6 – Njerëzit me personalitet të dëmtuar.
Nga libri ime “Inteligjenca brënda teje”
Është shkruajtur aq shumë për personalitetin e njeriut, sa duket sikur psikologët, nuk kanë prioritet tjetër. Dhe megjithatë, të paktën, njerëzit me personalitet të dëmtuar, përbëjnë një problem të mprehtë social, në gjithë botën.
Veçoritë e personalitetit, shfaqen në mardhëniet e njeriut me botën që e rrethon, për mënyrën se si ai reagon ndaj mjedisit dhe vetvetes. Vetëm kur individi vihet në mardhënie me mjedisin, ne mund t’a mendojmë, se cili është personaliteti (karakteri) i tij, prosocial apo antisocial, socialkonstruktiv apo socialdestruktiv.
Shpesh ndodhin dështime në lidhjet e reja midis njerëzve, dhe kjo thjesht për faktin, se ato vëndosen pa u thelluar aspak në njohjen reciproke, të personalitetit. Edhe nëse, në fillim një koleg i ri pune duket i këndshëm, por karakteri i tij nuk është social (shoqëror) çdo lidhje me atë mund të jetë e dështuar. Në fillim ai mund të hiqet social, edhe pa qënë fare i tillë, sepse ashtu ia do puna.
Psikologët dhe psiqiatrit, kur duan të përcaktojnë personalitetin e një personi, nisen nga dy faktorë, qëndrueshmëria dhe konjunkturaliteti i personalitetit. Në rastin e tolerancës kemi tri lloje personalitetesh: personaliteti tolerant, personaliteti tolerues dhe personaliteti intolerant. Personaliteti tolerant, nuk është i njëjtë me personalitetin tolerues. Toleranti është nga natyra i tillë dhe në çdo situatë, në mardhënie me të tjerët, ai tregohet tolerant.
Toleruesi, nga natyra, nuk është tolerant. Ai vetëm në situata të veçanta, për interesat e tij, tergohet tolerant. Bën kompromise.
Intolerant është personaliteti autoritar ose, i dhunshëm. Nuk ndjen, nuk preket, nuk dëgjon dhe nuk i njeh kompromiset. Nuk e jeton jetën dhe nuk i lejon as të tjerët t’a jetojnë jetën.
Mendohet se Hipokrati ishte i pari njeri i ditur që u mundua të bëjë klasifikimin e njerëzve në grupe, sipas personaliteteve. Në atë kohë mendohej se personaliteti i njeriut përcaktohet nga katër substancat e lëngshme që gjenden në trupin e secilit. Duke u nisur nga ky parim, klasifikimi i njerëzve, sipas personalitetit, u bë në katër grupe (sanguin, flegmatik, kolorik, melankolik). Sa i vërtet ishte klasifikimi i Hipokratit?!
Në vitin 1925, neuropsiqiatri gjerman, Ernst Kretschmer, duke u nisur nga trupndërtimi i njeriut, i klasifikoj njerëzit në katër grupe personaliteti:
1 – Leptosom. Për nga fiziku, i gjatë dhe i hollë. Për nga personaliteti, i rezervuar, i ftohtë, endërrimtar.
2 – Pyknik. Për nga fiziku, i shkurtër dhe i shendoshë. Për nga personaliteti, i afrueshëm, i gëzueshëm, spontan, realist.
3 – Atletik. Për nga fiziku, shpatullgjerë dhe muskuloz. Për nga personaliteti, impulsiv, shpërthyes.
4 – Dysplastik (astenik). Për nga fiziku, i paharmonishëm, me plot gabime. Për nga personaliteti, i raskapitur dhe me ndjenjën e inferioritetit.
Psikologët François Lelord dhe Christophe Andre, mendojnë se, as Hipokrati dhe as Kretschmer nuk janë të plotë në klasifikimet e tyre mbi personalitetin e njeriut. Ata mendojnë se, specja njerëzore njeh shumë më tepër varjante të personalitetit, se sa çdo klasifikim, sado i mirë.
Kërkimet e sotshme shkencore janë përqëndruar në mundësinë e dallimeve të personaliteteve të njerëzve, jo më sipas kategorive por, sipas dimensioneve. Vështirësia e shkencëtarve për këtë lloj klasifikimi, duket sikur nuk është e vogël. Problemi kryesor është se, cilat janë dimensionet që duhen menduar? Dhe, nëse u gjetën ato, si mund të maten?
Gjëja që sot e shqetëson shumë shoqërinë tonë është se, përse ka kaq shumë njerëz me personalitet të dëmtuar? Si dhe përse ndodh kjo?
Ka shumë teori mbi prejardhjen e personalitetit të njeriut por, shumë pak argumente mbi shkaqet. E vetmja gjë, ku shkencëtarët duket se kanë arritur në një përfundim të përbashkët është, se personaliteti i njeriut, është produkt i trashëgimisë gjenetike, dhe mjedisor. Kur themi mjedisor, kemi parasysh kontaktin e njeriut me ambientin, që nga dita e parë e lindjes së tij. Në shumë raste, që para lindjes, në barkun e nënës. Nëse duam të dimë për personalitetin e një personi, duhet ta studiojmë atë në disa aspekte të jetës së tij, mundësisht që nga fëmijëria e hershme.
Megjithatë, mendimet kryqëzohen dhe përplasen diskutimet, në lidhje me prioritetin e trashegimisë gjenetike apo të mjedisit, apo të dya të barazvlefshme.
Vazhdimisht disa përfundime shkencore çojnë në përfundimin, se disa shenja të personalitetit, kryesisht janë trashëgimi gjenetike. Tek kafshët (qentë dhe kuajt), një gjë e tillë është vërtetuar. Por, a mund të vërtetohet kjo edhe për specien njerëzore?! A mund të bëhet dallimi i saktë midis të lindurës dhe të trashëguarës, dhe të fituarës?! E vështirë të thuhet. Megjithatë, duket sikur shkencëtarët kanë marrë vrull, për të përcaktuar sa më qartë kufijtë midis, trashegimisë gjenetike dhe mjedisit, të trashëguarës dhe të lindurës. “Por, kujdes”! -paralajmërojnë Lelord dhe Andre. “Nëse një prirje është gjenetike dhe trashëgohet, nuk do të thotë aspak se nuk mund të modifikohet nga edukimi dhe mjedisi. Nëse dikush trashëgon një prirje për alkool, gjithë jetën mund të mos shfaqë asnjë tendencë alkoolisti, nëse do të ketë fatin të mësojë se si mund t’i zgjidhë konfliktet dhe t’i përballojë tensionet në mënyrë racionale. Pra, si të përballet dhe si të përballojë”.
Mjedisi familjar, sidomos për djemtë, luan një rrol shumë të rëndësishëm, në shfaqjen ose jo të skizofrenisë tek ata. Edhe vajzat nuk përjashtohen. Dhe e gjithë kjo ka të bëjë shumë me stilin e komunikimit brënda familjes.
Fëmijët, 85 për qind të formimit të tyre, e arrinë nëpërmjet vëzhgimit. Sa më i vështirë që të jetë komunikimi brënda familjes, aq më e pasigurtë bëhet jeta aty, për secilin, dhe aq më e pushtetshme bëhet skizofrenia.
Sipas teorisë së psikologjisë, në moshën 35 vjeçare, personaliteti i njeriu është formor përfundimisht. Kur njeriu kalon këtë moshë, është i formor në sjellje, pikëpamje, bindje, reaksionet emocionale, zakonet, aftësitë, kujtimet asosiacive, reflekset e kushtëzuara, perceptimet. Këto janë programuar në nënvetëdijen e tij. Këto programe janë ato që e “timonojnë” njruin gjatë gjithë jetës së tij. Kjo do të thotë se njeriu, vazhdimisht ruan të njejtin mendim, ka të njëjtat ndjenja, sillet në të njëjtën formë dhe mënyrë, beson të njëjtat dokma dhe percepton të njëjtin realitet. Në gjysmën tonë të jetës, në 95 % të veprimtarive tona, ne timonohemi nga programet e nënvetëdijes sonë, jemi të “automatizuar”.
Ndryshimet gjatë jetës, nuk përjashtohen. Njeriu, nga natyra, është qenie e përshtatshme. Në rrethana të pazakonta, njeriu mund të sillet në mënyrë të pazakont, dhe të marrë vendime të pazakonta. Nuk përjashtohen edhe rastet e ribarbarizimit të tij.
Lekë Imeraj, shkrimtar, përkthyes, publicist.