Keqsjellja dhe ligësia.
Shumë njerëz i barazojnë për nga kuptimi keqsjelljen me ligësinë. Aq sa i mendojnë fjalë sinonime.
Eshtë gabim, nuk kanë të njejtin kuptim. Janë dy koncepte të ndryshme.
Keqsjellja është mungesë edukate, padituri e njeriut të rritur në mjedise patriarkale, të izoluara dhe me nivel të ulët kulturor.
Keqsjelljes i mungon gjithmonë qellimi/dashja. Ai që sillet keq, nuk e bën këtë me dashje por, nuk ka mësuar ndryshe dhe nuk di ndryshe.
Në Shkodër thuhet: „Jo kur ke ardhë në Shkodër por, kur je ba shkodranë“. Kjo do të thotë, duhet kohë për t’u bërë shkodran.
Ligësia është pasqyrë e karakterit të njeriut. Njeriu i lig gjëndet kudo, në çdo nacion dhe kulturë, pavarsisht nga krahina, prejardhja, nacioni, besimi etj. Ai nuk ka fis, as krahinë, as parti, as besim, as nacion. Ligësia ka gjithmonë dashjen/dëshirën e keqe për të demtuar të tjerët.
Nga që njerëzit nuk bëjnë dot dallimin midis këtyre dy fjalëve, shpesh ata që sillen keq, i mendojnë edhe njerëz të liq. Dhe i urrejnë. Urrejtja bëhet aq e madhe sa, ata urrejnë edhe gjithë fisin, krahinën, rajonin, nacionin apo besimin nga vjen personi. Një gjykim i tillë, duke e njësuar sjelljen e individit me krahinën nga ai vjen apo me besimin që ai mban, shpesh sjell konflikte serioze sociale, fisnore, krahinore, qytet-fshat, nderfetare etj.
Si në rastin e keqsjelljes dhe të ligesise, gjithmonë duhet folur për individin dhe jo për të tëren, prejardhjen e tij.
Populli thote: Nuk ka fis pa një pis por, nuk ka fis që është vetëm pis.
Lekë Imeraj-shkrimtar, përkthyes, publicist.
“””””””””””””””””””””””””””””””””