Me qëllim të sjelljes së eshtrave të tyre në Kosovë, u vendos që të autorizohet kryetari, të bisedohet me familje dhe të merret pëlqimi brenda mundësive me shkrim, për një arsye të vetme se deri më tash ka pasur shumë përpjekje që kjo punë të kryhet nga shumë individë, organizata, iniciativa qytetare. Projektin për kthimin e eshtrave të patriotëve tanë, e kisha përgatitur mirë, besoj menduar mirë dhe qëllimi ishte me siguri që të ruhet. Autoriteti dhe gjithë puna e përbashkët e patriotëve për lirinë e Kosovës. Projekti parashikonte që organizimit të kthimit të eshtrave nga diaspora t’i kushtohet vëmendje e posaçme me një projekt të përbashkët në varrezat e dëshmorëve në Prishtinë dhe këtu të ndërtohet një lapidar, të cilin këta dëshmorë të kombit me siguri e meritojnë dhe për këtë arsye harxhova kohë dhe mund për të shpjeguar qëllimin, për të shpjeguar projektin, por edhe për të bërë financimin për realizimin e këtij projekti. Me siguri se në Kosovë, kthimin e eshtrave të patriotëve ka pasur mundësi ta financojë edhe një individ i vetëm, mirëpo ideja ka qenë që të hapet një xhirollogari publike dhe të ftohen të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë që ta ndihmojnë ngritjen e këtij lapidari. Po e them, të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë, për një arsye shumë te thjeshtë, se populli shqiptar i ka shumë borxh Jusufit, Bardhoshit, Kadriut, Enverit, por edhe dëshmorëve të tjerë.
Përgatitëm projektin, ndërmorëm iniciativën, filluam të bisedojmë me familje. Me familjen e Kadri Zekës patëm biseda, por shumë shpejt u morëm vesh dhe morëm autorizimin për këtë projekt tonin dhe unë dua t’i falënderoj anëtarët e kësaj familje dhe jam mirënjohës për shpejtësinë dhe besimin që ma dhanë mua dhe Shoqatës. Në familjen e Jusufit dhe të Bardhoshit, nuk shkoi edhe aq lehtë kjo punë. Me familjen e Jusufit e Bardhoshit bisedova disa herë. Kishte rezerva, dyshime, kryesisht nga Suzana, e cila edhe nuk më njihte mirë, por i shpjegova kush jemi, për çfarë arsye kemi marrë këtë iniciativë dhe çka po mendojmë të arrijmë me këtë. Nënë Ajshja më kërkoi falje, më tha se Suzana nuk te njeh, Jahja.
Dua të them se nëna e madhe, Nënë Ajshja, rrallë herë mund ta ketë lënë ndonjë tubim të Shoqatës ku është biseduar për pengimin e shpërnguljes së shqiptarëve nga Kosova. Me të vërtetë ishte një nënë e madhe, e gatshme ta japë kontributin e vet edhe në pengimin e shpërnguljes së shqiptarëve. Nënë Ajshja, në një moment, më tha: Jahja, mos më keqkupto, por sikur të ishte dëshira ime të plotësohet unë Jusufin dhe Bardhoshin do t’i varrosja këtu, afër dritareve të shtëpisë sime. E kuptova mirë nënën Ajshe, por edhe i tregova se Jusufi dhe Bardhoshi nuk janë vetëm djemtë e tu, nëna Ajshe, por janë djemtë e gjithë Kosovës. Ata janë djemtë e gjithë shqiptarëve, kudo që janë. Nuk e kam asnjë dyshim dhe sa më përket mua, mund të vendosësh ashtu siç është më së miri – më tha Nënë Ajshja. Mirëpo Suzana kishte projekt tjetër, se kthimin e eshtrave të Jusufit dhe të Bardhoshit, do ta organizojë familja dhe do ta financojë familja. Pata takime të shpeshta edhe me bacën Hysen. Takime, biseda telefonike, për ta bind bacën Hysen që të më jap pëlqimin për këtë projekt, i cili pikë së pari ishte në interes të çështjes kombëtare, të mosndarjes së Jusufit, Bardhoshit dhe Kadri Zekës dhe ngritjen e një lapidari që edhe sot mendoj që këta dëshmorë e kanë merituar të jenë së bashku dhe në Prishtinë. Fatkeqësisht mund të them se edhe baca Hysen kishte ide tjetër, që, për kthimin e eshtrave të Jusufit dhe të Bardhoshit të vendosë Parlamenti i Kosovës dhe që kthimin e eshtrave nga diaspora ta bëjë Parlamenti, d.m.th institucionet e Kosovës. Në anën tjetër, isha i shqetësuar dhe i sigurt se institucionet e Kosovës nuk do të merren me këtë punë, megjithëse, mendoj edhe sot, se Jusufi, Bardhoshi, Kadria dhe Enveri, e kanë merituar që edhe institucionet e Kosovës, në mënyrën më të lartë shtetërore, ta bëjnë një organizim të tillë. Duke i ditur rrethanat, isha skeptik që kjo do të ndodhë dhe një ide tjetër e bacit Hysen ishte që eshtrat do të kthehen në ditën e flamurit, më 28 nëntor, dhe jo më 17 janar se është dimër dhe shumë mërgimtarë nuk mund të vijnë. Për mua kjo nuk ishte diskutabile. Fatkeqësisht nuk arritëm ndonjë marrëveshje me bacin Hysen, e as me Suzanën, por unë nuk hoqa dorë, duke menduar se familja Gërvalla do ta analizojë propozimin e Shoqatës dhe, eventualisht, do të vendosë që projekti të realizohet.
Gjithashtu iu propozova edhe një mundësi tjetër që Këshilli Organizativ të jetë në krye me kryetarin e Akademisë së Shkencave dhe kryetarin e Parlamentit të Kosovës. Në Këshill Organizativ të jenë përfaqësuesit e të gjitha subjekteve politike, që veprojnë në Kosovë. Unë vazhdova punën me familjen e Enver Hadrit. Njësoj edhe familja e Enverit i kishte kërkesat e veta. Biseduam gjatë, i shqyrtuam mundësitë, por fatkeqësisht me gjithë një pëlqim gojor, ma tepër nuk mundëm të marrim nga familja e Enverit.
Tani lirisht mund të them se, pas kthimit të eshtrave të Jusufit e të Bardhoshit dhe rivarrimit të tyre në Dubovikë dhe të Kadri Zekës ne Gjilan, së pari isha i thyer shpirtërisht, për mosrealizimin e idesë, dhe së dyti isha i thyer për shkak të ndarjes së shokëve të idealit dhe së treti, që të gjitha iniciativat për kthimin e eshtrave të Enver Hadrit nuk u realizuan deri me ditën e sotme. Me siguri se me një projekt të mirëfilltë të varrezat e dëshmorëve në Prishtinë, puna dhe vepra e patriotëve tanë do të ishte më e avancuar edhe për shumë vizita të shumë qytetarëve, të nxënësve nga Kosova dhe më larg. Unë nuk mund të pajtohem me këtë se çka është bërë, jo pse unë kisha ide tjetër, por pse mendoj se Jusufi, Bardhoshi, Kadriu dhe Enveri, meritojnë të jenë në një piedestal më të lartë si dëshmorët e kombit që i dhanë shumë shqiptarisë.