Një natë përpara se të udhëtonte për Gjermani, Eloni ra shumë vonë në gjumë; lëshoi një thirrje qenit të vet të shtëpisë dhe të gjithë u befasuan mërzitshëm. I kthjellët ca, në mëngjes, doli tek Udhëkryqi i parë i qytezës. E ëma iu hodh në përqafim dhe vështroi gjatë, duke i thënë:

-Mos e lër pa u kthyer. Do të jetoj gjersa të kthehesh, Eli!
Qeni e shikonte të zotin dhe lëkundte bishtin me sy të zgurdulluar dhe herë-herë lehte, duke vërtitur kokën herë majtas, herë djathtas.
-Mos u bëj merak, unë kthehem – i tha të ëmës – dhe në fillim të gjithë do ta kemi vështirë… – pjesa tjetër e fjalës i mbeti në grykë dhe nisi të ecën si i dehur. Ish tronditur qeni, rrugët dhe drurët; mbase kthimi mund të ishte i bëftë. As që shpresonte ndonjëri, ndërsa qeni pothuajse tri ditë me radhë lëshoi një angullimë të çuditshme, si të ish ujk i tërbuar, dhe, po të mos ndërhynte zonja e shtëpisë, ai me atë zë misterioz do ta trondiste edhe më tepër familjen e Elonit. Qeni ish një botë e vetmuar, i ndarë, kushedi si e përjetonte ai këtë ngjarje dhe, tërë këtë kaos të tronditur mbase e ndjente si njeri. Këtë nuk e dinte askush. Fillimi ishte i tillë.
Ndërsa ndryshe mendonte Eloni; atij tani i kujtohej se si më të shëtiste natën dhe ditën, si një mik më besnik dhe pas kësaj ndarjeje të pa pritur zuri të ecën fill vetëm, me unin e vet, ca i hutuar dhe i tretur, mbase si një fëmijë që mbetet jetim. Një ditë më parë, në Bashkinë e qytetit F., ku kish zënë të stacionohej më në fund, ndjeu se si shqiptarët mbase do t’i kthejnë sërish. U trend dhe mbeti gati pa frymë, si të ish në ndonjë ëndërr të keqe, mbase do të kapërcente edhe këtë, si ndonjë rrezik dhe nuk do të ndiqte dot vuajtjet as të tij as të gjakut të vet; mbase, thoshte shpesh me vete, i paska ardhur fundi gjithçkajes, unë vetë i kam fajet, – mendoi, ndërsa UNI i tha: duhet të qëndrosh në momentin kur arrin nëpunësi i Bashkisë së qytetit F.
Që atë ditë u bind se s’guxon të presë asnjë çast dhe, më sa dukej, doemos duhej të niste ndonjë punë, qoftë edhe në të zezë, – hulumtoi kuartet e qytetit të madh F., dhe u ndesh me një botë të çuditshme dhe ca misterioze. “Nuk di në do të më lënë të punoj” – tha një ditë. Kohë më kohë Eloni sillte mendjen tek ëndrra për kthim. Megjithatë, vazhdoi të kundronte dhe të studionte. Tinëzisht e kish ndërmend të siguronte pak para për prindërit e varfër në katundin Vërbor të Kosovës. Pikërisht ky hall e mundonte lemerishëm; ish një akt i mynxyrshëm, por efektiv për t’ua nisur vuajtjeve, që shpejt iu bënë obsesion, po ashtu misterioz në lojën e pakuptimtë të udhëtimit mes njerëzve të vendit të tij, të cilët në një mijë mënyra kërkonin rrugë për të ardhur gjer tek “ikja”.
Pasi kish nisur të qetësohej ca, i erdhi një lajm i keq se në një shtëpi ku ishin strehuar refugjatët shqiptar kish shpërthyer zjarri dhe shtëpia ishte djegur e tëra. Ç’ është e vërteta kjo nuk ish një rastësi, mbase edhe do të mund të supozonte se dikush do të bënte plane për asgjësimin e tyre. Së këndejmi ish një atak i rëndë-pa pretekst, një shenjë plage e kamotshme e njeriut nga Verbori, që e bëri koha të verbër dhe të vente vetën në rrezik.
Çdo mynxyrë sjell paqartësi kur ndodh. Ai këtë e dinte mirëfilli, dhe posa provoi ta largonte nga mendja, një e trokitur lehtë – lehtë në derë e shtyri të mendojë kush është vallë? Ç’ lumturi sikur të ishte diku tjetër ky takim kaq i befasishëm dhe shumë, shumë i papritur, por askush nuk e kuptoi.
E paftuara e shikoi Elonin si të ishte vetë Konstandini, që kishte ardhur të merrte Doruntinën. Ishte ky një takim magjeps, sepse edhe këtu ai njohu dashurinë e vet me Donikën në rrugën “Shën Mëria” nr 11, më 14 qershor të vitit 1991, që ishte një vazhdim i viteve të mësimit, kur plaga dhe fytyra ishin ndeshur me kohën budallaqe, dhe kjo në emër të diçkajes, që mbase ishte më tepër se një takim rasti, apo fillim i çuditshëm.
– Këtu banon? – pyeti Donika.
– Ja, këtu më sheh, – u përgjigj.
– E di, – tha ajo.
– Sigurisht të kanë treguar policët e qytetit.
– Kur të thirra, ti nuk erdhe, doje të rrije më pleqtë në shtëpi.
– Nuk është ashtu.
– Si mund të jetë ndryshe?
– Nuk e di, – tha Eloni. – Unë po ecja edhe para teje, tashti po eci me siguri drejt humnerës si ecën njeriu i verbër
– Si? – tha ajo. – Ti gëzohesh –ë?
– Nuk është e vërtetë, dale mos u ngut, Donikë.
– Jo, por ka dalë fjala se ti e kapërceve kufirin, duke marrë… – u ndal dhe nuk bëzani.
Dhe me të vërtetë, Eloni ish nisur vetëm, por kufirin e kish kaluar me para, kushedi sa marka. Po vinte tek Donika, dhe ajo e pyeste si në hetuesi; a vërtet e kish gjetur, si në burg, ku, në mes të një dhome dy me tri kish dëgjuar roja se dikush i vinte fshehtë natën… Kush mund të dijë!
Mirëmëngjesi, i paralajmëruar i ditës, i la të mendonin mes trupave të puthitur, edhe pse sendet ishin rrëzuar nga një komodinë e vjetër, – ish përzier errësira me dritën. Eloni e donte Donikën ngadalë-ngadalë, i zbehtë dhe me pamjen e tij kish nisur të dyshonte se do të ndodhë diçka me të.
I ndjeshëm sa s’bën, shkak i qëndrimit pezull dhe tjetërkund, erdhi kohë e vështirë. Flokët i thinjeshin, dukej i lodhur; fytyra i mërdhezej edhe pse Donika i lindi vajzë. O, ç’ tmerr, tha një ditë, më duhet të qëndroj më mëri dhe pezëm.
Eloni ish gëzuar shumë për vajzën. E pagëzuan Marigona.
Gjersa po i jepte sisë e ëma Eloni kish shëtitur libraritë e Frankfurtit dhe mezi gjeti nga një ekzemplar të librarive të fundit të Kadaresë në gjermanisht. U gëzua shumë kur një bibliotekiste, ku e huazoi një shkrim për kryetrimin Skënderbeun, i thoshte se Perëndia e di ku rri sekreti i shqiptarëve dhe i historisë së tyre. Atë, që quhej Leonora, e interesonte aq shumë historia e shqiptarëve, sa që s’e pati problem kur Eloni i foli për disa gjëra që nuk i kish dëgjuar më parë
-Shkëlqesi, – tha një ditë, – ti do kesh libra të tjerë me vlerë të madhe sikur të mësosh gjuhën time gjermane.
-Kjo vajzë, – tha me vete – nuk ma do të keqen. Nuk ka asgjë të keqe të mësosh një gjuhë. Në qytetin F., ku Kadare ish përkthyer dhe veprat e tij ishin bërë libra xhepi, të gjithë flisnin me admirim. Pas kësaj, ai nuk ish nisur për të mbetur një humbës, por çdo anë e qytetit i dukej e shkretë si të ish në ndonjë shkretëtirë, edhe pse qyteti F. ish pothuajse një metropol. Ku ta dish pse, por ai shpeshherë, duke ecur, e përmendte Purgatorin. Eloni mund të ish më i fortë sesa emrat sekretë që vranë poetin Jusuf Gërvalla; ai kish pësuar nga një dorë tradhtari dhe plumbat. E ndjeu se fantazma ortodokse po endej diku në një qytezë të Gjermanisë dhe po e ndiqte Elonin. Si në ëndërr ndjeu zërin e Donikës, të vajzës së vogël dhe të vendlindjes…. mbase fjala ish për një krim dhe ai donte të zbulonte kush ishte dorasi i vrasjes së vëllait të tij.
E nxiste Zëri i ndërgjegjes. I ra kryq e tërthor qytetit F., me dy libra në xhep dhe, i dërrmuar, u nis krejt vetëm për në banesë. E vranë? Poetin tim e vranë! – fliste me vete. Donika ime mbase është besnike. Ajo mbase nuk do ta tradhtojë fëmijën…
Ishte shtrirë në krevat e po dëgjonte incizimet e vargjeve që ajo ja kish vënë në shirit magnetofoni një natë para se të nisej andej për në Kosovë.
Fundja, ish një fillim plot dhembje e trazira, një vuajtje që kish frikë mos po i bëhej edhe më e madhe, dhe, e mundonte.
Çuditërisht, nisi të fishkej në vete dhe, kaluan dy muaj pa futur gjumë në sy. Do të kish dashur të kallëzonte gjerë e gjatë, por edhe para Donikës, sa ish tek ai, e fshehte brengën që mundonte. Nuk kish si t’i tregonte. “Ah” ia bëri me kokë, duke shikuar në dritare.
Pastaj papritmas, u dridh dhe u shtri në krevat. Ç’ mendonte, vallë? Përmasa e dhembjes dhe e tragjikes së aziliantëve ish e pakufishme. As mjekët e qytetit F. nuk e zbuluan sëmundjen e Elonit. Dhe befas, duke shtypur ndjenjat, ai kapi një ditë një letër, tamam kur mësoi më saktë se Donika ka mundur të arrijë, shëtiti me tramvaj qytetit, hyri i përlotur në një bufe moderne, ku jehonin tinguj të Bahut e të Mocartit dhe të ndonjë tjetër. U ndal, ngrehu një tym cigareje malboro, piu një gllënjkë birrë dhe shkroi një kartë me vetëm një fjali të shkurtër. Në anën tjetër, ata të familjes së tij kishin pyetur Donikën se kur arriti dhe si është Eloni.
Ajo kish vazhduar të fliste me ngadalë, si një nuskë dhe u tregoi të gjitha.
-Ia kanë marrë pasaportën dhe e ka vështirë të kthehet, sepse ata të Bashkisë nuk e lejojnë një manovrim të tillë: shko e eja. Mendoni se është lehtë – thoshte. – Ky është fati ynë. Po unë, si po e shihni, jua kam sjellë farën tuaj.
-Derisa rri këtu, nëse lajmëron diçka, eja e na trego! – iu lutën prindërit e tij.
Të gjitha këto i mendonte edhe Eloni. Dhe atje sërish i ishte kthyer jetës dhe punës. Një mëngjes, mbaroi kartën, pasi atë që shkroi në qytet e grisi, vuri shkurt, këto fjalë: ”Donikë, unë jam mirë. Kam nisur të mësoj gjuhën më të madhe dhe PO PRES NDONJË LAJM PREJ JUSH, më shëndet ndihem mirë. I thuaj nënës se do të vij së shpejti. Besomëni, më së shumti më dhimbsen ajo dhe Marigona që ndiejnë mungesën time, kuptohet pas teje. Po qesh pak. Uni im është fajtor, por ky ka meritën më të madhe për kapërcimin e gjendjes që kisha. Ti e di fare mirë. U bëftë siç dëshirojmë të dytë! – Të puth, Eloni.
Letra nuk ishte vonuar shumë dhe i ra në dorë Donikës. Dhe një çast, pothuajse i panjohur, i fshehtë, ikën mes lumturisë së tyre. Ai shpirt i thyer ish kthyer diku në një hapësirë të njohur dhe ajo, me profeci, e ringjalli dashurinë e tij. Ka diçka që duhet t’i besohet, si një psalm që ish fshirë në pergamenë, dhe ish shkruar sërish mbi të njëjtën, ish një palimpsest i gjallë mbi një jetë që sapo kishte nisur të rrëxonte idhujt e kuq. Eloni e kish hequr zemërimin bredhës, i mëshoi tavolinës dhe atë natë fjeti rehat. Mbase e ndiente veten paksa të emocionuar dhe në ëndërrimin llamburitës sikur dëgjoi të lehura të qenit të tij, sepse vetëm qeni dhe të lehurit e tij ia zgjonin kujtesën. Ëndërrime rebele janë këto, – tha me vete. Dhe nuk heshti, por nisi të vështronte. Përpiqej ta mbante veten, por prapëseprapë vuante dhe herë-herë dridhej.
Kish përshtypjen sikur po e hante dheu dhe toka i rrëshqiste nën këmbë.