Abdurahim Ashiku
Gazetar
KUR NË ATHINË NDIZEJ NJË QIRI
Me rastin e përvjetorit të gazetës “Vëllazërimi”
Kujtime të gazetarit
E kisha kaluar kufirin më 21 korrik 1996, me dhembjen e njeriut që ishte i detyruar të ikë për ti shpëtuar dhunës, për ti shpëtuar vdekjes. Më kishin përgjakur, më kishin kërcënuar me jetë, kishin tentuar të më rrëmbejnë fëmijët, më kishin dhënë ultimatumin “O mbyll gojën o do të të rrëmbejnë fëmijët”.
Dhe kjo bëhej kur flitej për “fjalën e lirë”.
Dhe kjo më bëhej nga ata njerëz që kishin në vena e arterie eritrocite gjaku njëlloj më ato të fëmijëve të mi…
E dhimbshme, por e vërtetë si dielli që lind mëngjeseve mbi Korab, rrëfim të cilin mbase e zbardh një ditë…
Ishte koha e euforisë së “fitores 120 për qind” e 26 majit 1996.
Për dore atë mesditë korriku kalim kufiri, kisha djalin e vogël 14 vjeç e për adresë kisha Salaminën ku punonte djali i madh. Pas kisha lënë bashkëshorten-mësuese dhe vajzën-studente…
Erdhi dimri, një dimër që nuk do të desha dhe nuk dua të vijë kurrë. Një dimër i dhunshëm, një dimër që e rrënoi Shqipërinë, i hoqi çatinë dhe i shkuli themelet.
E shikoja nga larg. E dëgjoja nëpërmjet një radioje të vogël me zërin BBC dhe VOA.
E shikoja nëpërmjet ekraneve të vegjël të stacioneve televizive greke ku kamera kish arritë të futet deri në turbinën e aeroplanëve MIG të Kuçovës…
U dogj gazeta “Koha jonë”, zëri melodioz i së cilës griste pelerinën e dalë boje të pushtetit të Berishës.
Në ditarin tim shënoja:
4 mars ’97
Në Tiranë sot doli vetëm RD-ja…
Atë ditë në Shqipëri ishin shuar të gjithë zërat mediatikë. Ishte shpallur “Gjendja e jashtëzakonshme !”. Në rrugë kishin dalë tanket dhe autoblindat. Ishte prerë në mijëra copa, ishte bluar në mullirin e politikës berishiane fjala e lirë, ajo fjalë që trumbetohej me të madhe si fitore e demokracisë.
Jetoja në ishullin e Salaminës me dy djemtë ilegalë që mundoheshin të nxirrnin ndonjë dhrahmi për të kaluar ditët e vështira të mërgimit.
Gruaja e kishte lënë klasën e saj ku për më se tre dekada ishte gëzuar në rritjen e fëmijëve udhës së dijes. Banonte bashkë me vajzën në një dhomë në një konvikt në Qytetin Studenti nën frikën për jetën të plumbave që fluturonin e binin, herë – herë mbi njerëz të pafajshëm.
Isha në një moshë kur afendikonjtë të shohin “nga dhëmbët e nga këmbët” e kërkesës për punë i përgjigjeshin “Do të të marr në telefon” sikur donin të të thoshin në “Kalendat greke e në javën pa të shtunë”.
Udhëtoja herë pas here në Athinë. Me traget nga Paluqia në Perama e më tej me autobusin 18. Me kaike nga Kamateroja në Pire e më tej me tren deri në Omonia.
Më në fund gjeta një fole ku mblidheshin shqiptarët, një kafene në Likurgu 9 diku 20-30 metra larg rrethit të Omonias.
Të dielën 11 gusht 1996 do të shënoja në ditarin tim fjalëpakë…
“…Sot kam ndjerë kënaqësinë më të madhe gjatë qëndrimit në Greqi. U takova me Alber Zholin dhe një sërë shqiptarësh emigrantë midis të cilëve gazetarin Tomorr Topore, dhe një grup shqiptarësh nga Tepelena e Përmeti. Katër orë në “Klubin e shqiptarëve” në Omonia ishin si 4 minuta të shtrenjta midis miqsh”
Nga ajo ditë çdo të diele do të udhëtoja në Omonia për të pirë kafe e për të biseduar me njerëz që si mua halli i kishte hedhë larg vendlindjes. Aty do të fiksoja me aparatin tim disa fotografi: Njërës i vura për diciturë “Ku e lamë e ku na mbeti, vajë vatani e mjerë mileti”…
U njoha me Albertin, Tomorrin, Klitin, djali i Kadri Roshit, Ramadanin, Diamandin, Novruzin, Ilirianin, Hidrin, Florinën, Stefanin…
U njoha edhe me një emigrant të vjetër, një ikanak i vitit 1961, Kristo Zharkalliun. Të nesërmen e njohjes më merr në telefon dhe më thotë se i ka lënë për mua banakierit të klubit një makinë shkrimi që ia kishte sjellë nga Kanadaja një mik i tij nga Dibra, Kamber Merdini.
U gëzova sepse pa makinë shkrimi më dukej vetja si pa një gjymtyrë…
U njoha me disa gazetarë që na kishte shty e njëjta dallgë e zezë, që na kish marrë malli për rrugët me baltë fushave e për gurët ngjitjeve në male. Donim të shprehnim ato që na vlonin në shpirt e që përziheshin me dhimbjen dhe shpresën.
Një ditë takova djalin e një miku që kishte punuar në Maqellarë, djalin e Filip Blidos, zooteknik. Ilia e quanin. Donte të hapte një gazetë për emigrantët shqiptarë në Athinë e më gjerë. I kishte folur babai për mua. Mu bë qejfi. Pimë një kafe dhe e lamë të mblidheshim e të diskutonim me shokë për hapësirën e përmbajtjen, për emrin e për njerëzit që do të bëheshin zë i saj i gjallë.
Në Athinë sapo ishte mbyllur gazeta “Egnatia”. Drejtuesi i saj kishte kapërcyer oqeanin.
Në Tiranë nuk qarkullonte asnjë gazetë. Stenda në qendër të Omonias ku vareshin të gjitha gazetat që dilnin në Shqipëri ishte bosh.
U mblodhëm, diskutuam, morëm detyra për të grumbulluar lajme, biseda, intervista, fotografi…
Unë i besova dy zërave të mëdhenj, BBC dhe VOA, lajmet e të cilave i fiksoja në shiritin magnetik të një radioje të vogël, për ti zbardhur në makinën e shkrimit e për ti përcjellë për botim.
Dy fletë ditari flisnin për përkushtimin tonë qytetar…
7 mars ’97
U vendos botimi i gazetës me emrin “FJALA”. I shkoftë fjala në vesh Zotit !
10 mars ’97
Në mëngjes në orën 10.30 shkova në Omonia dhe prej andej në zyrën e gazetës. Emri i saj u ndryshua nga “FJALA” NË “VËLLAZËRIMI” …
…Shqipëria në flakë e nën gjëmime armësh. Njoftohet se është marrë Berati, Kuçova, Përmeti. Ka ngelur vetëm Juglindja, Korça etj. Numri i të vrarëve dhe i gjakut të derdhur vazhdon rritjen….
15 mars ’97
Sot doli numri i parë i “Vëllazërimit”. Është një sukses. Pastë fat dhe lexues sa më të shumtë!
Po kush ishin ata që e nxorën gazetën, i dhanë jetë dhe shpirt në ato ditë tepër të vështira për vendin tonë.
Drejtori ishte Ilia Apostoli.
Kryeredaktor Tomorr Topore
Në kolegjiumin e redaksisë ishin gazetarët J. Banga, A. Ashiku, A. Zholi. S. Martiko, A. Pipa, Dh. Konomi, R. Bigza…
Për disa numra gazeta përcolli lajme nga Shqipëria, nga ato lajme që i mblidhnim nga të mundnim.
Në një nga numrat u pasqyrua edhe vizita dhe takimi me emigrantët, në një sallë të madhe leksionesh të Universitetit Politeknik të Athinës e Bashkim Finos, kryeministër i Qeverisë së Pajtimit Kombëtare si dhe një deklaratë e Shoqatës së Emigrantëve Shqiptarë në Greqi lexuar nga Tomorr Topore…
Gazeta doli disa numra…
Pas saj, si qirinj u ndezën për ti dhënë pak dritë jetës dhe punës së mërgimtarëve shqiptarë në Greqi, njëra pas tjetrës apo disa në një kohë, ndriçuan edhe disa qirinj të tjerë, për tu shuar një nga një…
Abdurahim Ashiku
Gazetar