Çehovi bëri me të shpejtë disa hapa drejt meje dhe me një buzëqeshje ledhatuese, mbajti dorën time në dorën e tij. Ne vështronim njeri-tjetrin dhe mua më duhej sikur ai ishte habitur për diçka. Ma merr mendja, për emrin Flora. Kështu më thërriste Sergej Nikollajeviç për shkak të ngjyrës së çelur të fytyrës, flokët e bollëshme që ngandonjëherë i pleksja në dy gërsheta të gjata e të trasha.
Çehovi buzëqeshi.
– Duhet shkruar për atë që sheh e që e ndjen, duhet shkruar me vërtetësi, me sinqeritet. Shpesh më pyesin se ç’kam dashur të them me këtë apo atë tregim. Këtyre pyetjeve unë nuk u përgjigjem. Puna ime është të shkruaj. Dhe unë mund të shkruaj për çdo gjë që dëshironi ju, – shtoi ai me buzë në gaz. – Më thoni të shkruaj për këtë shishe dhe unë kam borxh të shkruaj një tregim me titullin “ Shishja”. Figurat e gjalla krijojnë mendimin, kurse mendimi nuk krijon figura.
Ndërkaq atij i zuri veshi nje shprehje lajkatare që tha dikush nga miqtë dhe u mvrejt pak e u mbështet në karrike.
– Po, – tha ai- shkrimtari nuk është zog që cicëron. Kush ju a tha se unë dua që shkrimtari të cicërojë? Po qe se unë jetoj, mendoj, luftoj, vuaj, atëhere të gjitha këto s’ka se si të mos pasqyrohen në ato që shkruaj,,Unë ua përshkruaj jetën me vërtetësi, domethënë artistikisht dhe ju shikoni aty atë që më parë nuk kishte vënë re: shmangien nga normat, kontradiktat..
Ai u kthye papritur nga unë.
– Ju do të vini në premierën e “Ivanovit”?
– Si zor. Është e vështirë për bileta.
– Jua sjell unë, – tha ai me të shpejtë.
………………………..
Sa e vështirë është ngandonjëherë që të shpjegosh e për më tepër, të kuptosh atë që ndodh. Në të vërtetë asgjë nuk kishte ndodhur. Ne vetëm ishim vështruar sy më sy nga afër. Por edhe kaq ishte shumë. Në shpirtin tim sikur shpërtheu diçka, sikur u ngjit lart, tërë hov e hare një raketë.
Nuk dyshova asnjë grimë se e njëjta gjë i ndodhte edhe Anton Pavloviçit, prandaj ne vështronim njeri-tjetrin të habitur e të ngazëlluar.
– Do të vij prapë këtu,- tha Anton Pavlloviçi- M’i jepni të gjitha to që keni shkruar e botuar. Do t’i lexoj me shumë vëmendje. Dakord?
Kur u ktheva ne shtëpi, dadua e kishte mbështjellë djalin me shpërngenj. Ai gulçonte, shtrëmbrërohej e bëhej gati të këlthiste.
– Unë kam djalë! Sa mirë!, – i thashë duke qeshur tërë gaz
…………………………………………………………………………………………….
15 shkurt 1895, SPB
Megjithëse në dhomën fqinje këndojnë Markoni dhe Batistini, të dy tregimet tuaja i lexova me vëmendje të madhe. “Pushteti” është një tregim i këndshëm, po mund të bëhet edhe më i mirë, në rast se ju do të zgjidhni jo një kryetar zemstvoje, por thjesht një çilfligar. Përsa i përket “Ditës së engjëllit” ai nuk por një gjë voluminoze, mjaftë e ngarkuar. Ju keni grumbulluar pa kriter një mal të tërë hollësirash dhe ky mal ka zënë diellin. Duhet të bëni ose një novelë të gjatë që të vejë afër katër faqe tipografike, ose një tregim të vogël që të fillojë atëhere kur zotninë e çojnë në shtëpi.
Rezyme: Ju jeni një njeri i talentuar, por e keni rënduar veten, ose po të shprehem në mënyrë vulgare, ju i përkisni grupit të shkrimtarëve natyralistë. Ju e keni një gjuhë të goditur, si të pleqëve. Shkruani roman. Shkruani romanin në një vit, pastaj shkurtojeni gjysmë viti e pastaj botojeni. Ju nuk i përpunoni shkrimet, shkrimtari nuk duhet të shkruaj por të qëndisë në letër, në mënyrë që puna t’i dalë e imët, e ngadaltë. Më falni për këtë instruksion. Ngandonjëherë të lind dëshira të hiqesh i rëndë dhe të lexosh nota diplomatike. Sot mbeta, nesër do iki patjetër.
Anton Pavlloviçi më qortonte..” e keni rënduar veten..”. Është zemëruar. Gjatë kësaj kohe mendova shumë, por nuk kisha arritur asgjë të përcaktuar, megjithatë më dukej vetja se kisha filluar të arsyetoja në mënyrë të logjikshme. Nuk më pëlqente kjo logjikë, nuk doja aspak t’i nënshtrohesha asaj, por duhej që logjika të qëndronte mbi ndjenjën? Prej asaj ndjenje sa here kam bërë budallallëqe? E ftova Anton Pavlloviçin kur nuk ishte Misha në shtëpi. Ç’mund të ketë menduar? E tundova me faktin se do ishim vetëm. Ç’përfundim mund të ketë nxjerrë ai?
As unë nuk e di se si ndodhi kjo, po papritur shpërthyen të gjitha si tufan dhe ky tufan qe besimi im, dashuria ime, brenga ime.
“ Unë ju dashuroja dhe mendoja vetëm për ju….”