16.5 C
Tiranë
E premte, 1 Maj 2026

Jahja Lluka

RRJEDHA E LUMIT
Nga dritarja e dhomës së ftohtë shoh një mjegull te dendur që ma pamundëson kënaqësinë e shikimit të peizazhit të bukur para meje. Kënaqësinë e vetme deri tash ma mori kjo mjegull e mallkuar. Ndoshta kështu është më mirë, sepse s’do të kam nevojë që me sy të kërkoj largësinë, ku arrihet vetëm me shikim. Tash sytë e mi duhet të kërkojnë ndonjë objekt shikimi. Duke u munduar të shohë larg e më larg njeriu shpesh nuk i sheh gjërat që ka para syve.No photo description available.
Mundohem ta kthej përqendrimin në dhomë, por kot, sikur ka tretur dikah, në diçka të papërcaktuar. Ngjarjet e kaluara vërtiten një nga një në mendje dhe unë në secilën prej tyre jam personazhi jo kryesor. Të tjerët janë ata që mbushin ngjarjet e kaluara dhe bashkë me to edhe vuajtjet e mia, sepse e kaluara, çfarëdo qoftë ajo, shkakton mallëngjim dhe, si pasojë e kësaj, edhe vuajtje shpirtërore.
Çohem në këmbë dhe filloj të eci nëpër dhomë. Ndalem para pasqyrës. Shoh një figurë që më së paku i përngjan njeriut. Një fytyrë e parruar, flokë të shpupurishur dhe dy sy të mjerë të ngulfatur nga pagjumësia. Largohem me të shpejtë nga pasqyra sepse më vjen të vjell edhe pse barku im është i zbrazët. Kollitja, që më është shfaqur që kur e kam filluar prapë duhanin, s’ më ndahet asnjë çast. Fus dorën në xhep të marr një cigare, por nga aty nxjerr vetëm paqetën thatë. E hedh tutje me zemërim. Dreq o punë, tamam kur njeriu ka nevojë më së shumti për diçka mbetet pa të. Është ky ligj i natyrës. Më duket se kjo vazhdimisht dëshiron të na sprovojë dhe të na përgatitë për të ardhmen, por harroj se në çdo sprovë të tillë ne shpenzohemi. Të mirat vijnë një nga një ndërsa të këqijat grumbull. Unë tash jo vetëm që s’kam duhan por s’kam as para për ta blerë atë.
Ajo shkaktarja e vuajtjeve të mia më përcjell vazhdimisht. Çudi se si ndikon largësia në shfaqjen e ndjenjave. Më parë besoja se largësia shkakton venitjen e tyre, por tash po e ndiej të kundërtën. Mendoja se largimin e saj në dhe të huaj do ta përballoja lehtë, mirëpo vuajtjet rriteshin çdo ditë deri sa erdha në këtë gjendje. Tash nga ajo më kanë mbetur vetëm kujtimet për çastet që kaluam bashkë. Edhe grindjet, që ndonjëherë ndodhnin, i fus në këtë grup çastesh të bukura, sepse, pas çdo grindjeje, dashuria shfaqej edhe më e fuqishme se përpara.
Gota e rakisë është bërë përcjellëse e pashmangshme e mendimeve të mia. Aty gjej ngushëllimin. Por ky është vetëm një çast dhe çdo gjë që ndoshta vetëm në çast është jo e plotë dhe sipërfaqësore. Imagjinoj gjëra që kanë kënaqësinë e kënaqësisë së çastit dhe kohëzgjatjen e pa fund. Këto gjëra vetëm mund të imagjinohen. Sikur të ekzistonte diçka e tillë, rreth e përqark nesh do të kishte vetëm lumturi.
E di se atë nuk do ta shoh edhe një kohë të gjatë. Ndoshta kjo kohë do të zgjasë deri në fund të jetës sime. Por kjo nuk mund të jetë e gjatë. Janë kujtimet për të, ato që s’më lejojnë të shijoj qoftë edhe një çast të bukur.
Jashtë bën ftohtë. Marr pallton dhe dal jashtë. Eci rrugës pa ndonjë qëllim të caktuar. Hapat e mi janë të ngadalshëm dhe të pasigurt, sikur të fëmijës që posa ka filluar të ecë. Vëzhgoj njerëzit që ecin me të shpejtë, secili në punë të vet. Unë s’kam nevojë të ngutem pasi nuk më pret askush. Jam më i vetmuar. Më kujtohet Autodiktakti i Sartrit i cili donte të bënte vetëvrasje për shkak të vetmisë, mirëpo asnjëri s’do të tronditej për vdekjen e tij, prandaj i vdekur do të ndihej edhe më i vetmuar sesa i gjallë. S’dua të mendoj për gjëra të këtilla, por ato vazhdojnë rrugën e tyre. Ato ecin së bashku me mua. Ndiej peshën e tyre të rëndë dhe ecjen e shpejtë. Çudi se më çfarë shpejtësie ecin mendimet. Me siguri kjo është shpejtësia më e madhe e mundshme.
Nata e fundit para nisjes së saj do të jetë nata më e vështirë e jetës së sime. Është ndjenjë e pashpjegueshme ta kesh pranë dikë që e do më së shumti kur dhe e di se ky është momenti i fundit i përbashkët. Qëndronim mbështetur, njëri me tjetrin, në heshtje. Ndonjëherë heshtja flet më shumë se çdo fjalë e madhe dashurie. Shikimi ynë puqej në një pikë të largët. Dëshironim që kjo natë të mos përfundonte kurrë ani pse e dinim se kjo do të shkonte shumë shpejt.
Qëndroj mbi urë, mbështetur për parmakët e saj. Shikoj lumin i cili qetas shkon teposhtë rrjedhës së vet. Ky lumë buron diku lart në bjeshkë dhe dalëngadalë ka krijuar shtratin e vet përgjatë mijëra vjetësh. Rrjedh ngadalë në mënyrë madhështore. Asgjë nuk e pengon në këtë parakalim të gjatë që bën deri në derdhjen e vet në det. Përgjatë gjithë rrugës së vet u jep jetë njerëzve rreth tij dhe derdhja e tij në det nuk është vdekja e tij por një rilindje e vërtetë.
Bëj një krahasim të njeriut me lumin. Edhe njeriu lind ashtu siç buron lumi.
Përgjatë viteve ai duhet ta krijojë shtratin nëpër të cilin do të rrjedhë dhe çdo pengesë që i del përpara ai duhet ose ta marrë me vete ose dalëngadalë ta brejë atë, ashtu siç bën lumi dhe në këtë rrjedhje ta lërë një vazhdë pas. Ngre kokën. Mjegulla ishte zhdukur. Kishte filluar të ngrohë një diell i bukur i vjeshtës. Rregulloj pallton dhe me hap të vendosur filloj të eci. Kisha vendosur ta krijoj shtratin e rrjedhës sime.
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.