Qan e thërret
(Nje mikeshës time, që me xhelozinë e saj
të tepruar prishi një dashuri të bukur që
kish ndërtuar me njeriun e zemrës)
Qan e thërret një kohë të shkuar,
që vet e shkele pa mëshirë,
zëri yt vrarë e penduar,
qan bukurinë që ke fshirë.
Të fali të gjithë dashurinë,
dhe këngë t’ëmbla nga shpirti,
të ktheu gazin, lumturinë,
por ty syri rrallë të ndriti.
Doje burrin të ishte kukull,
t’luaje e t’qeshje si fëmi,
por me të asnjeri rrotull,
ta shoh e të flas – kurrsesi.
Xhelozia të verbonte
Si një kal t’i vije fre,
t’merrte leje kur të shkonte,
Për nevojat dhe në wc.
I mësoje fjalët që pëlqeje,
dhe ai t’i thosh si papagall,
një shkak, një sherr përherë do gjeje,
mendjen dhe trutë t’ja bëje dhallë.
Kur s’të falte e revoltohej,
nga inati mbyteshe në lotë,
i vinte keq e prapë pendohej:
“Do ndryshojë, vërtet, që sot”
Por si rrëkeja gërryen shtratin,
sapo reja çon pak shi,
ashtu dhe ti zbrazje inatin,
pas çdo sherri me furi.
Tash qan, thërret kohën e shkuar,
një plagë që s’gjen dot më shërim,
një shpirt të vrarë e të lënduar,
që të fali zemrën, dashurinë.
Të dha shumë ai mik e burrë,
Dhe jetën t’falte për sytë në vaj,
Veçse lirinë nuk mundi kurrë,
Për dashurinë ta vdes, ta qaj.
Kujtim Hajdari
“””””””””””””””””””
ËNDRRAT
Shpesh fluturova në krahët e tyre si i marrë,
Të shoh majat e maleve në rrezet e agimit,
Të ndjek dallgët e detit si zgalem në garë,
Dhe yjet të ndjek në rrugën e shkëlqimit.
Më dehën, shumë herë më zhytën në gëzim,
Kur mendoja se i kapa dhe i futa në dorë,
Kur dëgjoja këngët e tyre plot dridhërimë,
Kur zemra rrihte krahët si zog në kraharor.
Por ato iknin, fluturonin e zhdukeshin si era,
Si sirena që rrëshqasin në ujët e kthjellët,
Me shpresën e vrarë dhe me sytë te dera,
Lusja zotin unë e prisja si presin të mjerët.
Nga pritja, i dëshpëruar, shkoja në ullishtë,
O nën hijen e rëndë e të ftohtë të fikut të lashtë,
Dhe thoja se ëndrrat janë gënjeshtër me bisht,
Dhe pse pemët e kopshtit më shikonin vrazhdë.
Shpesh më zinte gjumi ëndrrat duke sharë,
Ato prapë më zbrisnin si shtojzavalle mali,
Dhe unë prapë i ndiqja, prapë si i marrë,
E fluturoja me to si erë, si në një revan kali.
Edhe pse shumë prej tyre vdiqën rrugëve,
I dhanë shpresë e dritë gjithmonë shpirtit tim,
Ndaj, o miqtë e mi, më pëshëndetni muzgjeve,
Kur t’më shihni, me kalin e ëndrrave në fluturim.
Kujtim Hajdari
“”””””””””””””””””””
KËNGËT
I kam dashur këngët shumë,
Qiellit, me flatra, i kam çuar,
Si valët turren me zhurmë e shkumë,
Shpirtëra e zemra kanë pushtuar.
Kur shpirti, dimrit, kishte ftohtë,
Era sytë më mbushte me lotë,
Kënga ishte një dorë e ngrohtë,
Që më kthente prapë në botë.
Si rreze drite në errësirë,
Si një shpresë që të mban gjallë,
Më jepnin forcë dhe dëshirë,
Të vija poshtë dhe një mal.
Tash, që lart më thërret një hënë,
Dhe një yll ma bën me sy,
Unë këngët prapë s’i kam lënë,
Prapë për to unë bëhem dy.
Në më lëntë zëri një ditë,
Drita e syvet të më fiket,
Do dëgjoni se në shpirt,
Kënga, kurrë, nuk do venitet.
Kujtim Hajdari