Melodi shpirti me aromë lulesh kompozuar
derdhur parfum trëndafilash gonxheçelur;
Në akrepat e jetës ëndrrat rrinë zgjuar
univers pafund dashurie për të mbledhur!
Shatërvanë dëshirash në zemër shpërthyer
spektakël ngjyrash e tinguj zjarri;
formuar mbi ujvarë kurorë yjesh
gdhendur hëna me gurë stralli..!

Qarkullon në deje bukuria e jetës
përqafon zemrën që vitet numëron;
një dëshirë në brendësi të qenies mbetet
shpirti-shpirtin për pafundësi jete uron!
Botë universale me ngjyra stolisur
magjishëm sodit çdo mal e lëndinë;
të bukura agimet që zgjojnë mëngjeset
nostalgjike mbrëmjet që mbyllin çdo ditë.
Cicërimat e zogjve që jetës i këndojnë
mbi petale lulesh e degë të gjelbëruara;
harkun dashurues të ngjyrave të ylberit kërkojnë
nën rrezet e diellit që lodrojnë të gëzuara.
Syrin e pranverës në ngjyrat e blerta
aromën dhe vesën në mëngjes;
kaltërsinë qiellore me re të lehta
hënën që në mbrëmje buzëqesh.
Katër stinët shekujve hedhin valle
refrenin e jetës me entuziazëm kënduar;
në zemrat njerëzore zë vend pafundësia
dëshira përjetësisht për të jetuar..!
Mos ma vritni jetën më lini të gëzoj
me aftësitë e mia ajrin ju pastroj
Me rrënjët e jetës zhytur thellë në tokë
ju siguroj ushqim e oksigjen në botë
Degët hapin krahët rreze për të marrë
me trupin tim prodhoj botës nektar
Mos ma vritni shpresën kam dhe unë fëmijë
çdo filiz që çel ju sjell begati
Me petale lulesh ëndrra bukur thurur
në çdo pikë vese një flutur e ulur
Mos ma dhuno jetën me goditje fatale
shijo të gjelbrën lulëzimin që hedh valle
O njeri i mjerë tokën mos e shkatërro
hapi sytë e mendjes për jetën mendo
Mendo për vetveten dhe brezat pasardhës
mos shkreto të ardhmen mos u bëj vrasës…!