Të mos i hysh një gare politike për motiv respekti ndaj kundërshtarit politik, është njeri nga justifikimet më absurde që kam dëgjuar deri më sot! Në garë nuk hyhet vetëm për të fituar, por edhe për të shpërfaqur vizionin tënd politik dhe për t’i dhënë fuqi partisë politike që ti i përket. Humbja e një beteje nuk është deshtim, por është kalitje për rrugëtmin politik që zakonisht është i gjatë dhe me kthesa, perpjetëze e teporze të shumta.
Deshmorët kanë rënë për një Kosovë të lirë dhe sa më të mirë që është e mundshme. E tillë bëhet vetëm atëherë kur secili jep çdo gjë nga vetja, nga kapaciteti i vet intelektual, politik a financiar. Dhe, kjo arrihet më se miri kur konkurrenca mes individëve është e fuqishme dhe sa më e denjë, duke mos kursyer asnjë individ. Nuk ështe lojë fer as për ty as për kundërshtarin kur ti i jep gol vetes! Në momentin kur në lojë thyhen rregullat, ajo më nuk është lojë, por është kaos. Dhe t’i kontribuosh kaosit nuk është punë fort e moralshme.
Ta mundesh Bekim Jasharin në garën për kryetar të Skenderajt është nderi më i madh që do t’i bëje atij personalisht, po edhe familjes Jashari. Edhe të humbesh ndaj tij nuk është turp, por është nder perseri. Dorëzimi i garës nuk ka të bëjë asgjë me respektin ndaj familjes Jashari. Heqja dorë nga gara politike e dëmton vetë individin, e dëmton subjektin politik, e dëmton vendin dhe e dëmton demokracinë. Një akti të tillë nuk di t’i vë një emer tjetër pos naivitet politik. Nëse nuk është hipokrizi.
Shumë sinqerisht dhe me shumë dashamirësi ndaj mikut tim dhe bashkë veprimtarit politik,
Hysni Mehanit.