7.5 C
Tiranë
E enjte, 13 Shkurt 2025

Lan Qyqalla

Lexojeni Betejen e Kosoves 1389 ne menyre artistike.

Nje novele teper e mire nga Bajram Mjeku

FITUESIT E BETEJES SE HUMBUR
Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.
Karvani i gjatë i Ushtrisë Osmane kaloi kufijtë e Gadishullit në fillim të muajit maj të vitit 1389. Sulltan Murati kalëronte mbi hamshor me bijtë e tij Jakubin e Bajazitin. Mbrapa vinin si rrjedhë lumi mijëra ushtarë. Nga pehatjet e hamshorit, Murati dremiste. Si të ishte zgjuar nga ëndrra e ligë, për një çast ndaloi në vend. Kur pa hapësirën e paanë të Fushës së Mëllenjave dhe lumin Llap urdhëroi:
– Këtu do të fushojmë. Me emër të Allahut fuqiplotë, do ta pushtojmë Gadishullin dhe do t’i kthejmë në udhë të Allahut kaurrët e pafe!
Miftar Ozdil urdhëroi ushtarët të ngrejnë tendën e Muratit. Që kur kaluan kufijtë e Gadishullit Ilirik, heshtja e kishte pushtuar gjithë ushtrinë osmane. Murati urdhëroi:
– Sonte dua të dëgjoj lutje për Allahun!
Papritur mëllenjat fluturuan dhe nisën të ciasin mbi tendat e ushtrisë osmane. Qielli pas pak u murrëtua e shiu nisi rrëke. Miftar Ozdil hyri në tendën e Muratit ku qëndronte i vetmuar gjithë trishtim. E pyeti a kishte nevojë për diçka? Për herë të parë Murati në një ekspeditë kaq të madhe, nuk i kishte marrë me vete të gjitha robinjat e haremit. Kishte marrë vetëm Myzejenin e Jëlldëzin.
Murati nuk foli. Dha shenjë me dorë e Miftari u largua. Shiu s’pushoi deri në fund të majit. Ciatjet e mëllenjave s’qetësoheshin assesi. Një mbrëmje, Murati e thirri Miftar Ozdilin dhe e pyeti:
– Si quhet këta zogj të mallkuar Miftar Ozdil?
I shqetësuar para sovranit, Miftari u tundua si gjithmonë.
– Sundimtari im. Zogjt quhen mëllenja. Edhe vendi mban emrin Fusha e Mëllenjave. Pyllin që duket nga këtu, kaurrët e quajnë Qyqavicë. Sipas gjuhës së tyre, është pylli ku jetojnë qyqet.
Myzejeni e Jëlldëzi veç mërzisë në fushën me mijëra lulëkuqe që ua kallnin datën, ndjenin frikë e trishtim. Thirrën Miftar Ozdilin. U ankuan, pse tash një muaj nuk ishin ftuar as edhe një natë të vetme nga sundimtari.
– Të mjerat ne, ia kemi harruar edhe pamjen!, – u ankua Jëlldëzi.
E bindi Miftarin që ta dërgonte porosinë te Murati. Miftari i sigurt se sovrani do ta miratonte ankesën, shkoi tek tenda. Kërkesën ia kumtoi në mënyrë triumfale, por Murati klithi trishtueshëm:
– Vafsh në xhehnem me të dyjat Miftar Ozdil!
Miftari i hutuar deshi të ikte nga tenda. Murati e urdhëroi që në tendë të vinin historianët e kronistët.
– Ç’popull janë shqiptarët Abdylmenaf Bardakçi?
– Sundimtari im… Kaurrët e pafe kur bindesh se i ke futur në grusht, të ikin mes gishtërinjve. Janë kryeneçë, gjaknxehtë e të pabindur. Me kulturë e zakone janë ndryshe nga serbët, bosnjakët, bullgarët e hungarezët…
– Me emër të Allahut, në shpirtin e tyre kryeneç do ta mbjellim islamin dhe pas tij nënshtrimi vjen vet!, – tha Murati.
Dita e fundit para betejës erdhi.
U bë një muaj që kur erdhën në Fushën e Mëllenjave. Veç Jakubit, Bajaziti rrallë herë e vizitoi Sulltanin. Për një çast Murati brofi nga minderi i mëndafshtë e klithi:
– Bajaziti, ku është Bajaziti?!
Jakubi e Bajaziti u shfaqën në tendë. Sulltani kërkoi të di për planet e betejës. Jakubi nxori hartat. Nisi t’i shpjegojë strategjinë e gjeneralëve osmanë. I foli për kuartetet e jeniqerëve, harkëtarëve, pastaj për legjionet e kalorësisë dhe në fund për strategjinë e mësymjes.
Bajaziti i ndërgjegjshëm se për aq kohë sa nuk fliste, po aq do të ishte i dyshimtë, tha:
– Sundimtari im. Kësaj radhe me vëlla Jakubin i kemi ndarë punët. Fuqia e ushtrisë sonë të lavdishme me emër të Allahut fuqiplotë do të shihet nesër në betejë.
– Je shumë i shqetësuar biri im. Zëri yt nuk më bind për fitoren e nesërme!, – tha Sulltan Murati.
– Sundimtari im… Nesër jehona e zërave do të zëvendësohet me shpatën e artë të Perandorisë së lavdishme, – u përgjigj Bajaziti.
Sulltan Murati iu drejtua Miftar Ozdilit me gjysmëurdhër:
– U thoni kuzhinierëve të ziejnë hallvë për ushtarët. Le të shpërndahet edhe shërbet dhe le të ndizen zjarre…
I dërmuar në orët pas mesnatës u shtri për të fjetur. Gjumi iu përzie me makth. Pa ëndërr sikur Bajaziti po kalëronte mbi kalë me gjysmëhënën e leckosur. Murati e thërriste, Bajaziti s’përgjigjej.
Për një çast brofi nga shtrati. Pa se ishte qullur në djersë dhe psherëtiu:
– O Allah. Ndihmona me fuqinë tënde t’i mundim kryqtarët e pafe!
*
Fisnikët shqiptarë më zgjodhën mua Teodor Muzakën, komandant të ushtrisë shqiptare. Nesër vendoset e ardhmja e Gadishullit. Dy fisnikët tjerë, Gjergj Balsha e Demetër Jonima janë zëvendësit e mi. Erdhën edhe ushtritë nga Hungaria, Kroacia, Serbia, Bosnja, Bullgaria e Rumania… Bashkë do të luftojmë kundër osmanëve.
Me zëvendësit e mi u pajtuam që ushtarët tanë të fushojnë afër lumit Sitnica. Kuajt kanë nevojë për ujë, ushtarët për t’u pastruar. Edhe ushtritë tjera të Koalicionit u vendosën afër nesh. Këtu u vendosëm edhe për diçka tjetër. Toka ku do të ndodhë beteja në stinën e pranverës është e butë. Ushtarët tanë të armatosur dobët, mund të lëvizin më lehtë dhe këmbët e tyre nuk nguliten nën dhé. Parzmoret, përkrenaret dhe pajisjet e një ushtari turk, thonë janë të rënda njëzet okë.
Më ka marrë malli për Marinën. Kur u nisa drejt Fushës së Mëllenjave duke kalëruar mbi vranç, Marina doli skaj rrugës për t’u përshëndetur:
– Të lutem bëj kujdes!”, – më tha, por në Malësi këto fjalë nuk thuhen se është turp. Marina në fillim më fali buzëqeshje, pastaj fytyra e saj mori pamje të vranët dhe nisi të bëj kryq.
Ka një muaj që ushtria osmane ngriti tendat afër lumit Llap. Sulltan Murati dhe djemtë e tij Jakubi e Bajaziti erdhën me mbi pesëdhjetë mijë ushtarë. Numri i tanëve është më i vogël, por këtu nuk është koka e problemit. Brenda koalicionit mungon fryma e fitores. Mbreti boshnjak Tvrtko është një burracak. Rrah gjoks, i thurë vetes lavde dhe s’të bindë për asgjë. Serbi tjetër, despoti Lazar është finok i madh. Gjithë kohën heshtë. Njësoj është vojvoda rumun, Mirçea. Në vend të planeve për betejë, sikur thurin plane për mashtrim. Brenda ushtrisë serbe është njëfar Marko Kraljeviq. Sytë e tij të përgjakur, më shumë se heroizëm rrëzëllejnë tradhti. Më pëlqejnë hungarezët. Betejën e presin qetë dhe me dinjitet.
Midis koalicionit ballkanas ka diçka që s’shkon. Marko Kraljeviq dje u soll rrotull ushtarëve tonë. Në vend të fitores, fliste për disfatën. Falë Dedë Kapidanit nuk ndodhi më e keqja. Prenk Stakaj nxori heshtën dhe për pak ia nguli në gjoks. Marko Kraljeviq mori ikën dhe më nuk u pa. Flitet se nuk i ka punët në vijë as me despotin serb.
Pasditja e sotme qe e monotonshme. Bashkë me fisnikët Gjergj Balsha e Demetër Jonima pushuam nën hije të lisit. Në heshtje vështronim hapësirën e paanë të Fushës së Mëllenjave. Mijëra lulëkuqe nga vërshëllima e erës valëviteshin si dallgët në det. Nuk folëm gjithë kohën. Heshtja i ngjante qetësisë para stuhisë.
– Kryezot, seç kam një parandjenjë, – tha Gjergj Balsha dhe shtoi:
– Serbët më tundojnë shumë. Gjithmonë kemi bërë luftë me ta. Prej nga tash bashkimi? Unë parandjejë tradhti!, – përfundoi me gjysmëzëri fjalën e tij, duke vështruar retë në lartësinë e qiellit…
U zura ngushtë. Papritur ia behu lahutari Aranit Oroshi dhe më nxori nga gjendja e padëshiruar. Nisi të këndojë një këngë kreshnikësh. Ende pa përfunduar, në kampin serb u dëgjua zëri i zvargur i lahutarit Gjuro Vladiq. Demetër Jonimës fytyra i mori flakë. Me shpejtësi rrufeje brofi nga tenda dhe saora u gjend në kampin serb. Pas klithmës tunduese të Demetrit, u shua zëri i lahutarit serb si ta përpinte toka. Aranit Oroshi është bërë hija ime. Për një çast u kthye kah unë e tha:
– Kryezot. Nesër do të jem afër teje në fushëbetejë. Për jetë të jetëve emri yt s’do të shuhet kurrë!
Ra muzgu. Në krahun ortodoks të Koalicionit ku janë serbët, boshnjakët, bullgarët e rumunët dëgjohen klithma që s’kuptohen. Ne, krahu i krishter bashkë me hungarezët e kroatët nuk jemi larg tyre. Në krahun e tyre shohim edhe lëvizje ushtarësh si të ishin pa kokë. Thirra lajmëtar Tanush Prodanin. I thashë t’i thërriste komandantët e Koalicionit ballkanas. Komandanti hungarez, Shandor Laszlo mbërrijti i pari, të tjerët pas tij. Në fytyrat e tyre hijëzonte mort.
U thashë që jemi vonuar për strategjinë e betejës dhe emërimin e kryekomandantit.
Vështruan njëri-tjetrin si të mos njiheshin kurrë. Mbreti boshnjak Tvrtko, nisi të guduliste me gishtërinjë mjekrën e kreshpëruar dhe tha:
– Princ Muzaka. Shumica jemi ne. Për kryekomandant propozoj despotin Lazar!
Propozimi i Tvrtkos u miratua në heshtje nga shqetësimi i thyerjeve të mëdha.
Hungarezi Shandor Laszlo u drejtua kah unë dhe gjithë mirësi tha:
– Princ Muzaka. Shenjat parathonë se dita e nesërme do të jetë ters!
Në kampin turk u ndezën mijëra zjarre. Derisa ecnim afër tendave, nga kampi turk vinin thirrjet hove-hove:
– Allahu ekber… Allahu ekber…
– Keni dëgjuar princ Muzaka? Na quajnë kaurrë të pafe!, – tha komandanti hungarez duke qeshur.
Shkuam në tenda, por gjumi s’më zinte. Më heshtur se në kampin tonë, në atë sllav mbretëron heshtje varri.
O Zot. Se si i kishte rënë nuri i vdekjes despotit serb Lazar. Ndoshta edhe mua, por nuk ma tha askush.
Papritur brofa nga shtrati. Në anën e majtë pranë meje u shfaq kipci i lahutarit Aranit Oroshi.
– Mos u shqetëso princi im. Emri yt do të jetësohet në këngë. Për jetë të jetëve s’do të shuhet kurrë!
Nga kampi osman s’prajnë thirrjet:
– Allahu ekber… Allahu ekber…
Krahu im i djathtë, zëvendëskomandanti Gjergj Balsha është shtrirë mbi bataninë e linjët. Bën kryq dhe përsërit lutjet:
– Qofsh në krahun tonë o Ati Ynë!
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.