11.5 C
Tiranë
E shtunë, 15 Shkurt 2025

KUJTIM HAJDARI

LIRIA
Imazhi mund të përmbajë: jashtë dhe natyrë
Bridhte qeni gëzuar me një zinxhirë në qafë,
Me zogjtë kërkonte të bashkohej në erë,
Kush vjen nga skllavëria e lirinë gjen prapë,
Dhe dimri i egër do t’i ngjante pranverë.
Dhe tundej në rrugë zinxhiri i këputur,
E botën përreth fshikullonte me zë,
Mjaft me skllavëri, me t’qarë e të lutur,
Liria është e ëmbël dhe kur plagë të lë.
Zgjata dorën ta kap dhe kujtimin e hidhur,
Që varur rëndonte në atë copë zinxhirë,
T’ja hiqja atë brengë rreth qafës lidhur,
T’i thoja se bota s’është gjithë e nxirë.
Po qeni më shtrëngoi dorën me dhëmbë,
Me sytë plot dhimbje më pa me kujdes,
Sikur po më thosh: “S’lë njeri t’më përkëmbë,
Me dhëmbë do ta mbroj lirinë dhe sikur të vdes.”
Ja këputa, ja hodha tej atë kujtim të zi,
Kërceu ai në ajër gjithë jetë e gëzim,
Sytë e tij me thonin: “S’ka si e shtrenjta liri,
Për të vlen të përballësh çdo vuajtje e flijim.
KUJTIM HAJDARI
“”””””””””””””””””””””””

Rreth tematikës së vëllimit poetik “I PANJOHURI” të poetes Venetike Cako

Rreth tematikës së vëllimit poetik “I PANJOHURI” të poetes Venetike Cako

  (Pregatitur nga Kujtim Hajdari)

Venetike cako

është nga Berati por prej vitesh jeton e punon në Greqi.

Ka filluar të shkruaj poezi herët në jetën e saj. Në poezinë e saj

ajo trajton tema të ndryshme sidomos nga jeta e mërgimit,

me të cilën është përballur dhe vet gjatë këtyre viteve,

por trajton dhe tema të ndryshme nga rinia e saj të cilat i sjell

në formë kujtimesh duke na dhënë krijime të bukura me përgjithësime artistike letrare ku shumëkush gjen veten e tij.

Vargje të bukura e të punuara me kujdes e plot ndjenjë do të na japi edhe kur trajton probleme të tjera të kohës siç është virusi Covid 19 me problemet që krijoi ai kudo.

Me temën e mërgimit do të merret në shumë poezi duke trajtuar aspekte të ndryshme si atë të largimit e mallin për vendin:

“Ku hodha hapin e parë,

Ku thirra baba e nënë,

Ku më presin me aq mall,

Shpirtin tim ku kam lënë.”

Ose në poezinë tjetër “Atdheu im” ku dëshira e malli  shpërthejnë si në vargjet e mëposhtme:

“Do vij tek ty me vrap,

Folezës së ngrohtë,

Ti që sytë m’i hap,

Më i bukuri n’botë..”

 Vështirësitë dhe jeta e rëndë në mërgim shprehen me dhimbje dhe rrisin mallin për atdheun tonë:

“Hedhur tej botës pafund,

Mbushur halle plot një mal,

Zemra djegur e bërë shkrumb,

Loti syrin djeg si valë.”

(Jetën s’e çmon më njeri)

 Prindërit e mbetur vetëm me mendjen te fëmijët do të bëhen shpesh pjesë e poezive të saja:

“Kthehuni t’ju ndiej gëzimin,

Lutet shpesh me sytë në qiell,

Kthimi juaj sos trishtimin,

Të më ngroh siç ngroh një diell.”

(Thonë)

Në vargjet e saja do të gjejmë dhe  fëmijët e përmalluar për një përqafim të nënës apo të babait si tek “Shami e përlorur”:

“Dy pika lotë gëzimi,

I dhashë edhe unë,

I’u luta  erës ta marri në fluturim,

Ajo si për çudi sytë më fshiu lehtë,

Dhe u nis me erën drejt hapësirës së blertë …”

Një tjetër temë, që zë një vend të rëndësishëm në vëllim, është lufta për të ndërgjegjësuar gruan:

“E heshtur mes dritave të shumta,

Nga errësira kërkoj të dal,

Diçka në shpirtin tim kërkon të shpërthej,

Në hapësirat e jetës vrapin të marrë,

Dritën e lumturisë të shkoj, të gjej ..”

Në mërgim, plus vështirësive të jetës së re që nis në një vend të huaj, gruaja mbart me vete dhe problemet që sjell nga vendi i saj si trajtimi i keq nga ana e burrit, duhet të durojë e të përballojë veset e tij si pija apo lojrat ku lënë gjithë paratë që fitojnë me djersë dhe jo vetëm kaq por gruaja duhet të mendojë të çojë përpara familjen duke duruar fyerjet e të shoqit e ndonjëherë edhe dhunën fizike, rrahjet, duke bërë dy-tre punë në ditë, punë të lodhshme e të rëndomta. Në poezitë e saja poetja  kërkon të sensibilizoje shpirtin e përulur të femrës, t’i hapi asaj sytë se jeta është e bukur e duhet jetuar.

“Për një trëndafil apo një puthje në vit,

Të përdorin si skllave gjithë kohën,

Të gënjejnë, të mashtrojnë horrat e pacipë,

Të nesërmen mbi ty sulen si kafshë egërsisht,

Mbi trupin e shpirtin tënd të brishtë.”

(Kërko paqe e lumturi)

Këto situata kanë një kufi, tashmë nuk jemi në mesjetë dhe gruaja është qenie njerëzore ashtu si dhe burrat dhe bën në shoqëri dhe më shumë se burrat, prandaj meriton një trajtim dinjitoz nga kushdo. Do të shohim në vargje se shpirti revoltues i femrës kërkon të marrë situatën në dorë dhe t’i thotë kësaj gjendje mjaft:

“Sa shumë rrodhën vitet, sa shpejt..!

Zëri shpirtit, i bërtiste me dhimbje,

(Dhe pse ma nxinë jetën, ma nxin krejt,)

“Kthehu, jetoje, pa vajtime!””

(Rrezja e lumturisë)

Një temë tjetër, e rrahur gjërë në poezinë e saj është edhe tema e dashurisë. Me nota dhimbjeje dhe proteste i këndon një dashurie që ka përfunduar keq:

“Ëndrrat m’i grise si kartë,

Nuk na lë t’i jetonim dot,

A s’ma kthen atë kohë të artë,

Të më qesh shpirti në lotë!?”

Ose në vargjet e poezisë tjetër të bukur e të dhimbshme, shprehet:

“Ikja jote sa më vrau mua,

Loti rrodhi nga sytë,

Poshtë buzëve të mia

E fshiu e mori me vete

Dhe puthjet e tua….”

(Kur të dy jetuam)

Me të njëjtin tonalitet këndon për momentet e vështira që krijohen kur dy të dashuruarit, për rrethana të ndryshme, si p.sh. Covid 19, kanë mbetur larg njeri-tjetrit.

Një ndër këto është poezia tjetër e bukur “Largësia”:

“Largësinë sapo e ndjen,

Ky shpirti im kaq i vrarë,

Ti mes ëndrrash pranë më vjen,

Mbi të bukurin kal të bardhë,

Veshur yje e plot hënë.”

(Largësia)

Largësinë e ndjejnë të gjithë por një grua që ka vuajtur, një shpirt kaq i vrarë, që mezi pret të shoh një ditë të bardhë, këtë largësi e ndjen më shumë se kush dhe në ëndrrat e saj del kali i bardhë që do t’i sjelli një jetë të re dhe sytë e saj të dëshirave e shohin të veshur me yje, të veshur me hënë. Në këto vargje gjejnë veten shumë gra të vuajtura në mërgim.

Vargje plot ndjenjë ku figurat letrare të emocionojnë e të mbesin në kujtesë për një kohë të gjatë.

Edhe me virusin Covid do të ndeshemi në disa poezi për dëmet e frikën që sjell si në poezinë “Ç’po ndodh kështu?”

“Ky virus po pushton gjithë botën,

Po tremb pleqërinë, po tremb foshnjën,

S’pushojnë lajmet kudo rreth e rrotull,

Po rrezikon në glob gjithë këtë popull.”

Si dhe vargje që tregojnë situatat e ndryshme që krijohen për shkak të tij e vështirësojnë në mënyra të ndryshme jetën:

“Për një puthje buzët na thaheshin,

Sa shumë prisnin me mall  bashkimin,

Zemrat tona që nga larg përmalleshin,

Dhe sytë lanin me lotë gëzimin.”

(Dashuruar unë dhe ti)

Shkruan në vargje të rregullta, poezinë strofike

e të rimuar me rima të ndryshme,  por gjithashtu përdor shpesh

dhe vargjet e lira të cilët i punon me kujdes duke ruajtur ritmin e duke mos rënë në prozaizëm.

 Poezia e saj është një poezi plot ndjenjë që buron nga shpirti për momente e ngjarje të përjetuara e të qëmtuara me syrin dhe ndjenjën e një poeti që kërkon të kapi e të hedhi në poezi momentet me domethënëse, më prekëse dhe me forcë përgjithësuese te jetës duke i dhënë bukuri shprehjeje e gjallëri me artin e saj poetik.

Fabulat e poezive janë të thjeshta, pa ndërlikime por që konceptojnë e përcjellin bukur e qartë mesazhin e poetit tek lexuesi.

Me poezitë e saja ka marrë pjesë në konkurse te ndryshme  kombëtare e ndërkombetare ku i janë dhënë vlerësime të kënaqshme.

Poezitë e saja janë botuar në antologji të ndryshme  si në Antologjnë e Shoqatës “Jehona shqiptare” 2020, në antologjinë e konkursit “Verrà il mattino e avrà un tuo verso” në Romë të Italisë, ku doli dhe finaliste, “Essence of woman” në Indi, në antologjinë e konkursit Europian në Rumani ku vlerësohet dhe me çmimin special, etj.

Poezia e saj është pritur me interes nga lexues dhe dashamirës

të shumtë të poezisë që e ndjekin, në faqe të ndryshme të web-it. Ky është vëllimi i saj i parë.

Duke i uruar lexuesit lexim të mbarë autoren e urojmë me vepra të tjera të suksesshme.

KUJTIM HAJDARI

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.