0.5 C
Tiranë
E premte, 7 Shkurt 2025

Luljeta Avdiu Cura

Nga ULQINI per lexuesit e shumet te Gazetes “Nji Dritare e Re”ju prezantojm ..

 Z.Luljeta Avdiu Cura

Kujtime për Ulqinin-nga ditari i kompozitorit , Prenkë Jakovës Nga dorëshkrimi i të ndjerit prof.Gëzim Uruçit.

Përgaditi:Luljeta Avdiu Cura Ishte fillimi i prendverës, të vitit 1930, nisja për në Ulqin, për mue ishte diçka teper, teper e pa pritur dhe emocionuese, pasi kisha dëgjuar shumë për këtë qytet, plot histori e legjenda nga ma, të ndryshmet.Tanë naten nuk më zuni gjumi e sillesha në dyshek, si dashi n’hell, tuj fantazue e tuj imagjinue, se si ka me na u duk, Ulqini, n’at ditë të bukur, të majit. Të nesermen, prej tek Kisha e Madhe e deri tek Ura e Bunes e bame pothujse me vrap me shokët e mi të shkollës “Illyricum”, saqe At Martin Gjoka dhe disa të tjerë, na e tërhiqnin vemendjen, për me ecë, ma ngadalë.Por unë edhe pse isha ma i ngathti, entuziazmi i shokëve të mi, më merrte me vehte. Në oren 05.00 të sabahit, kur po rralloheshin ki-ki-të, e gjelave, na me klasen, të prim prej mësuesve tonë, kishim mbërri, tek Gjymryku i Moles, ku kishte tri a kater barka, të mëdhaja ulqinake, e nja katerdhetë, lundra të vogla, prej Krajet, Shestanit, Zog’jet, Shiroket e ku po di unë…. Maje do dengave, me lëkura, që i vinte era, ma e keqe se tharkut të thive, po flenin disa djem e burra, prej malsiet, qi prej nga veshja ishin prej Dukagjinit, që ne në Shkoder ju thojmë hamaj e do barrtar. Tallalli i Bashkisë, ishte ulë te Mullini i Zjermit dhe me një bedel ,të Gjymrykut, po piqshin nga nji kafe me do krande, që po ja mblidhte bedeli.Ne tanve na u dukte, si nji gja romantike, tuj pi kafe në rrugë të madhe.Në këtë kohë kapidani i barkës ulqinake “Scanderbeg”, Musa Beg Diçi, na bani za, qi dalngadalë, të afroheshim, tek molam në krahun e majtë, të Urës së Bunës, se e kishte lanë barken, pa u fute në Urë, se aq heret, nuk kishte hamaj për me na e hap. At’here nji nga nji, tuj ba kryq e tuj ju lut Zotit, filluem me hypn ne barken, me tanë ato vela e konope e do rraqe tjera, si me kene, barka e Kristofor Kolombit.Kapidani Ulqinak, ishte një burrë i fortë e trupmadh, me do sy blu, ma blu se qielli n’prendverë. Me t’hypun në barken ulqinake.Kapidan Musaja, mori në dorë, një bori e tipit(plicorno), të vjetër, qysh në kohën e turkut dhe pasi e vuni në buzët e tija, filloi që t’i binte, me një tehnikë shumë të lartë.Ky ishte sinjali, qe ai u jepte udhetareve, për në Ulqin e Tivar, se Barka “Scanderbeg”, ishte gadi, për udhëtim.At Martini e kishte mik të vjeter dhe na tha, se kapidani, në kohën e turkut kishte kenë borizant dhe në fanfaren e Flotës Detare të Tripolit.Edhe sot, që po ju shkruej, këto pak rrjeshta, më duket se e kam parasysh , burizantin Musa.Në këtë kohë erdhen edhe dy gra të reja ulqinake, të shoqëruara nga një djalë, nja 20 vjeçarë, të cilët hypen, me shpejtësi, në kuvertën e e barkës.Një muço i quajtun Ali, zezak, filloi të çonte sperancen, tuj sjell një çikirik, në kiçin e barkes.Tash’ma motorri ishte ndez, e manovrat po e drejtonin barkën, drejtë ishullit të Dajlanit.Udhëtimi nëpër lumin e Buenes, qe i mrekullueshem.Shpesh, At Martini na i ilustronte me shpjegimet e tregimet e tija, të mrekullueshme, prej historianit e gjeografit, të sprovuem, gja të cillen, mbas muzikes e kishte gjanë, ma të dashtun.Sapo kishim mbërritë, në dalje të Buenes, Kapidani Ulqinak, na thirri, që ta ndihmonim, muçon Ali, për të çue velat e barkës, e ne tanë kujdes, filluam, që të kapim konopet e trashë, të velave, të lyem, me dyll e voj peshkut, për mos me u kalbë. Në këtë kohë, At Martini, kishte hyp mbi kashu të kapidanit e na pyeti, tanë seriozitet.-A e dini pse, jena nis sot, për në Ulqin, me këtë Barke e jo me ndoj tjeter?Heshtje….!Ndigjohej vetem era qi përplasej , lehtë në velat e barkës misterioze, si me kenë barka e Piratit Ulqinak, Ali Haxhisë. Askush nuk bani përsëri za.Ati mu drejtue mue.-He more Prek Vocrraku, a po e din ndopak?Unë mbeta, si i habitun, ashtu si mocatarët e mij, e ai tanë solemnitet, na tha:-Se kjo barkë mban emrin e herojt tonë kombëtar.Scanderbegut, e qi ju, kur ta kujtoni, këtë vozitje, të kujtoni edhe Gjergj Kastriotin, Skanderbegun tonë legjendar.Në këto biseda e tregime, të improvizueme prej tij, kishim arritur, në afersi, të Molit të vogel, të Ulqinit, që për ne, ishte një anderr, qi sot po bahej, një realitet dhe po na shtonte dashninë, për këto vende të Ilirisë tonë, vendin e kapidanave trima. Mundem me thanë, se në Ulqin, filluem me më ardh, frymzimet e para, për histrinë e Skanderbegun, e shumë kujtime, të tjera.Pritja që na u ba nga Ulqinakët, qe e mrekullueshme.Shumë fëmijë e të rritun, na shoqnuen, për në Kalanë e Ulqinit, tuj na mbajt për dorët, si me kenë vllaznit tonë. Në jetën time, nuk kisha, pa njerz ma paqësorë e të dashtun.E kështu sëbashku, dolme në maje, të Kalasë, prej ku, deti e malet e Tiranës e deri te kalaja e Lezhit e malet e Shkodres, Fusha e Zadrimes, na dukeshin, si në pllamë, të dorës………Këtë ditë, të paharrueshme, nuk mundena me e hjek, prej kujtimeve, ma të bukura, të jetës tonë. Në Shkoder u kthyem, tuj falenderue Zotin e tuj bekue, me fjalët ma të shejt.

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.