14.5 C
Tiranë
E premte, 11 Korrik 2025

Isuf Sokoli

MREKULLIA

Kur luanim në oborr sodisnim qiellin,
Misterin e pamatë krijuar nga natyra,
Gëzonim e me dorë puthnim diellin ,
Që na ngrohte shpirtin e na qeshte fytyra.
Paradite apo mbasdite, s’e mbaj mend,
Fluturim na erdhi më i madhi peshqesh,
Papritmas qielli u mbulua plot me shpendë,
Dhe zbritën të gjithë në arën para nesh.
Oh, sa shumë ishin, sa një ushtri,
Mrekullia i dha jetë mrekullisë,
Ndoshta erdhën për të na bërë shoqëri,
Si një dhuratë e çmuar e Perëndisë.
Na shikonin e sikur na buzëqeshnin,
Të mëdhenj, të zi, me pupla grila-grila,
Me cicërima sikur na përshëndesnin,
Babai i njohu, tha:-Janë korrila.
Një rast i rrallë, i paharruar përgjithmonë,
U ulën të pushonin pak nga lodhja,
Ndiheshim krenar që zgjodhën arën tonë,
E madhe sa një kala na u duk kasollja.
Kur u ngritën, kthenin kokat e shikonin,
Si ëngjëjt që lënë pas mirësitë,
Me krahët sikur na falënderonin,
Mrekullia e papërsëritur e asaj dite.

Isuf Sokoli

Bolzano: Data. 10. 06. 2022.

“””””””””””””””””””””””””””

FISNIKËRIA
Si dalta që skalit gurin,
Dhe të qeshin shpirt e nur,
Fisnikëria skalit burrin,
Dhe valvitet si flamur.
Ndienja e lartë e fisnikërisë,
Pasqyrë për shpirtbardhësinë,
Është lëndinë e dashurisë,
Ku me mijëra lule mbinë.
Ku lehtë lulet përkëdhel era,
Flladi shpirtin ledhaton,
Pa nda çelin lule të tjera,
Dhe Parajsa të rrethon.
Buzëqeshja mbinë në dhëmbë,
Bujaria në shpirt gjallon,
Intrigat i shuan, i shëmb,
Nuk ecën, por fluturon.
Një pallat madhështor,
Ku banon gjithë mirësia,
E ngre zemra në krahëror,
E ngre veç fisnikëria.

Isuf Sokoli

Bolzano: Data. 5. 06. 2022.

“””””””””””””””””””

S’JE KOT
Njeriu si krijesë e të Madhit Zot,
Nuk vjen në këtë botë krejt kot,
Që është i dobishëm, topi se lot.
Je kot, kur mendon veç për sot,
S’je kot, kur kohën e mbush plot.
Je kot, kur as vetes s’i del zot,
S’je kot, kur me ty askush s’lot.
Je kot, kur kotit i bëhesh hap,
S’je kot, kur t’zotit i bëhesh vrap.
Je kot, kur ndëshkon veten idiot,
S’je kot, kur bëhesh poliglot.
Je kot, kur mendja të merr erë,
S’je kot,.kur bëhesh njeri me vlerë.
Je kot, kur veç fshihesh rrëzave,
S’je kot, kur ju lë trashigimi brezave.
Je kot, kur gëzimin e kthen në lotë,
S’je kot, kur vrapon me mot.
Je kot, kur ndjek ëndërrat e gjumit,
S’je kot, kur vesh krahë pëllumbit.
Je kot, kur veç pushton mrizin,
S’je kot, kur e përkul kurrizin.
Je kot, kur frika të nënshtron,
S’je kot, kur jetën e sfidon.
Je kot, kur jetën e dron,
S’je kot, kur atë e pranon.
Je kot, kur mendon se je kot,
S’je kot, kur beson në Zot.
Je kot, kur vdes duke qarë,
S’je kot, kur vdes si qelibar.
Je kot, kur i vë në gjumë mendtë,
S’je kot, kur të zgjedhin president.
Je kot, kur trurin e mban të tharë,
S’je kot, kur bëhësh shkencëtar.
Je kot, kur ushqehesh me haramin,
S’je kot, kur e vlerëson Khajamin.
* * * * * *
Nga vdekja s’trembëm, s’derdh asnjë lotë,
Se nga drapri i vdekjes s’shpëton dot,
Trembëm nga jeta që i Madhi Zot,
Kot ma dha e unë po ja kthej më kot.

Isuf Sokoli

Bolzano: Data. 2. 06. 2022.

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.