Dashuri e pamundur

Të doja përtej imagjinatës dikur
ashtu besoja që më doje dhe ti
Por dielli për ne nuk lindi kurrë
u dënua sapo lindi kjo dashuri
Të doja shumë, të kisha perëndi
por gjithçka e tepërt dëmton
Në shpirtin tim ishe vetëm ti
zemra nuk pyet kur dashuron
Në botën tënde doja të jetoja
më dukej e thjeshtë plot bukuri
Bota jashtë mbushur me rrënoja
vetēm brenda teje gjeja qetësi
Ferra e gjemba dikush aty mbolli
nga parajsa e ëndërruar më dëbuan
Dashuria të jetojë në zemër nuk ia doli
shpirtrat plagosjen e tyre përjetuan!
Stinët kalojnë e toka rrotullohet
sythet çelin degêve çdo pranverë
Sërish zemra mund të dashurohet
por me këtë forcë ndoshta asnjëherë!
06. 11. 2020
“””””””””””””””””””
Mistere që njihen
S’i kam numëruar krojet ku kam pirë ujë të kristaluar.
ku kam spërkatur flokëverdhat në vajzërinë e dehur.
Po ti më dhé një etje e dehje të paprovuar
ku dua të mbetem për vete e për ty si lule e porsacelur.
Sa rrallë na vë jeta në këto prova magjike
pa qenë magjistarë na duhet të bëhemi dhe peshkatarë.
Merre kodin e saktë të zemrës me fjalë bujarie
e dërgoma një dorë, një puthje të më shuash zjarrë!
Kam parë shporta me qershi, mollë e dardha
mes nazeve dikur një nga një i kam kafshuar.
Po shpirti yt më ka bërë princeshë si zana
ndaj ta kam hapur portën e zemrës së kaltëruar!
“”””””””””””””””””””””””””””””””””””””
Lotët e shpirtit
Ka lot që s’dalin kurrë nga sytë
lagin zemrën pa bërë zhurmë
Ushqehet dhimbja natë e ditë
bëhet kala e ngritur me gurë!
Kala dhimbjeje, oh çfarë trishtimi
mban përbrenda oqeane me lot
T’i hapen porta e diga këtij mjerimi
përmbytet, zhduket krejt një botë!
03. 11. 2020
“””””””””””””””””
Ditë pa emër
Mbajmë mbi supe ditë që bërtasin
që digjen rënkueshëm në thëngjinj
Ditë kur shpirtrat heshtin e flasin
ku dhimbja vret minutat pa pushim
Ka ditë kur trishtimin në dorë mbajmë
ku zemrat tkurren prej dëshpërimit
ditë kur nga lumturia me lot qajmë
mbështjellë me perlën e gëzimit
Ka ditë që pengohemi në lakun e jetës
në rrjetën e saj mbetemi të burgosur
Ditë që fluturojmë në krahët e shpresës
ku ringjallet besimi krahëkëputur groposur
Ka ditë kur zemërimin dot s’e mposhtim
e buzëqeshjen na mbyt hidhërimi
Ditë kur diellin kurorë në sy vendosim
ku largohet nga qielli i shpirtit re trishtimi
Ndodh që dhimbja e ditës nuk mban emër
nuk di si ta quash tërmet, tajfun a stuhi
Ditë kur acari dimëror të ngroh në zemër
e të shuhet etja ndonëse ujë nuk pi!
31. 10. 2020