POZITA GJEOGRAFIKE E VENDLINDJES SIME – PEJËS
Karakteristikë e përgjithshme e pozitës së Pejës është se ajo shtrihet në skajin veri-perëndimor të luginës së pëlleshme të Dukagjinit, para grykës piktoreske të Rugovës, nën shpatet e Alpeve shqiptare (Albanian Alps).Peja shtrihet në luginën e Lumëbardhit rrethuar me Alpet Shqiptare. Peja, së bashku me tërë Rrafshin e Dukagjinit, shtrihet ndërmjet gjerësisë veriore gjeografike 45-50 shkallë dhe 42-53 shkallë dhe gjatësisë gjeografike lindore 19 shkallë, 58’ 30’ gjer më 21 shkallë. Qyteti i Pejës është i vendosur në tarracën neogjene aluviale në lartësi mbidetare 505-520m. Ky qytet ngrihet në fushën e Rrafshit të Dukagjinit dhe rrëzë bjeshkëve të larta. Peja, në pikëpamje gjeomorfologjike, përbën një tërësi ekonomike dhe në vete ruan e kultivon traditë të një historie të lashtë. Peja lidhet me qarkullimin rrugor me Prishtinën, Mitrovicën, Gjakovën, Rozhajën e Plavën.
Qyteti është i rrethuar me bjeshkët, që janë pjesë e masivit dinamik që përfshin tërë Ballkanin perëndimor. Këto bjeshkë formojnë një kurorë majesh të larta siç janë: maja e Kopranikut (2460m), Zhlebi i Vofgël (2352 m), Hajla (2460 m), Mokra (1932m), malet e Lumëbardhit, gjegjësisht Guri i Verdhë (2522m), maja e Viellakut (2012m), Peklena, maja e Hasanit etj.
Me rrjedhë të shpejtë Grykës shkëmbore të Rugovës, lumi “Lumëbardhi” fillon të gjarpërojë fushës së Pejës, duke kaluar në mes të qytetit dhe duke e ndarë në dy pjesë. Lumëbardhi, i cili gjatë rrjedhjes, formon fusha pjellore, derdhet në lumin më të madh të quajtur “Drini i Bardhë” që buron nga bjeshkët e Zhlebit në fshatin Radac. Lumëbardhi ka një sasi uji prej 300 m-3 në sekondë. Por malet e Pejës janë të pasura edhe me liqene si: Liqeni i Niçinatit dhe Liqeni i Ridit. Vetitë klimatike të Dukagjinit, pra edhe të Pejës, karakterizohen me klimë të mesme kontinentale të modifikuar, me komponenta të klimës mesdhetare. Pozita gjeografike shumë e volitshme si dhe vetitë e relievit dhe të klimës, kanë ndikuar në banimin e këtyre territoreve që nga fillimi i indo-evropeizimit të Gadishullit Ballkanik. Dardanët, janë formuar si kombësi sipas E. Qabej, para shek. XII p.e.s.
Kur bëhet fjalë për trevën e Dardanisë, në të cilën përfshihet edhe Peja, Dardanët, sipas studiueses F. Papazogllu, trajtohen në suazat e fiseve të Ballkanit qendror në kohën pararomake. Dardanët përmenden si luftëtarë të fortë, xehetarë shumë të mirë, blegtorë dhe tregtarë të njohur. Dardanet ishin fisi më i madh ilir që u vu në krye të Mbretërisë Dardane, në Ballkanin qendror, kryesisht në Kosovë.
Peja – qendër rajonale e Dukagjinit verior, identike për nga numri i banorëve me pandanin e vet jugor, Peja me 181.130 banorë para fillimit të luftës, ka po ashtu të përfaqësuar mirë grupin terciaro-kuartar të popullatës, me të cilin qëndron para Prizrenit dhe e dyta pas Prishtinës, ndër qendrat kosovare me (32,6%). Dendësia e popullsisë është e madhe me rreth 300 banorë në 1 (një) km-2; nataliteti është 34, kurse mortaliteti 7 promila. Peja është qendër e një rajoni të gjerë me afro 1.500 km-2), kurse Peja me fshatrat e saja ka 603 km2. Brenda kufijve administrativë të Komunës së Pejës janë 97 vendbanime të organizuara në 28 bashkësi territoriale. Komuna e Pejës kufizohet me: Istogun, Klinën, dhe Deçanin. Kurse me komunën e Plavës, Beranës dhe Rozhajës kufizohet me Malin e ZI. Në anën tjetër, kufizohet me Republikën e Shqipërisë. Territori i Komunës së Pejës përbehet nga dy tërësi gjeografike: njëra me klimë kontinentale të shprehur klimë mesdhetare që përfshin përafërsisht 30% të sipërfaqes së përgjithshme, dhe vargmalet e Alpeve shqiptare në veriperëndim, me një rrjet hidrografik të zhvilluar që ndikon si modifikim i klimës në këtë pjesë.