me sa më shumë biblioteka të institucioneve shkencore e arsimore të vendeve të botës, për ta mbledhë në një pikë gjithë këtë literaturë. Në këtë mënyrë biblioteka e Qendrës Përkujtimore të Holokaustit Shqiptar do të jetë strumbullari i të gjitha punimeve shkencore që do të shkruhen mbi këtë histori.
5) Digjitalizimi dhe promovimi
Duke qenë pjesë e një botë digjitale, të gjitha materialet dhe aktivitetet e Qendrës do të duhet të promovohen në platformat e ndryshme të internetit, ndërsa të gjitha materialet e shtypura do të duhet të digjitalizohen dhe të prezantohen në ueb-faqen e Qendrës dhe në platformat e tjera elektronike, duke krijuar një korpus elektronik të kësaj historie.
Në kuadër të kësaj veprimtarie bie edhe përgatitja e video-materialeve, që do të jenë si filma dokumentarë, filma të metrazhit të shkurtër, video nga arkiva etj.
6) Ngjarje dhe fushata sensibilizmi për paqe
Qendra duhet të organizojë edhe ngjarje dhe aktivitete të tjera, që mund të jenë mënyrë e sensibilimit të historisë së trajtuar nga ajo ose të vetë qendrës. Një marsh nga Prishtina ose Shkupi deri në Bllacë, një maratonë, një garë me biçikleta, një turne në ndonjë sport, një koloni artistike ose një garë në projekte filmike të kësaj teme, janë mënyra të qëlluara që edhe ngjarja historike të përkujtohet, por edhe që të afirmohet puna e Qendrës.
Në këtë drejtim, një veprimtari e veçantë e Qendrës do të ishte një fushatë e saj “Për paqe dhe pajtim”, që do të duhej të shtrihet dhe propagandohet në të gjitha vendet e rajonit, kjo duke e marrë si shembull këtë ngjarje për të mësuar se sa është e rëndësishme paqja për jetën e njerëzve.
7) Këndi i falënderimit dhe përkujtimit
Në Qendër do të duhej të bëhet edhe një “Kënd i falënderimit”, ku do të shkruheshin emrat e të gjithë politikanëve të huaj e vendorë, organizatave dhe personaliteteve të tjera që kanë ndihmuar në zbutjen e kësaj tragjedie humanitare. Mund të ketë foto nga vizita e Presidentit Klinton (dhe të tjerëve) në kampin “Stenkovec” etj.
Ndërkaq edhe “Fletorja e kujtimeve”, ku do t’i shkruajnë kujtimet e tyre vizitorët e qendrës mund të jetë një burim i rëndësishëm jo vetëm për ta vlerësuar punën e Qendrës, por edhe për të vjelë kujtime për historinë e kësaj ngjarje, si edhe për vizitën në Qendër.
“Pelegrinazhi i Holokaustit shqiptar”
Pas krijimit të kësaj qendre përkujtimore, gjashtë ditët e para të prillit çdo vit duhet të jenë “pelegrinazhi i Holokaustit shqiptar” i kujtimit të ngjarjes së Bllacës dhe i krizës së refugjatëve në Maqedoni. Të gjithë nxënësit, studentët dhe qytetarët e tjerë të Kosovës dhe shqiptarët e tjerë të Ballkanit dhe të mërgatës do të duhej që ato ditë ta vizitojnë Qendrën, të bëjnë homazhe, të vendosin lule të freskëta dhe të kujtohen për ta freskuar memorien kolektive për atë histori të trishtë të shqiptarëve të Kosovës në kapërcyell të shekullit XX dhe XXI. Ajo qendër do të ishte simboli i vuajtjes së shqiptarëve në fund të shekullit XX.
Përveç ditëve të pelegrinazhit, secilin vit në këtë qendër mund të organizohen edhe aktivitete artistike, konferenca, koloni artistike, mbrëmje poetike, shfaqje dramatike etj. Po ashtu secili burrështetas, që e viziton Kosovën, do të duhej ta vizitojë edhe atë qendër përkujtimore për ta ndërkombëtarizuar vuajtjen e shqiptarëve për paqe në Ballkan.
Për Maqedoninë, ky do të ishte një imazh i shkëlqyeshëm në sy të botës, sepse ka qenë pikërisht Maqedonia ajo që e ka ndihmuar Kosovën në ato çaste dhe që përsëri kjo qendër do të jetë e vendosur në territorin e Maqedonisë.
Një dimension tjetër i kësaj qendre do të ishte edhe aspekti komercial, sepse një pikë e tillë, që do të ishte me interes për gjithë botën shqiptare. Pos kësaj, meqë monumenti artistik do të ishte joshës edhe për turistët dhe vizitorët e rastit, kjo nënkupton edhe përfitime komerciale, që janë të njohura për qendra të tilla.
Propozim-përfundimi
Propozuesit e kësaj qendre përkujtimore, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup dhe Shoqata për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur nga Trojet e Veta – Prishtinë u propozojnë dy qeverive përkatëse që në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive ta shqyrtojnë këtë propozim dhe atë ta vendosin në buxhetin e vitit të ardhshëm, duke caktuar koordinatorë të projektit nga të dyja palët. Përkitazi me këtë dy propozuesit janë në dispozicion të dy qeverive përkatëse që ta vënë në shërbimin e tyre gjithë kapacitetin shkencor dhe të gjitha resurset e tjera për realizimin e këtij projekti.
Detajet e tjera të menaxhimit të Qendrës Përkujtimore (statusi juridik, drejtoria, financat, shërbimet administrative, ciceronët, kustosët, hulumtuesit etj.) do të duhej të precizohen në marrëdhëniet ndërshtetërore.
Sami Sherifi dhe 9 të tjerë
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.