Mëngjesi i sotëm zbardhi me një lajm të pikëlluar dhe të pabesueshëm, duke ndarë nga jeta, nga familja, nga të gjithë ne, mikun tonë të mirë, veprimtarin dhe luftëtarin e lirisë, veteranin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fatos Efendija!
E nderuara familje Efendija, të nderuar miq e bashkëpunëtorë të Fatosit, më lejoni që në këtë ditë të dhembjes së madhe t’u shprehë ngushëllime, në emrin tim dhe në emër të bashkëveprimtarëve dhe të bashkëluftëtarëve të Fatosit.

Fatosi, djaloshi i ri i viteve të nëntëdhjeta, veprimtari i orëve të para të lëvizjes mbarëkombëtare, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Dega në Gjakovë. Fatosi aktivist i denjë për liri dhe pavarësi, që lëvizi në çdo pjesë të komunës tonë dhe në mbarë Kosovën, për të grumbulluar fakte dhe dëshmi bashkë me veprimtarët tjerë, për ta alarmuar bashkësinë ndërkombëtare për krimet serbe mbi shqiptarët.
Fatosi nuk ishte vetëm, por të gjithë anëtarët e familjes Efendija, ishin të angazhuar në të gjitha aktivitetet për liri dhe pavarësi, secili në mënyrën e vet.
Fatosi ka qenë organizator dhe pjesëmarrës i të gjitha protestave që mbaheshin kundër pushtetit serb!
Ishte pjesë e të gjitha proceseve politike, mbajtës i kontakteve me institucionet që vepronin asokohe në Prishtinë dhe ndërlidhje me zonat e luftës!
Fatosi nuk hezitoi, por bashkë me një grup prej tridhjetë të rinjve veprimtarë, iu bashkëngjit radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për të luftuar kundër forcave të armatosura të shtetit kriminal serb që po bënte krime kundër shqiptarëve.
Fatos, ne sot jemi mbledhur këtu, por ti nuk flet, vetëm heshtë!
Në vend të fjalës tënde sot flasin veprat tuaja, flasin miqtë, bashkëveprimtarët dhe bashkëluftëtarët, me lot në sy, për ikjen tënde në moshë kaq të re, kjo ikje e shpejtë dhe e pa pritur.
Ti gjithmonë me shpejtësi i zhvilloje të gjitha aktivitetet dhe ashtu shpejt ike nga kjo botë për t’i lënë vend gjurmëve dhe veprave tuaja.
Angazhimi yt i madh, Fatos ishte edhe gjatë luftën kundër pandemisë, në dy vitet e fundit, në kohën kur njerëzit kishin nevojë për ndihmën tënde dhe ti pa u lodhur kurrë çdo ditë transportove pacientët për t’ua shpëtuar jetën duke i dërguar në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë!
Ti i sigurove bocat e oksigjenit aq të nevojshme duke ua shpëtuar jetën qindra pacientëve të infektuar! Për ty gjithë jeta ishte luftë dhe shërbim për njerëzimin.
Sot është vështirë të flas për ty, në vend të se të takohemi dhe të këmbejmë biseda dhe kujtime nga e kaluar e dhembshme, e vështirë por e lavdishme, nga veprimtaria e viteve të rënda për liri e pavarësi, nga lufta e lavdishme dhe ndërtimi i institucioneve të Kosovës, deri në ditët e fundit të jetës tuaj, ku ke lënë gjurmë të pashlyera!
Sot fjalët janë të varfra, pasi ka zënë vend dhembja e madhe që na solli ndarja jote nga kjo botë, nga familja, nga miqtë, bashkëveprimtarët dhe bashkëluftëtarët e lirisë!
Lamtumirë, mik dhe bashkëveprimtar, Fatos Efendija!
Lavdi jetës dhe veprës sate!
Shpirti yt i bardhë, pushoftë në paqe përjetësisht!