Kontrollori që nuk të fal, por t’a falë
Linia 13, e enjte, ora 07.30.
Trami ndaloi në stacion dhe brënda u futën rrufeshëm kontrollorët e biletave.
“Biletat, ju lutem!”, thirri njëri nga ata. Afër meje ishte ulur një zonjë, e moshuar, sigurisht mbi të tetëdhjetat. Ndërkohë që unë po gërmoja në çantën time për të gjtur biletën, zonja nuk po reagonte fare.
“Zonjë e nderuar, biletën ju lutem!”, iu drejtua asaj direkt kontrollori. Zonja e shikoi kontrollorin dhe qeshi.
“Nuk kam biletë. Po udhëtoj për tek dy nipat e mi në Muelheim. Dhe më dëgjoni tani! Unë mund t’ju thoja se automati i biletave, për mua është shumë i komplikuar, Ose mund të hiqesha si budallaqe, demente. Ka edhe plot gënjeshtra të tjera që mund t’ua thoja. Ndoshta edhe mund të më besonit.
Por, unë nuk dua të gënjej. Do të them të vërtetën. E vërteta është, ne jemi në fund të muajit, dhe parat nuk më mjaftonin për të prerë biletën. Meqënse doja t’i shikoja patjetër nipat e mi, vëndosa të luaj me rrezikun. Jam e moshuar, ndoshta, çdo herë që i shikoj, mundet të jetë hera e fundit”.
Kontrollori mbeti i shtangur.
“Kam pasur shumë probleme në jetë, por nuk kam gënjyer kurrë”, vazhdoi zonja. Nxorri nga çanta kartën e identitetit, ia zgjati dhe i tha: “Zotëri, me shkruani në të zezë, ose çfarë ju kërkon ligji!”, i tha ajo shumë e qetë.
Kontrollori nuk e shikoi kartën e saj. Ai e shikoi zonjën drejtë në sy, mori frymë thellë dhe u largua. Shkoi tek automati i biletave, nxorri portofolin e vet dhe mori një biletë nga automati. Pas pak sekondash erdhi përseri tek zonja dhe i tha:
“Zonjë e nderuar, ju udhëtoni në të zezë dhe mua nuk më lejon ligji që t’ua fali. Me parat e mia ju bleva një biletë udhëtimi. Po ua fali. Bileta është e vlefshme për katër udhëtime, kështu që mund t’i vizitoni edhe tri herë të tjera nipat tuaj.
Kontrollori u largua ndërsa zonja mbeti pa gojë.
Përktheu Lekë Imeraj-shkrimtar, përkthyes, publicist.