1 Mars, Mirëmëngjes!
Zgjohem bardhësive të agimit
Ku pellgjet e diellit
Heshtin me buzët mbuluar me vesë
E cicërrima zogjsh
Verbuar nga diamantet e dritës së mëngjesit.
Drurët krehin flokët e diellit
Duke harruar morrnicat e ftohta të dimrit
Që pikojnë si lotët nga qerpikët
Fshehur pas shpinës së horizontit.
Bërtas e ulëras!
O njerëz të mirë!
Ndizni gjakun tim,
në vend të qiririt,
që të shihni
Në çfarë qoshe të qiellit
Janë fshehur ëndrrat tona?
Bërtas e ulëras, por askush nuk dëgjon
As në qetësinë e orëve të vona.
Eh, ëndrrat tona,
si gjethet ndër bisqe e degë
kanë fshehur diellin!
Që pres të më ngrohë.