14.5 C
Tiranë
E enjte, 6 Shkurt 2025

Kuskuta e fundit      (tregim)

Nga   Përparim    Hysi

Këto që do lexoni  më poshtë, unë i kam jetuar dhe,nëse vij  para jush,  lexuesëve,nuk po ndjek kohën kur ndodhën dhe, në një farë mënyre,sikur po e filloj vallen nga bishti. As që do t’i hyja kësaj “valleje” (nëse i përmbahem kësaj meraforeje),po mos ndeshesha me një të njohurën time të hershme,këtu e 50-vjet të shkuara. Por pa i ardhur anës, le të hapim atë që quhet”Kutia e Pandorës” dhe lexuesi le të njihet dhe me shkakun,por dhe me pasojat.

                                                                        *      *     *
   Unë jam Aleksandër Pali apo më shkurt: SANDËR PALI. Nëse ky emër përkon me dikë tjetër,është veç rastësi  dhe aq. Mesviteve ’50-të,mbarova  Institutin Bujqësor dhe,veç tij ,ngaqë qeshë student cilësor, u specializova si agronom për mbrojtjen  e bimëve. Si  i ri që qeshë,por dhe si i vetmi në tërë rrethin i specializuar, e kisha të mbushur mendjen top që emërimin  e kisha në qytet dhe, po të vjedh nga letërsia (sa ëndërroja që të mbaroja për letërsi!), dy vargje nga NEZIM FRAKULLA,thosha:”Shahitët e kësaj ane/nga unë do merrnin yrnek”. Pra,gjithë agronomët kooperativave dhe fermave tek unë do merrnin “yrnek”. Por,kur thoshte prifti:-Sipas bathëve,janë larg pashkët sivjet. Edhe mua  kështu më gjeti. U paraqita në rreth dhe kryetari i rrethit më tha:-Vërtet je specializuar për mbrojtje bimësh,por atje në ndërmarrjen e farërave kemi shokun KRISTO që,sado nuk ka diplomën, ka përvojën dhe është dhe invalid lufte. Ti,- më tha kryetari,- do fillosh në kooperativën X… Shiko,- porositi ai,- kooperativa është goxha e madhe dhe ti,si specialist, duhet të dikosh për rritjen e të ardhurve. Mora shkresën në dorë dhe që të nesërmen, u nisa për në fshat. Qe larg nja 25 km nga qyteti dhe,akoma, nuk kish rrugë për makina. Merret vesh që për  të ardhur në shtëpi o një herë në dy javë , o për një muaj. Tek  ecja (kisha zgjedhur rrugën më të shkurtër), meditoja me vete. U nise për qytet dhe sose në kiamet. Se kiamet e shkuar kiametit më dukej ky, emërimi im. Do me thënë,sikur kryetari, më tha:- Mbathja për në Izmir,se Stambolii është për ta dhe KRISTOT që”kishin bërë luftën” dhe me shkollë apo pa shkollë,qenë ata që vendosnin.
Kur mbrrita,kërkova kryetarin e kooperativës dhe,kur më treguan zyrën,trokita. Hyra dhe pashë që qe me një dorë. Më zgjati atë, të saktën dhe,pasi pa shkresën, lëshoi një britmë:-Naasi! Sakaq mbrriti me një frymë ai që quhej Nasi dhe kryetari urdhëroi:- Qy është agronomi dhe çapu me të t’i tregosh dhomën ku do fleje.Pastajaz, tako Pulijen,kuzhinieren, që të gatuajë për këtëna njimëni se po shkon 12 sahati. Ti,- më tha,- si të hashë drekën,ktheu këtu se do të  takoj me brigadierët që të njiheni. Dhe kështu dhe bëra.Ashtu nga ora dy pasdite u paraqita tek zyra dhe,sa hyra,pashë që ishin 6-brigadierë dhe,veç tyre, një si”punë presidiumi” prej trevetësh:kryetari , sekretari i partisë dhe kryetari i këshillit. Kryetari më prezantoi dhe tha:- Këtej e tutje për çdo problem do merreni vesh me këtëna. Depon e dini ku është dhe atje do ketë dhe qy zyrën. Më uruan punë të mbarë dhe,siç e donte puna, m’u desh të thosha nja dy fjalë.
*     *     *
Fillimisht vinin brigadierët dhe me ta ndiqja qoftë mbjelljet dhe,mandej, të gjitha proçeset e tjera.Sipërfaqe e madhe,punë e madhe dhe e lodhshme. Njerëz të dëgjueshëm dhe,si  i  ri,sado në”kiamet”,u rrija punëve mbi kokë. Aty tek “zyra”(tek depoja),vinin brigadierët dhe unë mundohesha t’u vija në ndihmë me këshillat e mia.
Pak nga pak, mbaroi viti i parë i punës sime dhe ndodhi që kooperativa atë vit,krahasuar me vite të shkuara, kishte rritje në gjithë treguesit. Atë vit u bë dhe një aktiv a bilancë vjetor bujqësie në rreth. Në aktiv kish marrë pjësë vet Enver Hoxha. Presidiumi ku rrinte dhe i MADHI i vendit,i kishin afruar shifrat e të ardhurave për frymë dhe qy(është fjala për Enverin) paska parë të ardhurat e kooperativës sonë 150 lekë për ditë punë(qe rekord për kohën),lexon qy dhe emrin e kryetarit dhe brret:- Kush është KRISTO BËRDUFI? Brriti qy,- tregonte kryetari,- dhe për KRISHTIN mua desh më pushoi zemra. Pa afrohu këtu,- tha. U afrova dhe më tha:- Si të quajnë?
-KRISTO BËRDUFI,- thashë mbyturazi. – Bjerë dorën,- urdhëroi. Kur i dhashë dorën,-tha:- SHikoni, more shokë,KRISTO BËRDUFI me një dorë dhe kooperativa e tij, merr 150-lekë,por,po t’i kishte të dyja dhe,sakaq,salla ushtoi nga duartrokitjet. Kështu,me këtë entusiazëm erdhi kryetari dhe ky gëzim sikur na përfshiu të tërin. Në fakt, punohej dhe nuk kishte shaka. Për tërë natës, në verë, mbarohej një postatë e tërë me thyerje misri; për një paradite një parcelë e tërë me mbledhje pambuku dhe unë,si i vetmi specialist me shkollë të lartë,lëvizja nga një brigadë në tjetrën. Kur mbrrija tek “depoja” që e kisha dhe si zyrë,shpesh i jepja një sygjumë aty,mbi thasët me pesticide. Por mos kujtoni e punët shkonin si sahat.

*     *     *
Kur mendoja se punët i kisha vënë në terezi,ndodhi dhe më e keqja. Kooperativa jonë vërtet qe larg,shumë larg nga qyteti, por kish afër si detin,por dhe një kënetë të madhe. Kjo,këneta, ishte e lakmueshme për gjah. DHe,sa qeshë unë në kooperativë,kush nuk erdhi për gjah. Mehmet Shehu,Hysni Kapo,Kadri Azbiu; një marshall rus (akoma nuk ishim prishur me rusët) dhe,sa për këta titullarët e  rrethit,sikur qenë prapa derës. Një ditë prej ditësh, kishte ardhur sekretari i parë i rrethit dhe drejt e tek këneta. Sekretari paska qenë agronom si unë dhe,pa mbrritur tek kënteta,shikon një parcelë të mbjellë dhe,pasi ngul sytë mirë,pa dy-tri bimë kuskute. Afrohet dhe ca,kur sheh dhe disa të tjera,lëshoi kushtrimin:- Kur të kthehem nga gjahu, po nuk qenë zhdukur këto nga ara, të zhduket agronomi që i kanë  plasur sytë! Lajmi i keq është si flama:hapet shpejt. Tek depoja erdhi”korrieri” dhe solli mandatën. U sula me një frymë atje dhe me një skuadër jo vetëm i shkulëm,por nuk lamë asnjë fije për be. Ndërkaq,pritej të kthehej”pashai” nga gjahu. Për fatin tim të mirë, gjahu i kish vajtur mbarë dhe,kur i pashë rosakët  e vrarë që i mbante vet për të treguar se sa i zoti qe,thashë se e hodha të keqen. Se,kur je në qef,as zgjebja nuk të ha. Dëgjo,agronom,- foli “pashai”,- ka sipërfaqe të madhe kooperativa juaj,por,sidoqoftë, më erdhi mirë që e kishe zbatuar,flakë për flakë,porosinë. Kërkova ndjesë se nuk më falej mua një gjë e tillë dhe,si iku, u mbusha me frymë. Veç sa iku”pashai”,nuk lashë brigadë pa njoftuar seç më gjeti,për pak,nga kuskuta. Sikur dhe një fije,po gjetët,-thashë,- do ma sillni mua atje,tek depoja. Eh,ç’ është e vërteta, më donin. Se unë punoja. I ri qeshë dhe,sado lindur e rritur në qytet,qeshë ambientuar   me jetën e fshatit dhe,pse mos e them, edhe xhëku hidhja ndonjë sy lakmimtar për ndonjërën. Sado që punonin arave, fshati kish femra të bukura. U buçiste shëndeti dhe as u shkonte në mendje që  të parfumoseshin apo të bënin  ndonjëfarë tualeti të veçantë. Me gjuhën e sotme,thoshe pa frikë që të gjitha femrat,çupat me këmbë në yzengji apo nuset e porsamartuara (gjithmonë flas për mesviteve ’50-të),ishin që të gjitha”bio”. Ashtu siç ishin, veç duhet t’u shtoje aromën e fushave apo athtinë e rrobave nga djersa e punës. Edhe kur vinin në ato”mbrëmjet e vallëzimit” (këto mbrëmje bëheshin nën dritën e fenerëve varur rreth e qark lëmit ku shihej gruri),se akoma nuk  kish dritë elektrike,ato vinin po ashtu: pa u zbukuruar fare.Njësoj si në punë. Po dhe unë se mos kujtoni se krenkosesha,se mund të vija këmishë të hekurosur apo kollare.Jo.Edhe unë,siç dilja nga”depoja-zyrë”,drejt e tek lëmi dhe nën tingujt e një violine që i binte një amator  hidheshim e përdridheshim,më tepër për qefin tonë,se sa nën ritmet e muzikës.Ato çaste,kur kërcenim,unë nuk isha më në “kiamet”,por në”selamet”. Dy orë të mira,duke rrokur duartë e tyre që,pse mos ta them,disa syresh i shtrëngoja si imtësisht dhe,kur pala tjetër,reflektonte po me shtërngim. më dukej si një pakt që nuk kish nevojë për nënshkrim. Dhe një ditë ndodhi ajo për të cilën do tregoj.

                                                                    *      *    *
Qe vapë korriku dhe,pasi  u ktheva nga një brigadë e largët,u ktheva tek”depoja”. Do çlodhem këtu mbi thasët,-thashë,- dhe do bëj një sygjumë. U shtriva ashtu si qeshë veshur dhe kurrë derën nuk e mbyllja nga brenda.Vjen kush vjen,- mendoja,- s’është se e kam shtëpi dhe do turpërohem. Ashtu sa po më përpliteshin sytë,kur ndjej derën që u hap dhe dha ballë,SENA! U ngrita, i befasuar dhe,ndërsa u bëra gati për ta pyetur,ajo skuqur,sikur të kish bërë një faj, më tha:- Agronom, shkula këtë kuskutën e fundit që gjeta tek ara e Petros.Ta solla sipas porosisë suaj. THa kështu dhe mezi qendronte në  këmbë . Dridhej,kur foli,dhe mua më dukej se,po mos e kapja me duar,kish për të rënë.Iu gjenda pranë,e vërvita në cimento atë”kuskutën e fundit” dhe me të dy duarët e kapa,e tërhoqa nga vetja dhe e putha fuqishëm. Kishte dy buzë të mishta që unë po i puthja i pari. Ndërsa në të tilla”sporte” mua nuk më mungonte përvoja,SENA provonte së pari. U shkëputa për një çast dhe,ngaqë ajo e kish marrë rrezikun mbi vete,ia afrova fytyrën dhe,kur e putha sërishmi,ndjeva një drithërimë.Drithërima sikur qe reciproke,se për vete m’u duk se mund t’i hyja detit në këmbë,pa patur frikë se mund të mbytem. Vërtet se unë kisha puthur vajza më parë, por  tani me SENËN isha duke puthur ca buzë sade që më kishin një shije të veçantë. Tani gjithçka që dua të bëj,është t’i puth e t’i riputh ato buzë. Nuk e zhvesha,se nuk ish i morlashëm një veprim i tillë në atëkohë dhe aq më shumë, do të qe teprimi i pafalshëm imi që isha gati nja dhjetë vjeç më i madh dhe goxha më i pjekur nga kjo,SENA që më solli”kuskutën e fundit”. Ajo më qe”dorëzuar” e tëra,por unë nuk e kalova kufinë. Veç e puthja dhe, kur u”nxeva”shumë,ia kapa gjirrin e fortë gur dhe,mend, ia thërmova. Doja të bëja me të atë”lojën e çmendur” që bëjnë dy të dashuruar, por,po të lanë për prift, bëhesh dhe dhespot. Frenimi për mos kaluar”vijën e kuqe” ndodhi kur ndjeva që rënkonte nga një përjetim që e kish pritur dhe,për një çast,ndalova dhe thashë:- Po sikur dikush tjetër të ketë gjetur qoftë një rrënjë kuskute dhe t’ia ngrah drejt e tek agronomi,ç’do ndodh? Ndalova… dhe i thashë:- SENA, ti je si  nektari i një luleje që unë dua ta rrëmbej me duarët e mia dhe të të fut, të gjithën, në gojë, por… dhe,pa mbaruar atë çka do t’i thosha, nga  jashtë u ndje zëri i rojës,NASIT.Ky bërtiti:-Agronom, të pret kryetari në zyrë njimëni. I zgjata një peshqir Senës, për të fshirë”gjurmët e fajit” dhe me kuskutën e prishur në dore shkova tek zyra e kryetarit.Aty kishin ardhur dhe brigadierët.Kur mora fjalën, tregova”kuskutën” dhe falnderova atë SENËN që ma kish prurë si dëshmi.Porosia qe për të gjithë brigadierët.
*       *       *
NJë javë pas kësaj ndodhie,unë u transferova në ndërmarrjen e farërave se KRISTO Veterani kish dalë në pension. Më nuk u duka atyre anëve. Por… Nuk  u duka dhe,ndërkaq po shkoja drjet moshës së pensionit.Dal pa dal  mirë në pension,erdhi demokracia dhe i”fshiu” me kooperativa e ndërmarrje dhe mbeta kështu:as në qiell dhe as në tokë. Një mik më këshilloi.Futu mëso makinën dhe puno ashtu në të zezë se pa gjë nuk del. Kështu bëra dhe,pasi mora patentën, punoja si taksist.Merret vesh:pa lincencë. Nuk dilja keq. Një ditë prej ditësh, një mik më pajtoi deri tek “Shtëpia e lindjeve” apo Materniteti. E shpura atë dhe,tek po prisja të vinte me nusen, pashë që e shoqëronte një mami. Unë qiri në këmbë dhe,ndërsa hapa derën që miku të fuste nusen, mamia shoqëruese hodhi sytë nga unë dhe foli:- Agronom,paske ndërruar zanat! Tash hodha sytë unë andej,por as e njihja dhe as e kisha parë kund.
– Ku e di ti që jam agronom dhe kam ndërruar zanat,se zor se njihemi bashkë,u mbrojta unë.
-Po unë  jam “kuskuta e fundit”,- foli pa teklif mamia.
– Moj SENA,- fola i traumatizuar! Sa më bëhet qefi që të pashë.Ka kaluar kaq kohë,-thashë.
Dhe atje,para syve të gjithëve,e pushtova me një mall që,i fshehur thellësive të shpirtit, befas u gjallërua ashtu si zjarri që vjen nga një shkëndijë.
Ngaqë këtë”riparjen me kuskutën e fundit” nuk e haroj dot, e ritregova si për të  malcuar një plagë që më dhëmb.

Tiranë.9 maj 2021

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.