Pikon mall
Rrjedh ujëvara e mallit
shkëmbinjëve të bardhë të bregut,
gërryer nga njelmësia e kujtimeve
e përpirë nga gjuhët e dallgëve,
buzëve të thara të tokës nga erërat e kohës
në peizazhin e shkretë të heshtjes së madhe
mbushur copa guackash të thyera
nga vrulli i stinëve që përgjërohen në ikje,
kur bota zhurmon mes jetës e vdekjes
në ritmin e dendur të trokitjes së lotëve.
“”””””””””””””””””””””””
Të flas apo të hesht?
Buzëplasur,
pa folur,
harruar realitetit.
Krahëprerë,
pa fluturuar,
pa të ardhme.
Duke dëgjuar,
pa u qortuar.
Dënuar me heshtje,
në pritje bekimi
me fjalë të ëmbla shpirti…
“”””””””””””””””””””””””
Grishje…
Unë flas për ditën,
Ti flet për natën.
Le ta shkëmbejmë mes nesh
dritën me errësirën
për të thyer dëshirat
në pikëtakimin e hapësirës
që shtrihet mes nesh
në bishtin e një ylberi
që fillon tek unë
e mbaron tek ti,
mbërthyer në lojën pa kufij…
“””””””””””””””””””””””””
Çast…
Qielli,
Yjet i shpërndan në Kumtër
e mbi qytet hedh rrjetën e magjisë.
Dehur prej dëshirave të pafund,
zemra e kohës thyhet draprit të Hënës
e çmendet prej dashurisë.
Varur ëndrrat në fëshfërimën erë
e fantazia mbetur atje
krahëve të shrirë, vetmisë,
ku paradoksalja rend pas universales
çastit magjik mbushur dritë.