Prolog
Ajo qe endur në këtë qytet me dritëhije, rrethuar me enigma dhe dhimbje, në kërkim të një jete dinjitoze, duke e pranuar jetën siç i pati ardhur dhe jo siç do të dëshironte ajo që t’i vinte. Qe grua e pjekur, e vuajtur dhe pa pretendime të shumta, por e vendosur t’iu shkonte gjer në fund ambicieve të saj të vogla, jo për t’u dukur, por për të arritur më të mirën e mundshme në ato rrethana që i kishte ofruar jeta në emigracion…
Në trurin e saj kishte raste që kohët ngatërroheshin, e kaluara dhe e sotmja shkriheshin dhe sytë e saj rrinin në pritje të një të ardhemje të panjohur e të pa adresuar në një shpirt të etur për jetë e të përthyer nga baticat e kujtimeve…
Edlira shpesh harronte që tani kishte një punë për të qenë dhe e zinte veten duke u troshitur në parakorridoret e së kaluarës, me të cilën ajo ishte e lidhur në qindra fije. Nuk di se ku kishte lexuar se njerëzit që janë të lidhur me të kaluarën janë njerëz me karakter, të fortë dhe solidë dhe mbase kështu ishte, pasi ajo ia kishte dalë në jetë përmes shumë vështirësishë dhe përballjesh me situate nga më të larmishmet dhe nga më të komplikuarat.
Ajo mbërtheu sytë në një bosh të hirtë, e përpirë në atë çst dileme. E ulur në vendin e saj, ajo nxori sakaq nga çanta e zezë që kishte lënë mbi tavolinë, një bllok elegant shënimesh dhe nisi të shkruante diçka në të. Një shënim ndoshta që nuk donte ta harronte apo diçka tjetër që vetëm ajo mund ta dinte se çfarë ishte. “Koha nuk më pret më”, tha me vete ndërkohë, dhe shkroi në bllok një numër telefoni fiks; me të cilin donte të fliste. “Nga facebook-u, do t’i them atij se po e pres në barin e hotel “Itaka”, tha me vete, por në çast ndërroi mendje, se do ta ndiente sërish bezdinë e ecjes nëpër një lokal ku e shihnin të gjithë: burra dhe gra.
Mendoi kështu dhe teksa në mendje i feksin njëherësh shumë gjëra, i hodhi sytë për të parë ndonjë kamerier. Nxori telefonin celular me kartë greke që lidhej me anë të satelitit, ngriti antenën, e afroi telefonin me xhamin e dritares që kishte majtas në krah dhe formoi numrin e atij që donte të fliste. Ai tjetri doli në çast. I foli shumë shkurt, por takimin e la për në orën 14:00, pikërisht në këtë lokal.
Tani rrinte pezull, e kuadratuar në pritje. Dukej dhe ndihej më e qetësuar në tryezën e saj dhe ndërkaq iu duk se ishte krejt e afërt dhe e shpenguar me të gjithë ata që e rrethonin, sikur qe miqësuar befas me të gjithë klientët e atij bari ku vezullonin dritat, që tani kishte rreth gjashtë muaj që menaxhohej nga një kompani gjermane hotelesh.
Vështrimin tashmë e kishte tretur përqark, nëpër tryezat pranë saj, kur befas u ndesh me sytë e dikujt…dhe diçka ndjeu. E njihte prej dhjetë vjetësh, kur ai kishte qenë sipërmarrës në një kompani ndërtimi. Kishte pasur dikur një tërheqje ndaj tij, dhe ai e kishte marrë këtë si dobësi të saj dhe e pati bezdisur deri aty sa kjo i krijoi distancë. Por ai sërish e vijonte me takt kërkesën për të qenë më pranë me të, derisa ajo i tha: “Gruaja, kur befas del nga simpatia e lindur për ty, që në fillimet e impaktit të parë të njohjes, dhe kjo ndodh për fajin tënd, nuk afrohet më kurrë me ty”.
Më pas ai qe larguar me takt, por këmbëngulshëm. Në jetën e saj kishin ndodhur shumë gjëra dhe më e rëndësishmja kishte humbur bashkëshortin e saj dhe bashkë me të çdo trill femëror. Tani jetonte vetëm për vajzën e saj.
Sakaq ajo e hoqi mendjen nga ai tipi dhe e hodhi sërish vështrimin nëpër të gjithë lokalin. Aty vuri re sërish që gati i gjithë lokali po shihte atë tipin, “po njëlloj”, tha me vete, duke menduar takimin që po priste, por prapë u ndje me një si bezdi të brendshme, edhe pse tani disi më të zbutur nga dhjetë minuta më parë.
Ajo kish vetëm tri javë që kishte festuar 40 vjetorin e saj dhe ende ishte e bukur. Asaj askush nuk i jepte atë moshë, kurse grimi i lehtë dhe vezullues në sy dhe ai parfum dehës e bënin që gjindja ta çmonte për tridhjetë vjeçe, jo më shumë. Hallet e shumta, sikur kishin kaluar tangent dhe pa lënë peshën e tyre mbi trupin e saj të bukur, lëkurën e lëmuar rinore dhe sytë tallazitës, plot baticë që shprehnin rezistencë dhe adhurim ndaj të bukurës…
Ajo kishte punuar pesëmbëdhjetë vjet në gjimnazin e qytetit K, ishte vajza e profesorit të letërsisë, Thoma Pemës, i cili jepte lëndën e letërsisë rregullisht në gjimnazin e atij qyteti. Tani endej në dhe të huaj, në kërkim të një pune. Jeta qe bërë për të e vështirë, tepër e vështirë, gati e pamundur. Shqiptarët në këtë qytet të huaj, multikltural, me një histori tallazitëse, pas shumë ecejakkesh të mundimshme, shumica e kishin gjetur vetveten. Ndërsa ajo vazhdonte të endej midis Shillës e Karibdës, e huaj për atë vend dhe mbase ende më e huaj për vetveten…Nuk mund të vazhdonte të jetonte me kujtime, duhej të ishte active, pasi e kishte jetën përpara dhe mbi të gjitha përgjegjësinë për një qenie aq të ngrohtë e të dashur, përgjegjësinë për të bijën e vetme, që ishte vetë jeta e saj…
Ajo e harroi shpejt adhuruesin e saj, i cili, pasi u rrek një grimë herë të kapte sytë e saj, u lodh dhe u largua nga lokali i nervozuar. Që kur i pati vdekur i shoqi, Edlira nuk i qe përgjigjur më asnjë interesimi mashkullor. Disa herë kishin tentuar t’ia thyenin “kufijtë” e zemrës. Njëri qe fizikant, punonte në një labarator të rëndësishëm në Athinë. Qe me origjinë nga ishulli i Kretës. Tjetri qe muzikant, me origjinë nga Lituania, por kishte lindur në Selanik. Tjetri një komshi, edhe ky grek, nga Selaniku,i kishte vdekur gruaja dhe kishte vetëm një djalë, i cili jetonte në Amerikë me bashkëshorten dhe një vajzë të vogël, mbesën e tij. Të gjithë patën rënë “brenda”, por ajo i kishte refuzuar. në heshtje, me një këmbëngulje të pathyeshme.
E bija, Suela ishte qendra e garvitetit, pika kulmore e rëndesës psikologjike dhe shpirtërore, ajo për të cilën jetonte dhe do të bënte gjithçka për lumturinë e saj. Ajo ishte një nënë e përkushtuar, e gatshme përçdo sakrificë që do të çonte ujë në mullirin e mirëqenies dhe lumturisë së vajzës së saj.
Herëpas here sillte në mendje oazet e nritshme të jetës, dashurinë me shikim të parë, martesën me të ndjerin, që tani prehej tek të shumtët, martesën me pompozitet, muzikë, hare e të ngrëna e të pira për shtatë ditë e netë sin ë Eposin e lashtë shqiptar, lindja e vajzës. Ah…lindja e saj. Qe një mrekulli…Gjithçka në jetën e tyre si çift tashme qe e orienuar nga ajo krijesë e vogël, e pambrojtur, që ishte gjak nga gjaku i tyre dhe shpitrt nga shpirti i tyre dashuror…
Por kjo ishte e kaluara, dhe Edlira tani ishte shkëputur nga çdo gjë që kish të bënte me të kaluarën, se kishte qëndruar vetëm në një pikë: të vazhdonte të rifillonte jetën e saj me anë të integrimit, për ta kapur në vazhdim, ritmet e jetës, aty ku me përdhunë i ishte ndërprerë…
Ajo po vijonte të rrinte e ulur në atë lokal, mu në qendër të Selanikut, duke sjellë në mendje grimca kujtese, të grimcuara në kohë….
E kaluara kishte mbetur në atë rrugëtim ëndrrash dhe tashti e priste një jetë e re. Më në fund, ajo u shkëput nga reflekset e kujtesës, pasi tringëllima e fortë e celularit e solli në realitetin konkret. Ishte ai, punëdhënësi I saj I ri. nuk di pse pati një dridhje të lehtë. Qe tip
sensibël dhe e ndjeshme, shpirti I saj qe një pasqyrë besnike ku përthyeheshin realitetet e ditës dhe të kohës, qofshin të vrazhda e cinike, qofshin të ngrohta e lirike…
-Alo, shef! Urdhëroni, po ju dëgjoj…
-Mos harro për të hënën, kemi mbledhjen e bordit të kompanisë…Ti duhet të jeshë aty patjetër. Ora 12. Mos harro, të lutem!
-Faleminderit shef, nuk harroj. Mos keni merak!
Ajo mbylli telefonin dhe qëndroi një copë herë mëndyshas, të ngrihej apo të rrinte edhe pak për të shijuar vetminë e atyre çasteve. Në ato dilema, rrethuar me mendime nga më të larmishmet, u ngrit përtueshëm dhe mori rrugën në këmbë, përmes palmave në të dy anët e saj, majat e të cilëve përkuleshin nga një erë e lehtë flladitëse, që kishte nisur të frynte, duke sjellë në ajrin e bymyer nga pritja një aromë dehëse parfumi vjollvash dhe aguliçesh të një stine të harruar…