Fryt i pasionit të studiuesit serioz
Kërkesat e z. Florian Çela për t’i dhënë informacion rreth historikut të shkollës dhe për t’i shkruar parathënien e librit “Historiku i arsimit në Pogradec” i prita me kënaqësi për një arsye të thjeshtë:
E gjithë jeta ime është lidhur me arsimin.
Respektin për arsimin ma kultivoi herët një burrë që nuk kishte shkuar kurrë në shkollë, që mësoi me të vjedhur disa germa sa për të lexuar gazetat e rralla, që punonte nga mëngjesi deri në darkë për të mbajtur familjen e shtuar me nëntë frymë.
Ky burrë ishte babai im.
E kisha parë të ndalonte para shkollës, të nxirrte kutinë e duhanit, të mbushte çibukun, ta thithte dy tri herë para se të vazhdonte rrugën për të korrur apo kositur . Atëherë e mendoja rit duhanpirësish po më vonë e kuptova se qe shumë më tepër se aq:
Respekti gati hyjnor per shkollën i njëjtë me xhaminë e fshatit që do të prishej shumë shpejt .
Respekti për shkollën, mësuesit që udhëtonin dy e tre orë në këmbë çdo të hënë në orën pesë të mëngjesit për ta arritur fillimin e mësimit në shkollat e largëta, nxënësit që vinin me duar të mardhura në godinat modeste të kohës e ruajta të pacenuar vite të gjata kur punova mësues, drejtor shkolle, inspektor dhe shefi i seksionit të arsimit të rrethit.
Librin e lexova dhe rilexova dorëshkrim si obligim ndaj autorit dhe punës sime shumëvjeçare në aplikimin dhe drejtimin e arsimit. Ditë të tëra udhëtova në shkollat që i njihja mirë, takova mësues të ikur nga kjo botë dhe ata që janë gjallë, takova miqtë e mi drejtorë shkollash dhe inspektorë, udhëtova në bahçen që e njihja aq mirë.
Përshtypja e parë, kultura e të shkruarit.
Me gjuhë të thjeshtë e të qartë, autori jep tablo të gjerë të zhvillimit të arsimit në Pogradec shtrirë në vite. Dokumentet, fotot, faktet e parashtruara në mënyrë rigoroze i le të flasin vetë, pa ndërhyrje dhe emocione vetjake. Në këtë pikë afron me historianët profesionistë që marrin përsipër të tregojnë, jo të interpretojnë, siç ndodh rëndom me të tjerët.
Emocionet ia lënë lexuesit.
Hap pas hapi autori na fut në vragën e studimit, prej nga vështirë shkëputesh pa i nxjerrë fundin. Për arsye të përvojës sime në këtë fushë disa nga penelatat e historikut i kisha kaluar nëpër duar, po këtu gjeta jo thjesht fakte dhe data, analiza dhe parashtrime statistikore, por një vepër shkencore hartuar me kritere të disiplinuara specialistësh, gjeta një dimension të munguar, logjikën shkencore dhe rrjedhshmërinë historike.
Monografia voluminoze e Florian Çelës prezanton të njohurat dhe të panjohurat e një prej dimensioneve themelore të njerëzimit.
Arsimit në Pogradec dhe trevat e tij.
Në historinë e çdo kombi ka ngjarje me përmasa të mëdha, të cilat nga pikëpamja e rolit që kanë luajtur në zhvillimin e tij, përbëjnë kulme të historisë. Hapja e të parës shkollë laike shqipe në pranverën e vitit 1887, pa dyshim shënon kulmin e përpjekjeve titanike të popullit tonë për shkrim e këndim, si pjesë përbërëse e luftës për të drejta kombëtare dhe emancipim shoqëror.
Nuk dimë që mësimi i shkrimit dhe këndimit të gjuhës amtare në vendet rreth e rrotull të ketë kërkuar aq shumë sakrifica dhe dëshmorë të dijes, sa i është dashur të japë popullit tonë. Kur fqinjët e kishin me pash të drejtën të shkruanin gjuhën e tyre, madje të çelnin shkolla në truallin e Shqipërisë, të parëve tanë u ndalohej të mësonin gjuhën amtare.
Akoma në fillim të shekullit të njëzetë, Perandoria Osmane në kalbëzim, regjimi më reaksionar i kohës, pengonte me fanatizëm afirmimin e kombit shqiptar, duke e konsideruar në mënyrë absurde, rrezik për Turqinë. Por, sado vështirësi, plot pengesa, mund e sakrifica deshi rruga e diturisë, asnjëherë nuk reshtën përpjekjet e patriotëve shqiptarë. Bashkë me shpresat, mbinë intrigat, presionet, burgimet, plumbi dhe helmi që këputën jetën e shumë mëmëdhetarëve.
Në lëvizjen kombëtare për hapjen dhe mbrothësinë e shkollës shqipe Pogradeci dhe trevat e tij zënë një vend nderi. Shkolla e dytë laike shqipe u çel në qytetin tonë vetëm një javë pas asaj të Korçës. Pandeli Sotiri në Korçë dhe i vëllai Koço Sotiri në Pogradec kanë hyrë në altarin e historisë së shkrimit e mësimit të gjuhës shqipe si nismëtarët e një epoke të re kombëtare.
Ndonëse viti i bekuar 1887 shënoi fillimin e pandalshëm të arsimit shqiptar, po të zhytemi thellë shekujve të shkuar do të shohim rreze drite kurdo dhe kudo në të gjitha trojet tona, sidomos në Pogradec. Viteve të mëpastajme shkolla dhe arsimi kaluan nëpër kalavare pushtuesish e politikash të mbrapshta që e bënë rrugën e zhvillimit me zigzage, ulje e ngritje shpesh të frikshme e të panevojshme. Historia e konsolidimit të shkollës sonë me prirje evropiane është nga më të lavdishmet e popullit shqiptar. Në rrugën e vështirë të përhapjes së arsimit dhe identitetin kombëtar, lanë gjurmë burra e gra të mrekullueshme që sot qëndrojnë në piedestalin e heronjve të kombit.
Në shekuj, vit pas viti u grumbullua informacion voluminoz, shpërndarë nëpër arkiva, gazeta, revista, fotografi, analiza specialistësh të arsimit. Deri më sot ka munguar historiku i plotë, shtrirë në dhjetëra e qindra vite në rrafsh kombëtar e rajonal. Arsyeja është e thjeshtë, një nismë e tillë kërkonte vullnet dhe pasion, sidomos pasion të madh e të pashtershëm për të zhbiruar dokumentacionin e shpërndarë, të pa sistemuar.
Mësuesi dhe studiuesi i talentuar zoti Florian Çela sjell një punim të rëndë, të plotë dhe pa të çara të historikut të arsimit në Pogradec dhe trevat e tij, i pari i këtij lloji. Nuk është nga ata që dorëzohen. Teksa shfleton faqet e historikut nuk ka si të mos habitesh me tërë ato referenca arkivash, gazetash, revistash, analizash shtrirë përgjatë vitesh. Monografia është epope e përshkruar me saktësi dhe kulturë. Hulumtuesit do të gjejnë fakte të panjohura më parë, mësuesit dhe nxënësit historinë e qashtër të shkollës, shkrimtarët frymëzimin për të thurur letërsi me vlerë të pakontestueshme.
Punimi është fryt i pasionit të studiuesit serioz e të kulturuar.
2021 /