Sot është ndarë nga jeta, ish-skënderbegasi, ushtaraku madhor i Shqipërisë dhe Kryetar i Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve të LANÇ të Popullit Shqiptar, Kolonel Rustem Peçi. Ngushëllime familjarëve, kolegëve, miqve e shokëve të tij.
Kolonel Rustem Peçi, bir i shquar i Picarit të rrethit të Gjirokastrës, ka lindur më 5 shtator të vitit 1935. Është degë e një lisi të lartë e hijerëndë, siç ka qEnë Shefqet Peçi, ish komandant i Brigadës V Sulmuese Partizane – Hero i Popullit. Edhe pse i vogël në moshë, pionier, Rustem Peçi u aktivizua herët dhe gjallërisht në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Dhe nuk kishte se si të ndodhte ndryshe. Jetonte në një familje, ku në bisedat e përditshme nuk flitej për pronë e pasuri, por për Atdhe dhe Shqipëri. Ndërsa i ati, komandanti ynë lab, siç është shprehur Dritero Agolli, ngrinte peshë mbarë Labërinë për luftë kundër të huajve, Rustemi i ri, përfshihej e aktivizohej në Organizatën e Rinisë Antifashiste Nacionalçlirimtare të vendlindjes. Dhe përmes veprimtarisë së vetë konkrete, sikur donte t’u thoshte fashistëve dhe veglave të tyre: jam jo thjesht djali i Shefqetit, por edhe biri i Atdheut. Atyre kohëve me vetëtima armësh, djaloshi nga Picari do të kryen-te edhe detyrën delikate e shumë të vështirë të korrierit partizan. E, Rustem Peçi hidhte hapin me zgjuarësi, duke mos shkelur në dërrasë të kalbur. E derdhte vështrimin gjithandej, por sytë i mbante ngulur te ata që i vinin zjarrin Shqipërisë. Gjendej atje ku dilte një nevojë. Ndodhej atje ku kërkohej një ndihmë. Shkonte atje ku e thërriste lufta. Dhe qëndronte jo atje ku ishte më lehtë. Duke iu ruajtur rrezikut, vriste frikën. Duke ecur rrugëve të vështira, njihte mirë lepuj e çakall. Çlirimi i Atdheut e gjeti vetëm nëntë vjeç. Fëmijë. Kur e takoj të atin, kur ky kthehej prej aq shumë e shumë luftimeve të kryera deri edhe jashtë kufijve shtetërorë, ndjeu t’i binin teshat erë barot. Patën kryqëzuar shikimet mes tyre, si të donin t’i thoshnin njëri-tjetrit: lufta ende nuk ka mbaruar. Për Shqipërinë do të na duhet të vazhdojmë për mbrojtjen, ndërtimin dhe rindërtimin e saj. Me ëndrrën e tjerrë që gjatë Luftës, i riu Rustem Peçi, si shumë moshatarë të vetë e hodhën vështrimin përpara.
Si shumica e pionierëve të luftës, edhe djaloshi nga Picari filloi e vazhdoi Shkollën e mesme Ushtarake “Skënderbej”. Jo pak, por gjashtë vjet në këtë shkollë: nga viti 1946 e deri në vitin 1952. Shtatëmbëdhjetë vjeç djalë, ai tashmë do të mbyllte një cikël shkollimi për të filluar një tjetër; Shkollën e Bashkuar të Oficerave “Enver Hoxha” në specialitetin e Artilerisë. Ish antifashisti Rustem Peçi nuk do të ndalonte këtu: do të vazhdonte të ngjitej më lart në shkallët e dijes, tashmë në një Akademi Ushtarake të Bashkimit Sovjetik. Pesëmbëdhjetë vjet shkollim ushtarak, filluar nga viti 1946 e deri në vitin 1959.Por cikli i specializimit ushtarak dhe i formimit politikë do të vazhdonte ca më tej. Në vitet 1973-1974 ushtaraku i lartë Rustem Peçi do të kryente Kursin e Lartë të Akademisë së Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, ndërsa në vitet 1978-1979 do të kryente edhe Kursin e Lartë të Filozofisë në Shkollën e Partisë “V. I. Lenin” në Tiranë. Viteve 1959-1963 do të ngjiste shkallët e para në të përpjetën e lartë që e priste si ushtarak: komandant toge drejtimi, shef stërvitjeje, instruktor për Artilerinë Bregdetare, oficer drejtimi në Flotën Ushta-rake Detare. Në dhjetë vitet që do të vinin do të kryente detyra të tjera: shef Dege dhe zëvendëskomandant artilerie për Artilerinë Bregdetare në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore. Në vitet 1974-1985 do të ishte Komandant i Shkollës së Lartë të Bashkuar të Oficerave “Enver Hoxha”. Me po këtë funksion edhe mbas bashkimit me Shkollën e Lartë të Ar-tilerisë dhe Shkollën e Lartë të Tankeve (1985-1991) Në mars 1991,Komandant i Brigadës së RKP në Tiranë.
Me daljen në pension Rustem Peçi nuk shikoi rehatinë e vetë. Përkundrazi, e ndjeu detyrë që të militonte aktivisht në Organizatën e Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, të cilën, për mjaft vite, e kish pas drejtuar i ati .Në këtë Organizatë vërtet luftarake veteranit të LANÇ, Rustem Peçi do t’i duhej të vazhdonte një tjetër luftë, por tashmë në fushën e mbrojtjes së vlerave të epopesë së ndritur të çlirimit dhe të mbajtjes përherë lart të lavdisë së gjakut të derdhur. Pas aktivizimit si veteran i LANÇ në bllok, në lagje e në zonë, në vitin 2000 zgjidhet shef i Departamentit të Ushtarakëve Pensionistë dhe, ndërkohë, anëtar i komitetit të veteranëve të LANÇ të rrethit të Tiranës. Në vitin 2003 zgjidhet anëtar i Kryesisë së Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve të LANÇ të Popullit Shqiptar dhe nënkryetar i këtij Komiteti. Në vitin 2007 zgjidhet Sekretar i Përgjithshëm i Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve të LANÇ, ndërsa në vitin 2010 Konferenca Kombëtare e zgjedh kryetar të Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve të LANÇ të Popullit Shqiptar, detyrë që vazhdon të kryejë edhe sot. Njeriu përballet me shumë sfida në jetë, shprehet shkrimtari i madh amerikan, Mark Tuen, por më e vështira ndër to është ajo se si të mbetesh njeri. Gjatë këtij një çerek shekulli të pas ndryshimeve të thella politiko- ekonomike, Rustem Peçi ka mbetur njeri. Historinë e çlirimit të Atdheut e njeh ashtu siç e pranon historia: vepër të partizanëve dhe të popullit shqiptar. Ballistët i konsideron ashtu siç i pat njohur realiteti historik: bashkëpunëtorë të pushtuesve të huaj. Ai ka qenë dhe mbetet në opozitë historike me çdo forcë politike, të djathtë, por edhe të majtë, që, për hirë të thithjes së disa votave, synon dhe orvatet të quajë çlirimtarë edhe ballistët!!! Në qoftë se gjatë viteve të fundit janë realizuar disa investime në fushën e restaurimit të Varrezave të Dëshmorëve, në se janë rregulluar disa simbole të LANÇ, apo në se janë organizuar disa veprimtari masive përkujtimore, këto i kushtohen këmbënguljes së Kryesisë së Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve të LANÇ dhe personalisht kryetarit të këtij Komiteti, shokut Rustem Peçi. E veçanta e këtij drejtuesi të talentuar të Organizatës së Veteranëve të LANÇ është ekzigjenca, deri në skrupulozitet për zbatimin e detyrave në frymë të shëndoshë historike. Shkurt, Rustem Peçi nuk i ka shkelur syrin asnjërit prej krerëve më të lartë të shtetit kur ka qënë puna për mbrojtjen e të vërtetave të epopesë së lavdishme të çlirimit. Gjoksin e Kolonel Rustem Peçit e zbukurojnë shumë dekorata të akorduara nga ish Presidiumi i Kuvendit Popullor. Dhe janë dekorata të merituara. Në serinë e tyre, numërohen Urdhër i Skëndërbeut i Klasit II dhe një tjetër i Klasit III, Urdhër për shërbime të shquara në fushë të mbrojtjes i Klasit I, Urdhri i Klasit I dhe ai i Klasit II, Medalja e 10 vjetorit të Ushtrisë, Medalja e 15 vjetorit të Ushtrisë, Medalja për kontribut të shquar në çlirimin e Atdheut, dekorata e Mirënjohjes nga Federata Ndërkombëtare e Rezistencës Antifashiste (FIR), Medalja e 70 vjetorit të fitores mbi fashizmin gjerman, akorduar nga Presidenti i Federatës Ruse, Putin. Rustem Peçi, është nderuar me titujt më të lartë të Nderit nga ana e Kryesisë së Organizatës për Dëshmorët e LANÇ dhe Dëshmorët e tjerë të Atdheut, si dhe nga Shoqata Kombëtare e Invalidëve të LANÇ të Popullit Shqiptar. Ai është nderuar edhe me titullin “Krenaria e Gjirokastrës”, sikurse është nderuar edhe nga komuna e Trebinjës me titullin “Qytetar Nderi i Komunës”.Nuk thonë kot, se dardha bie nën dardhë. Sikundër i ati që tregoi heroizëm deri edhe në aktin e ndarjes nga jeta, edhe i biri, Rustemi, kryetar i Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve të LANÇ të Popullit Shqiptar, vazhdoi të mbetet një figurë e dashur, prej së cilës kushdo mund të frymëzohet. Kur bëhet fjalë për nderin e Luftës dhe lavdinë e gjakut të Dëshmorëve të LANÇ e të atyre të Atdheut, ai nuk i bëri kurrë as lëshimin më të vogël, filluar nga ai veterani i zakonshëm “demokrat” dhe deri te Kryeministri a Presidenti i Republikës. Ja pse atë e respektonin dhe e nderojnë kudo që shkon e ngado që shkelte nëpër Shqipëri. I tillë do të mbetet ai.