14.5 C
Tiranë
E martë, 13 Maj 2025

Luan Shahollari

 

Me lista të hapura apo me letra të hapura.

29 deputetë nga grupi parlamentar opozitar demokrat në Kuvend kanë firmosur një propozim për rishikimin e neneve 64 dhe 68 të Kushtetutës, për një sistem zgjedhor me lista të hapura. Listat e hapura janë kërkesa këmbëmbëngulëse e deputetes Hajdari, deputetit Murrizi dhe e 25 deputetëve të tjerë. (Dy deputetë të Ballit Kombëtar Demokrat, i kanë tërhequr sot firmat e tyre). Ata janë në pritje për ta diskutuar me përfaqësuesit e opozitës demokrate reale (jo formale) të PD dhe partive të tjera aleate të saj. Nëse kjo nuk ndodh,atëhere ata nuk do ta votojnë reformën zgjedhore trepalëshme (PS-PD-LSI) të nënëshkruar pak ditë më pare, me ndihmën dhe në territorin e ShBA.

Opozita parlamentare dhe një pjesë e shoqërisë civile janë kaq të magjepsur nga “listat e hapura” sa këtë e shohin si zgjidhje për sjelljen e deputetëve më të aftë në Kuvend dhe si dobësim të rolit të kryetarëve të partive. Sigurisht,hapja e listave,nëse zbatohet drejt, mund të sjellë më shumë demokraci në zgjedhjet parlamentare. Ideale do të ishte që të 100 kandidatët për deputetë të ishin të barabartë nga cilësitë e tyre morale,politike,profesionale. Por, çfarë ndodh kur një i “fortë”, edhe paksa i pasur,iu thotë më votoni mua, se unë do të bëj këtë e atë e të tjera? Kush do ta ndalojë të bëjë propogandë për më shumë vota?
Me një pasion dhe bindje të thellë për “fajin” e sistemit zgjedhor PD dhe PS ndryshuan në prill 2008 Kushtetutën e vitit 1998 duke kopjuar,siç u reklamua në atë kohë, modelin spanjoll. Tani, pas 12 vjetësh, na del se ky sistem ka dobësuar përgjegjësinë dhe rolin e deputetit dhe ka forcuar rolin e forumeve dhe sidomos të kryetarit që partisë që miraton listën e vet.Shembullin më tipik e solli z.Basha,kryetar i PD i cili në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 shpërfilli forumet e partisë,anashkaloi edhe z.Berisha dhe hartoi një listë me kandidatë ku nuk bënin pjesë veprimtarë me kontribute te spikatura në atë parti.
Më 3 maj 2008, vetëm pak ditë pas ndryshimit të sistemit zgjedhor (21 prill) (dhe ende aktiv në politikë) botova një analizë në gazetën Tirana Observer me titull “Dushku është midis nesh…” (Ribotuar edhe në përmbledhjen “Dritë në fundin e tunelit”, 2009, f. 507) .Thelbi i kësaj analize është se nuk ka sisteme vetëm të mira apo vetëm të këqia,se ato kanë anët pozitive dhe pikat e tyre të dobëta, se analizat për zgjedhjen e tyre duhet të jenë të thella dhe pa pasione, në përshtatje me kushtet e vendit.Se, në fund të fundit, të gjitha sistemet zgjedhore janë demokratike dhe se rëndësi vendimtare ka zbatimi i tyre.Nga ana tjetër,tërhiqja vëmëndjen se ky ndryshim, nëse nuk zbatohet drejt, mund të çojë në partitokraci (sundimi i partisë),apo në kryetarokraci (sundimi i kryetarit).
Për fat të keq,këto tashmë kanë ndodhur,janë bërë publike dhe kanë ngjallur debate e diskutime brenda e jashtë partive.Madje ka edhe premtime nga drejtuesit e partive për ndryshime në mënyrën e zgjedhjes së kandidaturave për deputetë duke zbatuar rregullat statutore. Duke u nisur nga fakti që tri forcat kryesore politike aktualisht nuk kanë pajtueshmëri për ndryshimin e sistemit zgjedhor, të shpresojmë që krerët e forumet e tyre të veprojnë me “letra të hapura” në listat e kandidaturave për zgjedhjet parlamentare të majit 2021.
Në vijim artikulli:
“Dushku” është midis nesh…
Kuvëndi, mbështetur në paktin PS-PD, në seancën e datës 21 prill, miratoi, madje me më shumë vota se i duheshin disa ndryshime në Kushtetutë; një prej tyre ishte kalimi nga sistemi zgjedhor mazhoritar-proporcional në sistemin proporcional-rajonal. Pas kësaj, deputetët do të zgjidhen njëlloj si antarët e këshillave bashkiake dhe komunale. Me këtë, dy partitë ,u shprehën se i dhanë lamtumirën “Dushkut”.
1. Sistemet zgjedhore që veprojnë sot në botë
Zgjedhjet parlamentare në botë zhvillohen përmes katër grupe sistemesh: mazhoritar (të shumicës); proporcional (përpjestimor); mazhoritar-proporcional (miks); dhe, të tjera.
-Sistemet mazhoritare bazohen në parimin e konkurimit individual të kandidatëve; deputet konsiderohet i zgjedhur ai që fiton shumicën e votave në një zonë elektorale. Këto sisteme përfaqësojnë grupimin më të vjetër dhe përdoren në 47 vënde të botës (nga 199 të studjuara), ose në rreth 24 për qind të tyre. Variante të këtyre sistemeve përdoren në Britani, SHBA, Kanada, Francë, Australi, Indi, Egjypt, Malaizi, Singapor, Nigeri, etj. Ato janë të thjeshta, nuk kërkojnë formula matematikore për rezultatet dhe, si rregull, sjellin krijimin e mazhorancave të qarta, si bazë për qeverisje të qëndrueshme.
-Sistemet proporcionale bazohen në parimin e konkurimit të kandidatëve me lista shumëemërore të miratuara nga partia. Këto sisteme përfaqësojnë grupimin më të përhapur në botë: ato përdoren në 70 vënde ose në 35 për qind të tyre. Përhapja është më e gjërë në Europë ku përdoren në 30 vënde, (përfshirë Kosovën), si në: Austri, Belgjikë, Bullgari, Kroaci, Danimarkë, Finlandë, Greqi, Republikën Çeke, Maqedoni, Hollandë, Norvegji, Poloni, Portugali, Rumani, Slovaki, Sloveni, Spanjë, Suedi, etj. Këto sisteme synojnë të afrojnë rezultatin që del nga përqindja e votave të partisë me numrin e deputetëve.
Ka dy variante të sistemit: një që e konsideron të gjithë vëndin “një zonë elektorale” dhe tjetri që e ndan në “shumë zona elektorale”. Listat janë “të mbyllura”, ku zgjedhësi voton për listën, jo për individin, dhe lista “të hapura”, ku zgjedhësi ka të drejtë të votojë edhe për individin. Varianti me “shumë zona elektorale” dhe me “lista të mbyllura” është më i përhapur në Europë. Për të llogaritur rezultatet e votimit përdoren “formula matematikore”, që kanë marrë emrin e autorëve si Th.Hare, C.Andre etj.
-Sistemet mikse mbështeten në kombinimin e elementëve mazhoritarë dhe proporcionalë. Në fillim llogariten rezultatet që dalin nga pjesa mazhoritare, dhe, më pas bëhen kompensimet nga pjesa proporcionale.Vetëm 9 vënde përdorin sisteme mikse sot në botë. Këtu përfshihet Shqipëria, Gjermania, Italia,Hungaria, Zelanda e Re , etj.
2. Sistemi miks dhe “Dushku”shqiptar
Sipas nenit 64 (të pandryshuar) të Kushtetutës: “Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë. 100 deputetë zgjidhen drejtpërdrejt në zona njëemërore me numur të përafert zgjedhësish. 40 deputetë zgjidhen nga listat shumëemerore të partive dhe/ose koalicioneve të partive sipas renditjes në to”.
Në zgjedhjet parlamentare të 3 korrikut 2005, dy grupimet, të majtë-të djathtë, duke shfrytëzuar hapësirat e kodit zgjedhor, orientuan zgjedhësit të votonin në mazhoritar për kandidatin X, kurse në proporcional për partinë Y me qëllim maksimizimin e numrit të deputetëve. Të huajtë e njohin këtë si “votim taktik”, kurse ne, për shkak se votimi i fundit u bë në zonën e Dushkut, dhe rezultati ndikoi në numrin e deputetëve në Kuvend, e njohim si “fenomeni Dushk”.
Me këtë “metodë”, PD fitoi 56 deputetë në mazhoritar me vetëm 7.67 për qind të votave në proporcional, kurse PSSH 42 deputetë me 8.89 për qind! Ndërkohë PR ka 11 deputetë, me 20 për qind në proporcional! Po kështu PSD ka 7 deputetë me 13 për qind!
Megjithatë, shpërpjestimet u krijuan brënda, por jo midis dy grupimeve. Kështu grupimi i djathtë (PD, PR, PDR, PDK, BLD) fitoi gjithsej 73 deputetë (56+11+4+2). Pas zgjedhjeve këtij grupimi iu bashkuan edhe 5 deputetë nga dy parti që kishin qeverisur me të majtët: 2 nga PBDNJ që ka të sajën filozofinë e qëndrimit në qeverisje me fituesin, dhe 3 nga PA, e cila “kapërxeu ylberin”, që përbën, edhe një kapërxim strategjik të saj.
3. Ka faj sistemi !
Fajin e ka sistemi zgjedhor! Ky sistem prodhon “Dushk”. Kështu shprehen politikanë nga PS dhe PD. Po si mund t’i përgjigjen pyetjes se përse ky sistem nuk prodhon “Dushk” në Gjermani, Itali, Hungari apo në Zelandën e Re? Besoj shumëkujt i kujtohet se nga ky sistem, në zgjedhjet e para parlamentare pluraliste të 31 marsit 1991, pat humbur edhe lideri i PP, R.Alia. Në Kushtetutën e vitit 1998 raporti mazhoritar/ proporcional arriti në 71/29 për qind.
Në Itali ky raport është 75/25 për qind, në Gjermani 50/50 për qind, në Hungari 46/54 për qind, në Zelandën e Re 54/46 për qind. Kjo do të thotë se fajin nuk e ka sistemi por se ka “Dushk” në kodin zgjedhor dhe në aktet e tjera që rregullojnë procesin zgjedhor. Pra, para se t’ia hedhim fajin sistemit, duhet të krahasojmë legjislacionin tonë me atë të vendeve të lartpërmëndura. ”Dushku”mund të shmangej lehtë duke llogaritur votat e kandidatëve edhe në pjesën proporcionale të partive.
Dikush thotë se këto vënde nuk kanë “Dushk” sepse kanë pragje (kuota) hyrjeje në parlament deri në 5 për qind. Pragjet vendosen në vartësi me synimet; pragu i ulët favorizon hyrjen e partive të vogla, kurse i larti i “fshin” ato”. Kështu, në Hollandë, pragu është 0.67 për qind, në Izrael 1.5 për qind, në Shqipëri 2.5 për qind. Kurse në Turqi është 10 për qind! (Ne zgjedhjet e vitit 2002, në këtë vënd, për shkak se partitë e “vogla” nuk e kaluan pragun, “humbën” 46 për qind të votave).A nuk do të ishte më transparente dhe më e lehtë të ngrihej pragu në 3-4 për qind (si të gjykohej) dhe te ruhej sistemi ekzistues? Nëse do t’ia hedhim fajin sistemit, pa analizuar mangësitë, atëhere ka mundësi të bjemë në “dushqe” të tjerë. Sistemi miks është po aq demokratik sa dhe të tjerët, por faji ekziston në mentalitetin “dushk”, të rrënjosur në vite.
4. Nuk ka sistem vetëm “të shkëlqyer”
Sistemi proporcional-rajonal mbështetet në krijimin e zonave zgjedhore që mendohet të jenë 12 qarqet. Praktika e zgjedhjeve për 373 “zonat”e këshillave bashkiake e komunale tregon se procesi i votimit është më i thjeshtë, më gjithëpërfshirës, sidomos për përfaqësimin e grave dhe ndonjë shtrese të caktuar. Por ky nuk është vetëm “i shkëlqyer; ka edhe anë negative, që në kushtet tona, marrin theks më të fortë:
Së pari, ky sistem forcon rolin e Partisë, deri në “partitokraci” (sundimin e partisë). Kështu u quajt në Itali ky fenomen në fillim të viteve ’90, ku qëndrimi gjatë në qeverisje i dy partive (e djathtë-e majtë të qëndrës) solli zgjerimin e korrupsionit. Partitë shqiptare formalisht kanë statute demokratike, zbatimi mbetet vetëm në letër. Forumet shpesh shërbejnë si fasadë për liderin, kulti i të cilit arrin “kryetarokracinë” (sundimin e kryetarit). (Pak ditë më parë, z. Berisha deklaroi se vetëm humbja e zgjedhjeve 2009 mund ta largojë atë nga politika). Kryetari, në rastin më të parë do të mbledhë “forumin” dhe do kërkojë, që përveç ministrave, të rendisë edhe emrat e deputetëve.
Së dyti, ky sistem ul përgjegjshmërinë e të zgjedhurit. Deri tani kemi pasur 100 deputetë zonash dhe 40 deputetë nga lista, të cilët dalloheshin për nivelin e përgjegjshmërisë ndaj elektoratit. Tani e tutje, të 140 deputetët do të jenë nga listat dhe përgjegjës për fitoren apo humbjen nuk është kandidati, por Partia. Kur fiton, sigurisht meritë ka lideri i Partisë, kur humbet, kanë faj ata poshtë! Kalimi në sistemin e ri, sidomos në fillim, do të sjellë çoroditje pasi që, prej zgjedhjeve të para në vitet ’20 e deri më sot, votuesi është mësuar që të njohë kandidatin, të ndikohet nga cilësitë e tij pozitive apo negative. Një largim i deputetit nga zona do t’i bëjë një masë votuesish indiferentë.
Së treti, sistemi mund ta transformojë “Dushkun” në …”çadër”. Pak orë para fillimit te sesionit të Kuvendit, zoti Berisha, në këmbim të votës për ndryshimet kushtetuese, nënshkroi një pakt bashkëqeverisje para dhe pas zgjedhjeve të 2009-tës me krerët e partive te vogla: PR, PDK, PDR, PAA. Për këtë u propozoi një koalicion (“çadër) me PD ku, me siguri, secili prej tyre do ketë një vënd në Kuvend.Pra, përsëri një “Dushk” por i transformuar, pasi nuk do të kemi një rezultat të qartë të partive të vogla. Edhe z.Rama u bëri thirrje gjithashtu ish aleatëve të majtë për një koalicion të ri një ditë pas miratimit të ndryshimeve, por siç mund të pritej, përgjigja e tyre ishte negative.
Së katërti, ky sistem dëmton partitë e vogla. Madje ky ështe edhe synimi kryesor i ndryshimit kushtetues, ndonëse kjo do të duket më qartë nëse rezultatet e votimit sipas qarqeve do të korrektohen ose jo me ato në shkallë vëndi.Llogaritjet tregojne se pragjet natyrale në qarqe ndryshojne nga 4-22 për qind. Në këtë rast, votat e partive të vogla që nuk do të kapërxenin pragun, do t’u shpërndahej partive të mëdha. Si mjaft të tjerë, anoj nga opinioni se më pak parti e bëjnë qeverisjen më efektive. Mirëpo vetëm opinioni nuk mjafton. Kjo duhej paraprirë nga analiza të mirëfillta për efektivitetin e qeverisjes në vite, për shkaqet e krizave të qeverive të kryesuara nga PD dhe PS, për mënyrën e kompozimit të qeverive, për punën e ministrive që kanë drejtuar forca te ndryshme politike, etj. Kështu do te gjykohej më saktë për një reformë zgjedhore konsesuale.
Veç sa më lart është e nevojshme që të lexohet me kujdes vota e partive të vogla. Rezultatet e zgjedhjeve vendore të shkurtit 2007, ndonëse dallojnë nga ato parlamentare, gjithsesi përbëjnë një pike referimi.Aq më tepër që nuk kanë “Dushk”. Në këto zgjedhje fituan mbi 2.5 për qind të votave 11 parti: PS -23.2; PD-20.6; LSI-9.2; PR-5.7; PDR-5.0; PDK-4.4; PSD-4.0; PBDNJ -3.8; PAA-3.7; AD-3.6; PDS-3.0. Pra,dy partitë e mëdha-PS dhe PD- kanë fituar rreth 44 për qind të votave, partitë e vogla, (përfshirë edhe të mesmen, LSI) rreth 43 për qind! Me të tjerat, akoma më të vogla, arrijnë në 56 për qind!
Për sa më lart, kam mendimin se do të përbënte një veprim te gabuar strategjik dhe taktik shpërfillja e rezultateve të partive të vogla dhe etiketimi i tyre si “parti fantazma”. Në të kundërtën, do të fitojë zgjedhjet dhe do të qeverisë pas korrikut 2009 pikërisht ai grupim politik,i cili do të krijojë koalicione më të gjëra me partitë e vogla.
Ka ende kohë për këtë.

Tirana Observer,3 maj 2008

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.