Lotët e heshtjes tënde
ndezin prushin e mallit tim
me më përvëluesen dëshirë
lutëse për dridhje zemre
me ritme të shpejta,
me duhme pasioni,
me përcëllime parajse
të trupave të përzhitur
për eliksir jete
me ajrin e ndezur
nga puthjet e paçmallura
që përflakin yllësinë
e ku sytë rrezorë
bëjnë dritë
më fortë se yjet
në portin e ndjenjave
ku pret anija e dashurisë
për lundrimin e largët
në përskuqje perëndimesh
ku horizonte të kundërta,
të etura ndjejnë
regëtima qiejsh
të arratisur nga vetja
për fjalën e stolisur,
ngritur mbi dhembjen
e vetmisë së trishtuar.