Lexuesit e fjales poetike duan ta dine se kushe eshte “MARSELA NENI (HAXHIMUSAI)
Marsela Neni (Haxhimusai) lindi në Elbasan më 22 gusht të vitit 1984.
Pasi mbaroi shkollën e mesme të gjuhëve të huaja për gjermanisht, studimet i kreu në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në degën e Gjuhës shqipe dhe të letërsisë e më pas kreu Masterin Shkencor në Fakultetin Filologjik në Universitetin e Tiranës për Gjuhësi.
Ka punuar për rreth pesë vjet si lektore e jashtme e lëndës së semiologjisë pranë Universitetit të Elbasanit dhe aktualisht është mësuese në gjimnazin “Mahir Domi”. Që prej vitit 2016 ajo është bashkëautore e librave të Gjuhës shqipe dhe të Letërsisë për klasat X-XII me kurrikulën e re Botime Filara, librin përgatitor të maturës shtetërore “Drejt maturës” 2019, si dhe hartuese, redaktore e korrektore e disa librave ndihmës për nxënësit e arsimit të mesëm të lartë.
Marsela dashuron gjuhën shqipe, leximin dhe të shkruarit, veçanërisht poezinë. Ka nisur të shkruajë që herët, ku dhe është vlerësuar me disa çmime letrare lokale. Disa poezi të saj rinore janë botuar në antologjinë poetike “Kënaqësia e fjalës” Sejko 2002 si dhe në disa gazeta dhe revista lokale. Së fundi shumë prej poezive të saj janë botuar në shtypin e shkruar, si “Mapo”, “Nacional”, revista letrare e Tiranës “illz”, në antologjinë poetike me poezi të përzgjedhura “Vjeshta poetike” si dhe në shumë dritare informativo-kulturore-letrare të shtypit on line.
Ajo është në pritje të botimit të librit të saj të parë, një vëllim poetik me poezi të përzgjedhura në tri periudha të ndryshme të krijimtarisë së saj, të cilat i kushtohen tërësisht gruas.
Cikël me poezi
1.FEMËR
Me ç’duar o Zot më krijove!
Një mrekulli- siç deshe TI !
Një miniaturë të vetes më bëre,
Njerëzimin përmes lindjes ta përtërij.
***
Eshtërpërvjedhur, pëlhurëmishtë,
Sytë- pasqyrë të përtejme bota të kish,
Gji nazemëndafsh, gushë cipëfildish,
Flokë limanprehje si mes resh të ish.
Këmbësorkadhe praruar pyjesh të brishtë,
Ku dehet parajsa me alkimi magjish.
Me arsye e gjykim, mprehtësi më dhe,
Një zemër të madhe sa bota që rreh,
Nga ndjenja dritëbardha e mall plot zjarr,
Fjalë magjiplotë që dhe dhembjen e ndal.
Me vullnet të lirë, sikur në përrallë,
Por të brishtë fizikisht mes suvalës së marrë.
Kur femrën krijove o Zot, ç’mister- mrekulli,
Si vallë s’ mendove për një palë të rinj sy,
Mashkullit t’ia jepje, …t’më shihte si TY?!
E drejtë do t’ishte të ndiente imët sikur unë
Më e mirë do t’ish bota; s’do kish kaq dhunë!
Oh!…Baraz peshorja s’do vriste aq shumë!…
***
Në mundsh, o Zot, të më krijoje
Për së dyti dhe njëherë
Do mundje vallë të më ribëje
Të bukur por kaq të mjerë?!
(2019)
-
Pritja
Të kishe sy për të më parë,
Zhveshur, nën lëkurën e fildishtë
Nuk më rrjedh gjak në damarë,
Po një trishtim i qetë, i brishtë.
Vdekjet e bukura të çdo çasti
Si nëpërgjethe që bien fësht në vjeshtë,
Përhumbur në pyje krijimtarie,
Të pres të vish, si qindra herë!
Marroset vargu dhe nga vetmia,
Vallëzim me ujqërit nis e hedh.
Bashkë me hënën fjalët numërojmë si tespia:
-Shko të flesh!-më thotë ajo. -Nuk vjen!
Ahh! Të kishe sy për të më parë,
Zhveshur, nën lëkurën e pranvertë…
Tash pritjet si gurë palë -palë,
Kanë ngritur rreth meje një kështjellë.
-
Fjala jote, Martin
(Martin Camajt)
Si një pjeshkë
fort e lëngëzuar
në qiellzë më rrëshket
ngadalë, ripërtypur
erë bjeshke
me fresk bore
të saporënë mbi sytha
gjysëm të zhveshur ndjesish
si kjo natë.
E athët pak
ndonjëherë
si kumbull parëvere
që ma mpin mendimin
a si verë prej trëndafili të egër
kur m’i turbullon shqisat…
Nj’ashtu po më duket sonte
fjala jote, Martin!
Fjalë e rëndë
si malli i maleve,
Fjalë e zjarrtë
që ndez pishtarët e natës!
Eros, nën qiej bjeshkësh!
Gjumin sonte
mos ma rrëmbe!
-
Një çast përjetësie
Heshtur…
… fshehur,
me hapa puplore,
ledhatar,
kurmi yt, si gjarpër
më përdridhet
aroma dehëse,
si mijëra trëndafila
mbi shtrat shtojzavallesh.
Ti, bukuri ndjellëse
fjalë fluturake
pëshpërit.
Një tango zemrat tona
performojnë
ëmbëlsisht
dhe fjalët
me ritmin portokalli
përqafuar
butësisht.
Buza nën buzë
humbet
drithërisht.
E kuqja përvëluese
Fundoset
Nën vështrimin blu
…dhe…ahhh-
dallgë oqeanike ndjenjash
Një furtunë, tornado ,tajfun
Shpirtin përfundësisht
Përmbyt në kohën e pafund!
-Të duaaa! –ulëret ai.
-Ki mëshirë!
Dhe! Mall! Qiell! Pafundësi!
Ylbere rrathësh! Boshësi!
Kapërthim trupash dhe …agim!
Pafundësi!
Qiell!
Mall!
-Re?! -Jo!
Rërë e shkrifët.Ti, buzë-deti, lëngësht më puth!
Një karrocë gjumin përkund…
Dhe……shshshshtt…!!!Qe-të-si!
Prush që digjet,
dal-nga-dal,
në përjetë-si!
-
Natë e bardhë
Natë e bardhë
Si thinja pleqërishte
Qëmton shi.
Natë!
Mbi floknajë,
Mbi ndjesi,
Mbi varg.
Natë kujtimesh të grisura.
Natë terri,
Më e zezë se ferri,
Më e bardhë se parajsa.
Gjerbon shi,
N’at strehëz brenda meje
Ku të fsheha ty.
Gjerbon mall!
Gjysmë e lagur përfytyrimesh
Nga një mall që djeg si zjarr
Malli im i bardhë, si perlë e rrallë,
Heshtjen lut pa fjalë:
Ah sikur, shiu i majit veç pak të të ngjajë!
-
Sikur…!
Sikur të qenkësh kaq e lehtë!
T’harroja atë buzëqeshje, bishtfikurit sy;
T’harroja aromëkafen buzë tënden;
T’harroja veten kur jam me ty.
Sikur të qenkësh kaq e lehtë!
T’mohoja kohën që krehëm bashkë;
T’mohoja kujtimet që gërshet i thurëm thjeshtë
T’mohoja ndjenjat që flasin vetë.
Sikur të qenkësh kaq e lehtë!
T’mos ishe veç një varg i trishtë;
T’mos kishe më asgjë të brishtë;
Të mos më vriste krejt mall i ligshtë.
Ah…sikur të qenkësh kaq e lehtë!
A i arratisesh dot dashurisë?!
Sikur botën t’mos ma kishe falur krejt!
S’do t’i hakërrohesha sonte Perëndisë!
-
Një grua që mendon
Një fjalim të ndjerë mbante për gruan dikush,
Të larta, të dhembura, të zjarrta fjalët i kish,
Për të drejtat që gruaja s’i gëzoi kurrë,
Për të drejtat që duhet të luftojë sërish.
Në heterotopitë e qenies një çast humba
Të gjej domethëniet e fjalës rezistencë,
Gjysmën e globit popullon kjo qënie,
Ende minorancë në vendimmarrje do mbesë?
Një grua që mendon pse është e rrezikshme?
Përkufizime arbitrare, mendësi që ndasi mbjell
Mendja edhe zemra edhe duart edhe gjuha
në prespektivën e gabuar-gjykim të rremë sjell.
Një grua që mendon, një burrë që mendon.
Ajo dashuron sikurse dashuron dhe ai.
Diferencat s’munden veçse të na bashkojnë
në thelbin e njëjtë që quhet NJERI.
-
Sus!
Lërmë të të dua sonte
siç di unë,
susss!… Artemisi fle!
sonte jam Afërdita jote!
prehu mbi sytë e mi
si dy copa qielli përhumbur mbi re!
buzët fshihi krejt në ujvarën
e mëndafshtë të floknajës sime,
le të pëshpërisim fshehurazi
të gjithë dialogët e të dashuruarve,
t’ia ndryshojmë fundin“Romeos dhe Zhuljetës“
mos ta lëmë të presë më Penelopën e zhuritur,
T’jetojnë Margaritat e t’mos lëndohen Phsikot
Një Dylqinjëz t’ia lagë buzët e zhgënjyera
Don Kishotëve,
Emat më të mos i vrasin ëndrrat…
Susss!
S’përmbyset “Komedia Hyjnore”
nëse ia shtojmë një këngë “Parajsës”,
aty ku Danten e pret
buzëqeshja që premton çdo gëzim…
aty të pres, e lakuriqtë
si një univers që ecën drejt teje.
Susss!…