(NË DITARIN E JETËS SIME)
Çasti i kthyer në kohë të përjetshme të zemrës..
KUJTIME
“Të dua për gjithë gratë që kurrë nuk i njoha
Të dua për gjithë kohërat që kurrë s’i jetova.
(…)
Erdhe ti dhe zjarri u rindez
(…)
Erdhe ti dhe vetmia u mund
(…)
Dhe sërish si dikur dashurinë adhuroja “.
Pol Elyar
Një imazh më qaset në kohën e shpirtit dhe më sjell sjell copëra kujtese, malli, idili, marrëdhëniesh njerëzore.
Unë jam këtu për ta pritur, për t’i bërë nderet e merituara, për ta sajdisur me këto shënime, që më rikthejnë pas në kohë…
Kur zuri fill e gjithë kjo?!
Ndoshta nuk ka një çast.
Ndoshta nuk ka një ditë.
Ndoshta nuk ka një stinë…
Ndoshta ajo ka nisur në një kohë të pacaktuar, ose ka qenë gjithmonë brenda nesh.
Na ka shtyrë instinktivisht drejt njëri-tjetrit…
Po ktheheshim…
Një nga ata kthimet e shumta, ku na mjaftonte prania e njëri-tjetrit dhe fëshfërima e gjetheve, mes heshtjes apostolike, të një natyre të virgjër e delikate, si ëndrrat e mia…
Pushuam pak për të pirë një kafe.
Sa shumë kishim për t’i thënë njeri tjetrit, po ç’të thoshim më parë?! Ndodh që kur don të thuash shumëçka, bllokohesh dhe nuk thua asgjë. Ndoshta, nganjëherë heshtja flet më shumë e një shtrëngim dore sa shumë tregoi ate çast.
Mes nesh ishte vetëm frymmëarrja jonë dhe fjalët e copëzuara, disi të ngatërruara, që i merrte dhe i kthente në jehonë, ajo erë vetmitare pranverore.
Zemra filloi të më rrihte me forcë.
Nuk mund t’i thosha një fjalë.
Nuk mund te më shkonte në mendje asnjë nga ato dëshirat e mëparëshme aq të rrëmbyera.
Ndihesha shumë mirë kështu, dhe kjo më mjaftonte.
Isha e plotë. E përshkuar nga një frymë qiellore, që më mbante pezull e më shtynte drejt të panjohurës.
Dhe kështu qëndruam për një kohë të gjatë.
Ishim kapur dorë për dorë.
Një frocë, nga ato që të kënaqin shpirtin, na kishte gozhduar në vend.
Një forcë e panjohur, më e larta, një lidhje e brendshme e dlirë, e pastër e dy qënieve tona, që ishin aq pranë dhe që i përkisnin njëra-tjetrës, pa u prekur fare!
C’cishte kjo!?
Magji?!
Ëndërr?!
Realitet?!
Nga ç’planet kishin zbritur ato ndjenja aq të pastërta e fluide, ajo paqe dhe mirësi e dy zemrave që kërkonin njëra-tjetrën, pa thënë asnjë fjalë, pa kërkuar asgjë nga njëri-tjetri?!
Kush e dinte!
Mos vallë dashuria?…
Tha vetëm një fjalë:-Faleminderit…
Puthi atë dorë që kishte shtrënguar dhe me zemër uroj:
-Të jesh përherë mes lumturisë e gëzimit. Je jetë në jetën time dhe. me sytë e shpirtit shtoi:-Dua, o sa shumë dua, të të fal vetëm gëzime..
Dua të jem Perëndia jote, edhe pse e di që nuk jam Zemra.
Ndihesha pezull, midis qiellit dhe tokës.
Me këmbë në tokë dhe me kokë të rrëmbushur nga mendime dhe ndjenja aq të furishme, që dukej sikur buronin nga një organ i padukshëm dhe mistik brenda qenies sime…
Fjalët dhe gjestet e kishin humbur kuptimin e tyre fillestar dhe çasti pati ngrirë, duke u kthyer në kohë të përjetshme të zemrës…
E ndjeja se brenda meje po rritej një përmallim i çuditshëm, që më therte në zemër, një ngjashërim i pafund, diçka si një nevojë për të hapur krahët, për të fluturuar në lëndina të panjohura, për të shtrënguar dikë, për të hapur zemrën e per te thënë:- Je këtu. Jam këtu. Jemi këtu. Në këtë tokë premtimi. Në këtë tokë bekimi…
Desha t’i dhuroja mendimet, trupin, jetën, gjithë qënien time…
Desha të isha hija e tij, ëndrra e tij, Eva e tij…
Po ai, çfarë mendonte vallë?
Pse kishte heshtur në atë trazim gjithëpërfshirës, me poret e lëkurës së hareshme që festonin praninë time?
Ma kishte dëgjuar vallë zërin e zemrës dhe kumtin e shpirtit?!
Më kuptoi vallë sa shumë e dua?!…