Nga Marsi Simo (Sociologe)
Nxitojmë kaq shumë, çdo ditë, çdo moment me ankesën në majë të gjuhës se asnjëherë nuk kemi kohë mjaftueshëm. Kudo në rrugë sheh njerëz që vrapojnë për diku, tërheqin çanta e valixhe dhe sytë i picërojnë drejt rrugës. Madje sheh shumë makina që tejkalojnë shpejtësinë sepse mesa duket janë vonë për diku, por më tepër përshpejtojnë vdekjen. Justifikohemi me idenë se në dimër nuk na del koha se dita është e shkurtër, në verë nuk bëjmë dot shumë veprimtari së është shumë vapë.
Duke nisur që në zgjim, zilja alarmon mendjen të bëhet gati për veprimet bazike që tashmë kthehen në robotike, e sërish minuti bëhet sekond nëse diku mendohesh më gjatë për veshjen, apo thjesht kontrollon qumështin nëse i ka kaluar afati i skadencës.
Ky është vetëm fillimi
Kohë absurde të merr trafiku, ku secili prej nesh e di sa jetëgjatësi shkurton dhe kurrë nuk mësohesh dot me të. Shtyhesh, shtyn, me luftën për ekzistencë si e si për të përfituar një minutë më shumë për të arritur fiks në orar në punë. Pastaj kohë të merr shefi që hap ditën me mbledhje rutinë për të treguar se po të jep bukën e përditshme. Kohë kalon edhe kolegu yt më komplimete që ia drejton këtij të fundit me shpresën për të qëndruar më gjatë në punë. Kohë i merr dhe ti punës për të bërë kërkime të panevojshme në celularin tënd, apo në rrjete sociale, e diku tjetër, dhe në fund qëndron pas pune se nuk pate kohë t`i mbarosh të gjitha.
Koha në shtëpi
Duket sikur kthimi në shtëpi është më i lehtësuar se mund të kesh kohë, por jo sepse atje të presin me qindra veprime të tjera. Kohë të merr futja e rrobave në lavatriçe, sistemimi i dhomave, mendimi për gatimin për nesër, zbritja deri tek tregu se nuk kishe domate. Pastaj duhet kohë për të shtruar tavolina e për ti mbledhur, ndërsa për tu ushqyer qëllon të hamë edhe në këmbë se nuk kemi mjaftueshëm kohë. Kohë na merr përgatitja për të nesërmen, e cila nis pa mbaruar mirë dita aktuale. Pastaj kush ka fëmijë nuk ka kurrë kohë për veten pasi në çdo moment kthehet në shërbim të më të vegjëlve. E më pas luten me zë që të iki koha sa më shpejt që të rrinë rehat kur fëmijët të rriten. Pas shumë vitesh kur të vegjlit burrërohen i luten të qëndrojnë më shumë fundjavave kur vijnë për vizitë.
Kush ka të moshuar në familje, do gjej kohë edhe për ta sepse përgjegjësia është e madhe, aq sa shfryjnë e nervozohen se nuk kanë durim për kërkesat e tyre. E ndërsa koha kalon, frika rritet sepse më në fund e kupton që vetmia nuk kapërdihet.
E nëse një ditë do kemi pak orë të lira, do humbasim kohë me telenovela e thashetheme vipash, e nuk gjejmë një hapësirë për të lexuar një libër të mirë. Humbasim kohë me komente e lajka në rrjete sociale, e nuk gjejmë moment për të takuar miqtë. Kushedi sa minuta grumbullohen duke u zënë më tjetrin, shokun, partnerin, burrin dhe pak të tilla shënohen duke u përqafuar e puthur.
Fundi apo jo?
E në fund, bie mbrëmja, e harxhojmë atë pak kohë duke u ankuar deri sa shkojnë në shtrat, e nuk gjejmë një moment për të falënderuar.
Nuk do ketë asnjëherë kohë mjaftueshëm për asgjë e askënd nëse nuk duam. Koha është koncept që ne duhet ta drejtojmë dhe ta kapim, ndryshe ajo të zotëron dhe zvogëlohet deri në mbarim. Plakja nis më shpejt nëse nuk ia japim vetes kohën e duhur për ta pranuar veten, sepse kemi kaluar shumë orë duke forcuar të tjerët për të na dashur. Kushedi sa minuta harxhojmë duke mos gjetur zgjidhje, por duke u justifikuar me fjalën “jam i stresuar”.
Nëse mendon kur është koha e duhur për të pasur kohë për gjëra të mira? Ky është momenti i duhur!