Ishte fillim viti 1969. Shkova ca ditë me leje pranë prindëve në Krajen Lezhë nga Pashalimani.
Nënën e gjeta sëmurë. U gezuan të gjithë që shkova e u çmallem por më shumë u gezue nëna ime e mirë.
U merakosa per shëndetin e nënës edhe pse ajo u ngrit e bënte sikur s’kishte asgjë boll që të mos më merakoste mue. E pyeta nëse është vizituar te ndonjë mjek.
– Shkova or birë pardje në Lezhë por kishte shumë njerez e nuk arrita të vizitohem , më tha doktori të vi neser. Apo s’ishte dhe ftohtë në atë breg të Drinit ku ishte Ambulanca dhe ishte dhe një murra i zi që më hyri i ftohti në shpirt e në asht!
– Kush doktor ishte duke vizitue?
– Doktor Skenderi ishte.
– Po nuk i the që jam nëna e filanit se të kam thanë që sa herë të kesh nevojë shko te Dr. Skender Makbuli se e kam shok e të ndihmon, dhe i kam lënë porosi dhe doktorit per ty nëna ime.
– E di or birë , po kishte shumë njerez, ai s’më njohu e unë nuk i thashë gjë dhe prita radhen e ngelem disa pa vizituar dhe u ktheva shumë e lodhur në shtëpi . E shkreta nëna ime : edhe e sëmurë dhe nga fshati Krajen në Lezhë ishtë 3 orë rrugë me shkue e 3 orë me u kthye, 6 orë rrugë dhe dimer i akullt. Makina rrallë e hiç s’kishte.
Doktor Skender Makbulin e njoha kur isha në Konviktin “Hydajet Lezha”, unë konviktor që bashkë me shumë shoqe e shokë ishim të parët që hapem konviktin më 1 Shtator 1959.
Unë në klasen e pestë e Skenderi në gjimnaz në klasen e10. Ishte dhe Sekretar i Komitetit të Rinisë të Gjimnazit “Hydajet Lezha”. Kur u pranova në Organizaten e Rinisë teseren e pranimit ma dha me firmen e tij gjimnazisti shembullor Skender Makbuli një nxenës shembullor dhe jo vetem: ai ishte shëmbull në të gjitha drejtimet: si nxënës , si shok, si njeri, si organizator i persosur, i sjellshem me të gjithë e me një edukatë familjare qytetare që e kishim ne më të rinjët dhe që vinim nga fshati , si model , si idhull. Dhe ai na rrinte afer e na ndihmonte si me qenë vëllëzrit e motrat e tij. Unë rrija shpesh me Skenderin dhe kështu lindi një respekt e shoqëri që e ruajtem deri në frymen e fundit të tij se është ndarë shumë i ri nga jeta.Gjithëmonë fotografia dhe emri i Skender Makbulit ishte në Tabelen e Nderit të Gjimnazit “Hydajet Lezha”. Mbaroi Fakultetin e Mjeksisë dhe e caktuan në Lezhë. Ishte mjeku i parë Lezhjanë. E mirëpriti gjithë Lezha. Shumë i ditur si mjek, shumë i sjellshem e i kulturuar , i afert me të gjithë e i kujdesshem per të gjithë. E gjithë Lezha thonin : na shpëtoj Dr. Skenderi. Si ai s’ka. Lum Lezha që e ka. Çdo i sëmurë kishte qejf të vizitohej nga dora e mendja e Dr. Skenderit, se sikur i shëronte të sëmurët me magji, sikur ua hiqte me dorë shqetsimet e sëmundjen dhe pas vizites te Dr. Skenderi sikur shëroheshin aty per aty, dhe pa pirë akoma ilaçet që u jepte, se veç ilaçeve ai me aftësitë e tij të rralla si ilaçin më të mirë që u jepte të sëmurëve ai u jepte shpresen e besimin e sigurtë se shpejt do të permirsohen e do shërohen plotsisht shpejt. Dhe ashtu ndodhte vertetë. Aq e vertetë sa vetë të sëmuret e mes tyre dhe nëna ime mezi vinin per vizitë e pas vizites çoheshin e ktheheshin sikur s’kanë asnjë shqetsim.
Per aftësitë e tij si mjek e si organizator i persosur u emrue dhe drejtor i Spitalit Rural Lezhë detyrë të cilen e kreu me perkushtim maksimal.
Ai dhe kur flinte nuk e hiqte stetoskopin nga qafa , sikur flinte me të sëmurët. I gatshem në çdo rast e i gjëndej pranë secilit si mjek e si njeri i rrallë.
Por jeta u tregue e pabesë per Dr.Skenderin se e ndau nga jeta shumë të ri e ne lezhjanëve na la pa mjekun e dashur e të ditur, humanistin Skender Makbuli.
Sot në nderim e respekt të tij Spitali i Lezhes mban emrin e Dr. Skender Makbulit, busti i të cilit është në qender të spitalit , dhe sa herë shkoj te ai spital do shkoj patjeter te busti i tij, sikur pershendetemi e nuk harrohemi dhe e ledhatoj gjithë mallë portretin e tij të dashur e të paharruar!
Pasi u çmallem me nënën , babanë ; vëllezrit e motrat i thëm nënës se pregatitu se neser do shkojmë në Lezhë per vizitë te Dr. Skenderi. Sa i erdhi mirë , sa shqetsime kishte me shëndetin e sajë aq dhe bënte sikur s’ka asgjë dhe tha:
– Jo or birë, ke ardh nga larg, pusho se dhe unë me ardhjen tënde sikur jam më mirë e do të më kalojë.
– Jo. Jo pregatitu se do ikim heret.
Dhe u nisem. Per fat gjetem një Gaz të kooperatives dhe na mori e na çoi në Lezhë. Shkuam te ambulanca aty në breg të Drinit, apo s’frynte një murra i zi siç i themi ne këndej dhe çdo gjë kishte ngri. Dridhej nëna sa nga të sëmuret aq dhe nga të ftohtit.
Kur doli një i sëmurë që sapo e vizitoi Dr.Skenderi nga larg më dalloi Doktori , me buzen në gaz si gjithëmonë e me perzemersi e mallë se kishim kohë pa u takuar më thirri në emer, u afrue e pasi shkëmbyem ca fjalë shkurt më pyeti:
– Mirë që paske ardh nga Vlora po ktu në Ambulancë perse erdhe apo ke ndonjë shqetsim dhe buzagaz si me më thënë gjithë ky burrë ske ça të ankohesh se dukesh top.
– Kam nënën sëmurë Doktor.
– Ku e ke nënën?
– Në rradhë është , po pret.
– Merre nënën e të ngrohet pak këtu dhe sa të nxehet pak ajo i vjen dhe rradha dhe ta vizitojmë.
U ul nëna në karrike pranë sobes që bubullonte nga zjarri.
Filloi t’i vijë shpirti nënës . Herë shihte Doktorin e donte ta uronte me gjithë shpirt per mirësjelljen e tij dhe herë shihte nga unë me sy që filluan t’i shkelqenin e sikur donte të më falënderonte dhe mue që njihja Doktorin. U ngroh në shtat nëna ime por më shumë se në shtat u ngroh në shpirt .Filloi të gjallërohej , të merrte jetë . Pas disa vizitave , mbase dhe me qëllim që të ngrohej nëna por dhe të zgjatej shoqërimi ynë i tha gjithë respekt nënës:
– Hajde nëna e Mhillit t’u vizitoj.
– U çu nëna e shkoi te shtrati i vizitave.
– Çfarë shqetsimi ankoni o nëna e Mhillit? – e pyeti
– O Doktor Skenderi: tani as vetë nuk e di se çfarë ankoj, sikur më iku çdo shqetsim, më shëndoshe se më ngrohe shpirtin. Tani veç po zbulove vetë ndoj gjë se mue më kanë ik gjithë dhëmbjet që kisha. Ishte gjallërue plotsisht.
I tregova Doktorit se nëna kishte qenë dhe para tre ditëve por kishi patur shumë njerez dhe është kthye në shtëpi .
I tregova dhe se çfarë shqetsimesh më kishte thënë mua mbrëmë .
E vizitoi mirë e mirë dhe pasi u bind se ça kishte , i shënoi disa ilaçe dhe me kaq nëna u shërue.
E falënderoi dhe e perqafoi Doktor Skenderin njësoj si mua dhe ikem në shtëpi. Që atë natë nëna nuk shfaqi asnjë shqetsim . U shërue!
Mirësjellja e fjala e mirë është ilaçi më i mirë per të sëmurët dhe jo vetem per të sëmurët por edhe per të shëndoshet se dhe në qoftëse nuk kanë shqetsime fjala e mirë u jep imunitet per të mos u sëmurë!
E shkruajta ket kujtim të largët nga koha e të afërt nga mirënjohja e dhëmbja per nënën time dhe per Dr Skender Makbulin që të dy janë ndarë nga jeta. Pushofshi në paqe!